Unifikimi i teksteve shkollore

11/01/2013 00:00

Pas Abetares, këtë vit pritet të nisë puna për unifikimin e teksteve të Gjuhës Shqipe dhe Historise me shtetin e Kosovës.

“Javën tjetër do të kemi një grup nga Kosova, i cili do të jetë i ftuar posaçërisht, për të diskutuar për ngritjen e Komisionit, për tekstet e Gjuhës dhe të Historisë. Bëhet fjalë për tekste të përbashkëta për të filluar me sistemin 9-vjeçar dhe pastaj me shkollën e mesme”, thotë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj.

Por kjo ide, per ekspertet e arsimit tingellon e parealizueshme dhe jo konkrete nese nuk behet nje unifikim i programeve dhe me pas i kurrikulave.

“Eshtë e nevojshme që të ketë një platformë arsimore kombtare, e cila duhet të miratohet në Parlament nga të gjitha forcat politike të të dyja kahjeve ku ka shtete dhe që duhet të konsideronte në mënyrë të qartë rregullimet ligjore”, thotë Shezai Rrokaj, Dekan i Fakultetit te Filologjise  

Profesor Rrokaj eshte ndalur edhe ne problemet e shkaktuar deri me sot nga alterteksi, një reformë e cila ka nevojë për shumë ndryshime.

“Ka shumë për të parë në reformën e altertekstit, lidhur me konkurrimin, lidhur me shpërndarjen e tekstit, a shkon teksti më i mirë që rezulton të ketë fituar pikët maksimale në shkollë, çfarë marrëdhëniesh ekzistojnë midis shtëpive botuese dhe ekipeve të mësuesve apo të drejtorëve të shkollave. Ka shumë probleme të diskutueshme, që duhen parë në mënyrë që ne të shkojmë drejt idesë që teksti më i mirë të ketë edhe terrenin më të madh”, thotë Rrokaj.

Per deputeten e Partisë Socialiste Ledi Shamku, ky është nje premtim i parealizueshëm pasi së pari duhet një unifikim i programeve.

“Nën udhëheqjen e ekspertëve të Bankës Botërore, që kanë mbikëqyrur procesin, ekspertët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia dhe gjithëkund ku ka institucion të shkollës shqipe, duhet të ulen të shkruajnë kurrikulat dhe programet e përbashkëta shkollore për të gjithë sistemin parauniversitar, se programet janë furra ku derdhet lënda, ku piqet dhe në këtë matricë që janë programet, pastaj këto lindin vetë tekste të përbashkuara. Eshtë një deklaratë fajtore me dashje, sepse sistemi ynë aktual parauniversitar, me ligjin që sapo kaloi, u ndryshua, nga 5+4+3 u bë në 6+3+3. Kosova vazhdon ta ketë 5+4+3 dhe këtë Ministria e di sepse Ministria e ndryshoi”, thotë Shamku.

Unifikimi i teksteve të Gjuhës Shqipe dhe Historisë me shtetin e Kosovës është një ide e përkrahur nga të gjithë shqiptarët, por kërkohet që deklaratat të mos jenë politike por konkrete dhe reale.

Top Channel