FMN: Qeveria të rrisë taksat

11/01/2013 23:50

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar zyrtarisht qeverisë të rrisë taksat, për të përballuar nevojat e buxhetit për parà dhe për të ndalur rritjen e borxhit publik.

Në një raport të sapopublikuar, ekspertët e misionit i rekomandojnë qeverisë shqiptare të nisë një politikë disa-vjeçare të ashpër buxhetore, për të vënë nën kontroll borxhin, politikë e cila, sipas tyre, duhet të orientohet kryesisht në kahun e të ardhurave, duke rritur taksat e drejtpërdrejta.

“Me tatimin mbi vlerën e shtuar aktualisht në nivele të larta, rritja e tatimit mbi të ardhurat personale dhe tatimit mbi fitimin e bizneseve do të jetë e domosdoshme”, vëren raporti. Sipas  FMN, kjo rritje e barrës nuk do të cënojë aftësinë e Shqipërisë për të thithur investime të huaja, nëse qeveria do të zbusë arbitraritetin e administratës tatimore, e cila rëndon kostot mbi biznesin.

Veç rritjes së taksave, FMN i rekomandon qeverisë dhe një sërë masash të tjera urgjente në buxhet. Së pari, mbylljen e defiçitit të pensioneve, që sipas FMN u përkeqësua nga ulja e kontributeve në vitin 2006 dhe 2009.

Ekspertët e fondit thonë se kjo mund të arrihet duke zgjeruar skemën, përmes përfshirjes së detyrueshme në pagesën e kontributeve edhe të fermerëve, si dhe duke ndalur rritjen e pagave e pensioneve.

Masa e dytë e propozuar është ajo e mos-shkurtimit të investimeve publike. Vitet e fundit, zëri i investimeve të qeverisë ka qenë më i prekuri nga shkurtimet e buxhetit. FMN thotë se kjo duhet të ndalet, pasi investimet, jo vetëm që nuk duhen shkurtuar, por duhen rritur, për shkak të nevojave të mëdha që ka vendi dhe për të mbështetur rritjen ekonomike në kushtet e parashikimeve të zymta për të ardhmen.

Masa e fundit, e propozuar në politikën fiskale, është ajo e përdorimit të parave nga privatizimet për uljen e borxhit dhe shlyerjen e faturave të prapambetura.

Parashikim i zymtë për Shqipërinë
“Rritja ekonomike do të jetë e ulët deri në vitin 2017”

Ndonëse vëren se Shqipëria është një nga vendet, që e ka përballuar më mirë krizën ekonomike në rajon, FMN ka parashikime të zymta për të ardhmen e ekonomisë.

Ekspertët e saj vërejnë se rritja ekonomike po ngadalësohet me ritme të shpejta dhe presin që ajo të qëndrojë e ulët, të paktën deri në vitin 2017, kjo për dy shkaqe. Së pari, ambientit të pafavorshëm global.

Sipas FMN, sëmundja ekonomike e eurozonës pritet të vazhdojë, duke cënuar kërkesën për eksporte dhe besimin e brendshëm në ekonomi.

Shkaku i dytë lidhet me rreziqet, që ngre sistemi bankar. “Problemet e sektorit financiar mund të prekin ekonominë reale. Rritja e fortë e kredive të këqija pritet të zbehet gradualisht, vetëm duke mbajtur të shtrënguar kreditimin e ekonomisë dhe prespektivën e biznesit”, thotë raporti.

Top Channel