FRD nis komunikimin me qytetarët

07/01/2013 19:10

Partia Fryma e Re Demokratike ka nisur pasditen e së hënës nga qyteti i Krujës komunikimin e saj me qytetarët.

Në fjalën e tij para simpatizantëve, kryetari i FRD-së Bamir Topi i ftoi ata që të marrin pjesë në hartimin e programit elektoral të këtij grupimi.

“Ekonomia dhe mirëqënia e qytetarit do të jenë përparësi e FRD-së”, deklaroi Topi, i cili përfitoi nga vizita në Krujë për të prekur edhe një çështje tjetër.

“Kruja është frymëzim për çështjen kombëtare, e cila është gjithashtu një tjetër përparësi e FRD-së”, tha më tej ish-presidenti i Republikës.

Pas tij fjalën e mori sekretari i përgjithshëm i partisë, Gazmend Oketa, i cili foli për koalicionet eventuale të FRD-së për në zgjedhjet e 13 qershorit.

“Fryma e Re Demokratike do të bëjë koalicion mbi bazën e vlerave, parimeve dhe interesit qytetar”, deklaroi Oketa.

Në takimet e tij elektorale, kreu i FRD-së Bamir Topi ka premtuar disa herë se me ardhjen në pushtet do t’u japë fund aferave korruptive dhe klienteliste, që sipas tij nisin në zyrën e kryeministrit dhe përfundojnë në Beograd.

Topi në fjalimet e tij ka ftuar qytetarët që të bashkohen për një politikë të re, që do të shkëpusë vendin nga tranzicioni dhe ta bashkojë me BE-në.

Top Channel