“Legalizohen” sërish fishekzjarret

30/12/2012 00:00

Sipas urdhëresës së Bashkisë së Tiranës, shitja e fishekzjarreve, kapsollave dhe mjeteve të tjera eksplozive, si elementë të festës, është e ndaluar. Por kjo nuk i pengon shitësit e bizneseve të vogla që t’i tregtojnë ato lirisht, pa u shqetësuar se do të ndëshkohen. 

Por faji nuk është vetëm i shitësve apo Bashkisë. Shumë qytetarë janë kundër shitjes së fishekzjarreve dhe shashkave, por ka edhe të tjerë që vazhdojnë t’i blejnë ato me shumicë, pavarësisht rrezikshmërisë që mbartin.

Një tjetër faktor problematik është edhe ndotja akustike, për të cilën blerësit  nuk interesohen shumë. Këto vendime duket se janë të pamundur të zbatohen pasi edhe në kushtet e kontrolleve më të forta, ato sërish shiten në mënyrë ilegale.

Qytetarët thonë se nëse qeveria do të donte vërtet t’i bllokonte, duhej t’i ndalonte që në doganë dhe jo në tregje.

Cdo natë të ndërrimit të viteve, qytetet shqiptare shndërrohen në arena lufte ku në mungesë të një dekori të organizuar nga bashkitë, qytetarët ndezin fishekzjarret secili në mjediset e tyre duke krijuar një situate kaotike dhe të rrezikshme e për pasojë edhe të plagosur e gjymtuar.
 

Top Channel