KQZ vendos për teknologjinë në zgjedhje

28/12/2012 00:00

Një ditë pasi përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ngritën shqetësimin për vonesa të pajustifikuara në miratimin e aktit për përdorimin e teknologjisë së re në zgjedhje, KQZ është mbledhur në mesditën e sotme ku pas disa orë diskutimesh ka miratuar vendimin me shtatë vota pro.

Në kushtet e skadimit të kohës për blerjen e aparaturave për numërimin elektronik dhe identifikimin elektronik të zgjedhësve që do të përdoren në dy qarqe të vendit, KQZ ka vendosur të zbatohet në këtë rast procedura e përshpejtuar e tenderit, pa njoftim paraprak të kontratës dhe pa  fond limit.

Kjo do të thotë se tenderi tashmë është shpallur dhe është lënë e hapur edhe kostoja financiare për këto projekte.

Anëtaret e KQZ kanë parashikuar përmbylljen e kësaj procedure deri në 30 janar, ndryshe nga sa Kodi detyronte administratën për përfundim të këtij procesi brenda këtij viti.

Dy risitë teknologjike do të përdoren në Tiranë dhe Fier në zgjedhjet 23 qershorit të vitit të ardhshëm.

Top Channel