Avokati i Popullit Igli Totozani ka marrë miratimin për nisjen e hetimeve nga dy prindërit  Ilir dhe Alma Vladi, që humbën vajzën shtatë vjeçare nga një mjekim i gabuar.

Pas varrimit të vogëlushes Arsela në Xhafzotaj të Durrësit, Avokati i Popullit u shpreh i shqetësuar për trajtimin shëndetësor që marrin fëmijët e sëmurë, ndërsa nëna e vajzës i bëri thirje të gjithë prindërve që të jenë të kujdesshëm për të kërkuar kryerjen e analizave për të mos pësuar fatkeqësi si ajo.

“Jo se do ta ngjallin vajzën time, por të paktën të mos pësojë kush atë që pësova unë. Këtë dua unë për të gjithë prindërit”, thotë e përlotur Alma Vladi, e ëma e vajzës që ndërroi jetë tragjikisht.

“Rasti ka nevojë për drejtësi. Duhet vendosur drejtësi në këtë rast dhe nuk duhet të përsëriten më. Ky është një rast i pashembullt, rast flagrant. Ne dëshriojmë si institucion që ta hetojmë këtë rast dhe do të na duhej pëlqimi juaj”, iu drejtua prindërve të vogëlushes Avokati i Popullit, Igli Totozani.

Më herët gjatë së premtes, drejtori i Politikave  Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë bën përgjegjës mjekun që priti vajzën 7-vjeçare Arsela Vladi. Vajza humbi jetën për shkak se iu injektua serum glukoze kur vuante nga diabeti.

Me urdhër është pezulluar nga detyra drejtueset Irena Lila dhe Etleva Myshketa, gjithashu është pezulluar menjëherë nga detyra dhe mjeku pediatër Rasim Lusha, i cili ka ndjekur vajzën.

“Përgjegjësia është në radhë të parë individuale, pastaj edhe institucionale, por më vjen keq t’ju them që mjeku që ka pritur fëmijën në opinonin tim nuk ka qenë i përgjegjshëm. Në kontaktin e parë që pamë me kartelën, ka përgjegjësi dhe kjo përgjegjësi do të shkojë deri në fund”, thotë Pipero.

Arsela ishte nxënëse e klasës së dytë për violinë në shkollën e muzikës “Jan Kukuzeli” të Durrësit.  Çdo ditë së bashku me të motrën, nxënëse e së njëjtës shkollë për piano, Arsela udhëtonte drejt Durrësit me pasionin për muzikën dhe shkollën.

Top Channel