Berisha: Të katërtët për mirëqënie

28/12/2012 20:10

Takimin e fundvitit me anëtarët e kabinetit qeveritar dhe këshilltaret e tij, kryeministri Berisha ia kushtoi plotësisht ekonomisë të vendit, që në kohën e krizës së rëndë europiane dhe botërore, sipas të dhënave që citoi kryeministri, nuk ra në reçension dhe ka rritje pozitive të qëndrueshme ekonomike.

Kryeministri u fokusua në raportin e grupit të Bostonit, që duke analizuar 51 tregues të zhvillimit për 140 vende të botës, vlerëson se sa pasuritë kombëtare dhe rritja ekonomike kanë ndikuar në mirëqënien e qytetarëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm të një vendi.

Për Shqipërinë të dhënat janë analizuar për 5 vitet e fundit, që përkon dhe me kohën e nisjes së krizës ekonomike botërorë.

“Ky grup i Bostonit gjen se në përpjekjen e saj për të shndërruar pasurinë në mirëqenie Shqipëria renditet e 19-ta në planet. Ky jo vetëm gjen Shqipërinë një vend të orientuar tërësisht në rritjen ekonomike të qëndrueshme, por gjen Shqipërinë një nga katër vendet më të mira në botë për shndërrimin e rritjes në mirëqenie për qytetarët. Ne mund të themi se në përpjekjen tonë që pasurinë dhe rritjen ta shndërrojmë në mirëqenie për qytetarët, ky përbën suksesin më të madh”, tha Berisha.

Në këtë rënditje, sipas kryeministrit Berisha, kanë ndikuar vec të tjerash, rritja e pagave dhe pensioneve, investimet efikase në infrastrukturën rrugore dhe shërbime të tjera publike.

Kryeministri beson se pa këto reforma dhe vendime të qeverisë së tij, Shqiperia në vend të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, mund të ishte përfshirë në skenarin më të keq të krizës ekonomike globale, ulje të pagave dhe pensioneve dhe rritje të papunësisë.

“Duke theksuar këtë, une jam i vetëdijshëm se në Shqipëri sot ka pak qytetarë që jetojnë në varfëri, jetojnë në skamje, janë të atakuar nga sëmundje, jetojnë në mjerim, por e vërteta është se nuk ka asgjë më shpresëdhënese për këta qytetarë dhe shoqërinë shqiptare sesa ky zhvillim që Shqipërinë, e cila ishte tërësisht e pallogaritur pak vite më parë ta renditin në krye të vendeve me shndërrimin më të lartë të rritjes ekonomike dhe pasurisë në mirëqenie për qytetarët e saj”, vlerësoi Berisha.

Kryeministri Berisha tha se ky do të jetë edhe qëllimi i vetëm i programit të ardhshëm elektoral të Partisë Demokratike në zgjedhjet e qershorit, ku sipas tij shqiptarët do të japin verdiktin për të rrëzuar murin e bllokimit të rrugës europiane dhe për të votuar për rritjen e mirëqënies së tyre.

Top Channel