Memaliaj, qyteti ku po rreshtin frymëmarrjet

24/12/2012 00:00

Ora duket sikur ka mbetur larg në një të shkuar të pluhurosur nga harresa. Me një realitet të ngrirë mes vështirësive të një jete anemike, pa mbështetje, pa vëmendje, veç fjalëve që kanë pak ose aspak vlerë.

Me vdekjen e minierës së qymyrgurit, Memaliaj ra në agoni të plotë, një agoni që mban ngërthyer të gjithë banorët e saj, çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë në këtë qytet me shpirt të madh e me frymëmarrje të vogël.

Ngjyra e përhimtë valëzon përmbi kryet e qytetit që duket hera-herës i braktisur, e hera-herës si një fotografi e vjetër e dalë nga arkivat. Pallate të rrjepur keqazi, dritare të boshta ku vështirë të dallohet mes arnash diçka e ndërtuar së fundmi. Gjithçka duket e heshtur, e zymtë ashtu si fytyrat e banorëve që lëkunden mes halleve të pafundme.

I ngritur paralel me minierën, Memaliaj u zhduk nga harta e investimeve shtetërore që me mbylljen e saj. Askush nuk u kujtua më pas, në 22 vjet të përshkuar mes hapash të njëjtë e të lodhur.

Papunësia e mpleksur me kthimin e shumë emigrantëve nga Greqia ka thelluar më tej mes banorëve krizën ekonomike e sociale. Mundësitë janë thuajse inekzistente e ndjekin në një kalvar të mundimshëm një më një të gjithë të rinjtë në qytet. Shumicës së të kthyerve duket sikur tashmë i ka mbetur vetëm të shikojnë nga qielli pasi gjithçka tjetër ngjason e fundosur me harresën që rrethon Memaliajn.

I moshuari Xhemal Mana, shprehet: “Djali ka ardhur nga Greqia dhe mbahet me pensionin tim.”

Ky është realiteti i Memaliajt, kudo i njëjtë, një imazh që përsëritet e përsëritet dhimbshëm.

Kastriot Hana thotë: “Kalamajtë i mbaj me një pensionin tim. Këtu është një vend i varfër shumë. Nuk ka çfarë të them.”

Një tjetër i moshura tregon: “Janë gjashtë fëmijë në shtëpi që i mbaj unë. Fëmijët jetojnë në dy dhoma të ngushta, flenë kokë më kokë.”

Borxhe mbi borxhe që zgjatohen kudo si zinxhirë duke marrë frymë familjesh memaliote me pak mundësi për të shtyrë jetën çdo ditë.

Astrit Hajdini shprehet: “Hyj në borxh 300 mijë lekë për të mbajtur fëmijët me bukë.”

Të tjerë si Teo, një djalë i vogël me probleme, mbeten pa shkollë apo nuk kanë mundësi të blejnë as një mjet të domosdoshëm si syzet e reja me numrin e ndryshuar pa të cilat ai e ka të vështirë të shikojë.

Qyteti është mbytur nga invalidët që kanë lënë pas galeritë e qymyrgurit e që sipas shifrave zyrtare janë plot 218 ndërkohë 311 familje në qytet jetojnë vetëm falë ndihmës ekonomike si thërrime mbi të cilat duhet të ngrejnë mbijetesën.

“Shumë keq, ata që thonë e përballojmë, gënjejnë. Si ta përballosh me 25 mijë lekë? Dritat, uji, për të ngrënë, për të pirë, fëmijët në shkollë…”

Në Memaliaj, çdo rrugicë, çdo pallat, çdo banesë, çdo kthinë e harruar fsheh pas dhimbjen e saj. Ashtu si në njërin prej kopshteve të mbyllur të qytetit ku drejtuesit lokalë kanë mundur t’i japin strehë një familjeje që ndan me varfërinë përditshmërin e saj.

Aleksandër Xhelili shpjegon: “Me lekët që marr llogaris bukën e thatë, pa diskutuar për gjëra të tjera. Fëmijët kanë dy orë që kanë ardhur nga kopshti dhe nuk kanë bukë për drekë.”

Mitat Kristo, i kthyer nga emigracioni, deklaron: “Në Memaliaj do nis të gjuaj për peshk, do marr borxh dhe do jetoj.”

Rrotullime të mbytura në bulevardin e vogël, si për të thyer hallet e për të mbytur dëshpërimin që endet tej e përtej si një hije tradhëtore.

Varfëri, pamundësi, e ardhme e bllokuar nga braktisja, në një oaz të lënë mënjanë, a thua se nuk ekziston. Ky është sot Memaliaj, qyteti i përhumbur ku po rreshtin frymëmarrjet.

Top Channel