Krishtlindje të Gëzuara

24/12/2012 20:50

Ashtu siç e do tradita, në prag të Krishtlindjes, kreu i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot Rrok Mirdita, uroi të gjithë bashkëbesimtarët në të gjithë vendin. Ai foli për thjeshtësine, varfërinë dhe dashurine triumfuese në këto kohe të vështira.

”Thjeshtësia, varfëria e Krishtlindjeve na shtynë që ne të shkurtojmë largësinë që ndan të varfërit me të pasurit, duke i mbështetur me projekte dhe duke ushtruar dashurinë ndaj njeriut sipas shembullit të Zotit. Drita që udhëheq mbretërit, nga e cila buron tradita e ndriçimit të pemës, është drita që ka nevojë çdo njeri për të ecur drejt takimit me të vërtetën. Thjeshtësia e drita e Zotit qofshin frymëzim dhe burim gëzimi për çdo njeri, në këto Krishtlindje e përgjithmonë”, deklaroi Imzot Rrok Mirdita.

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas u kërkoi besimtareve ortodokse të meditojne për durimin e Krishtit dhe të tejkalojnë përmes tij, “retë e zeza” që shkakton kriza ekonomike, ankthi dhe pasiguria e epokës sonë.

”Të metidojmë me kujdes për durimin e Krishtit, durimin e paepur, drejtësia fitimtare do të ndrisë përsëri brenda reve të zeza që shkakton kriza ekonomike, ankthi dhe pasuria e epokës sonë. Jezu Krishti do të ngrohë zemrat tona, me durim, zemërgjerësi do të ecim gjatë Vitit të Ri, për të kapërcyer problemet e shumta dhe kundërshtitë e paprirtura. Krishtlindje të bekuara, gëzuar Krishtlindjet gjithë shqiptarëve”, uroi Kryepeshkoi Janullatos.

Fitor Muçi, Kryetari i Bashkisë Fetare “Vllazëria Ungjillore” foli për dashurinë, si fjalen më të rëndësishme të Krishtlindjes, në vitin e 100-vjetorit të pavaresisë të Shqipërisë.

”Të dashur bashkëatdhetarë besimtarë ungjillorë. Ndërsa festuam anembanë trojeve tona, të presim me gëzim lindjen e Krishtit shpëtimtar, misterit të gërshetimit të hyjnores me njerëzor, të dashurisë që Perëndia ka për ne dhe zbulon vlerën që çdo njeri ka. Të zbrazemi në këto ditë nga robëria shpirtërore, lakmia dhe të mbushemi me paqe e durim. Krishtlindja është një festë që mirëpret këdo për të thënë që në shtëpinë e Perëndisë ka ende vende bosh. Gëzuar Krishtlindjen dhe mirësia e Perëndisë bekoftë kombin tonë me paqen dhe hirin e tij”, uroi zoti Muçi.

25 Dhjetori festohet në të gjithë botën, jo vetem nga besimtarët e krishterë, si lindja e Jezu Krishtit.

Top Channel