Shpërblimi për pensionistët, ISSH me grafik

22/12/2012 00:30

Menjëherë pas vendimit të Këshillit të Ministrave për të shpërblyer me 2000 lek të gjithë pensionistët, me rastin e festave të fundvitit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përcaktuar grafikun, me qëllim tërheqjen në kohë të shumës së akorduar.

Drejtoresha e përgjithshme e ISSH-së, Vjollca Braho, sqaron në detaje se si do të veprohet për të dhënë shpërblimin për pensionistët.

“Grafiku është ndërtuar në mënyrë të tillë, që nga ora 08:00 deri në 14:00 të bëhet shpërndarja e pensioneve, së bashku me shpërblimin, për datën e caktuar, kur pensionisti merr pensionin dhe, mbas orës 14:00 deri në 20:00 do të bëhet vetëm shpërndarja e shpërblimit.

Sot ka filluar shpërndarja në zyrat postare dhe në datën 21 do të përfitojnë këtë shpërblim, së bashku me pensionin, të gjithë pensionistët që marrin sot pensionin, më pas, pas orës 14:00 do të bëhet shpërndarja e shpërblimit për të gjithë ata pensionistë, që e kanë tërhequr pensionin e tyre më datë 1, 2, 3 dhe 4”, tha zonja Braho.

Zonja Braho sqaroi gjithashtu se, nëse ndonjë pensionist nuk do të ketë mundësi ta marrë shumën brenda muajit dhjetor, mund ta tërheqë atë edhe gjatë ditëve të para të vitit 2013.

“ISSH njofton të gjithë pensionistët, të cilët nuk do të kenë mundësi për ta tërhequr këtë shpërblim gjatë muajit dhjetor, kanë të drejtë për ta marrë atë gjatë ditëve në vijim të vitit 2013”, shtoi ajo.

Nga vendimi përfitojnë 576,186 pensionistë, prej të cilëve 558,921 janë në qytet dhe në fshat, ndërsa përfitojnë edhe persona që kanë në nëntokë, veteranët e luftës, ish-ushtarakët e ish-policët, si dhe të tjerë të parashikuar në ligj.

Top Channel