Shitja e katër hidrocentraleve

22/12/2012 00:00

Një ditë më parë Qeveria nxorri në shitje katër hidrocentrale ekzsituese
të ndërtuara gjatë regjimit komunist, atë të Ulëz Shkopetit dhe dy Bistricat.

Çmimi më i lartë i ofruar, në tender ishte 110 milionë euro, për të katër veprat së bashku. Por cila është pasaporta e tyre. Në total, HEC-et e Ulëz Shkopetit dhe dy Bistricat kanë një një kapacitet të instaluar prej 80 megavat, që do të thotë se çmimi me të cilin Qeveria pritet t’i shesë ato është rreth 1.37 milionë euro për mega të instaluar.

Por cilat janë cmimet aktuale të tregut? Pak kohë më parë Kryeministri mori pjesë në inaugurimin e hidrocentralit të Ashtës, vepra e parë e madhe hidroenergjetike e ndërtuar pas rënies së regjimit komunist.  Me një kapacitet të instaluar prej 53 mega, hidrocentrali i Ashtës ka kushtuar mbi 200 milionë euro. Kostoja e ndërtimit është rreth 4 milionë euro për mega, ose gati 3 herë më e lartë nga çmimi, me të cilin Qeveria po i shet katër hidrocentralet ekzistuese.

Por ky nuk është treguesi i vetëm që dëshmon se Qeveria po bën biznes me humbje për qytetarët. Sipas të dhënave zyrtare katër hidrocentralet e nxjerra në shitje prodhojnë se bashku 350-450 milionë kilovat orë në vit. Çmimi me të cilin Qeveria e detyron KESH të blejë energji nga hidrocentralet private është rreth 8-9 lekë për kilovat/orë, që do të thotë se të ardhurat e katër hidrocentraleve shkojnë minimalisht 22 milionë euro në vit. Sipas ekspertëve me këto të ardhura, vlera e blerjes së hidrocentraleve rekuperohet brenda 6 viteve, kjo dhe për një arsye tjetër. Shkopeti dhe dy hidrocentralet e Bistricës janë vepra që vitet e fundit kanë marrë investime të mëdha nga fondet e buxhetit dhe ndihmave nga qeveria gjermane.

Kjo do të thotë se nuk kanë nevojë për invesime të reja, por do të kenë një fitim të garantuar. Së fundi biznesi i hidrocentraleve në vetvete është specifik pasi menaxhimi i tyre është thellësisht teknik, ndaj dhe kalimi i tyre tek privatët nuk sjell përmirësime të mëdha ne menaxhim, eficence apo ulje korrupsioni, siç mund të ishte rasti i një ndërmarrje tjetër publike. Të gjithë këto argumenta janë përdorur nga kritikët për të ngritur pyetjen nëse a është shitja e këtyre hidrocentraleve një biznes i mirë për qytetarët, apo thjesht po diktohet nga nevojat urgjente te buxhetit dhe Qeverisë për para dhe jo rastësisht vetëm 6 muaj para se vendi të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme. 

Top Channel