AK: Berisha nuk mban premtimet

22/12/2012 00:00

Aleanca Kuqezi ka nisur nga Pogradeci atë që e quan fushata e
mashtrimit. Kryetari i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu deklaroi se do
të denoncohen të gjitha premtimet e pambajtura të Kryeministrit Sali
Berisha, duke e nisur nga aksi rrugor Lin-Pogradec, ku punimet vazhdojnë
prej vitesh.

“Kjo artierie është nga më kryesoret për juglindjen e Shqipërisë dhe në dy mandatet e shtetasit Berisha nuk është investuar aspak, përkundrazi kemi një shtet në falimentim, një shtet i cili është i gjithi në borxhe me biznesin vendas dhe atë të huaj që nuk likujdojnë biznesmenët shqiptarë dhe kompanitë ndërtuese dhe të gjitha paratë shkojnë për fshatrat turistikë të familjes së shtetasit Berisha dhe familjes së ministrave të kabinetit qeveritar”, deklaroi Spahiu.

“Nuk ka një fshat turistik të një ministri që të vinte rruga dhe asfalti edhe në këtë arterje. Mos shpresojnë qytetarët e Pogradecit, qytetarët e Korcës, qytetarët e juglindjes së Shqipërisë që mund të vijë rruga dhe autostrada këtu”, vijoi kreu i AK.

AK mban konventën në Lushnje

Aleanca Kuqezi ka mbajtur konventën e saj në Lushnje. Në takimin me simpatizantët merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të kësaj partie.

Në fjalën e tij të mbajtur në këtë konventë, kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu akuzoi dy forcat e mëdha politike në vend se po përpiqen që në zgjedhjet e 2013-ës të fitojnë për interesat e tyre dhe jo për ato të qytetarëve.

“Duhet të shkojmë në çdo shtëpi e familje, të bindim njerëzit që të shporrim nga politka Sali Berishen. Sali Berisha është fajtori që Shqipëria humbi për herë të tretë mundësinë e marrjes së statusit”, deklaroi Spahiu.

Ai vuri në dukje se, qeveria Berisha arreston një pedagog për 10 mijë lekë, arreston një polic për një bakshish prej 500 lekësh dhe nuk arreston ata që pasurohen çdo ditë në oborrin qeveritar.

“Shpëtimi për këtë vend është Paralmenti kuqezi, i cili do të bëjë kthesën e madhe”, theksoi Spahiu. Ai bëri thirrje që në zgjedhjet e 2013-ës të gjithë të votojnë Aleancën Kuqezi dhe të pëkrahin këtë forcë si e vetmja parti që është për këtë vend.

“Për Lushnjen, si vendi më bujqësor në vend, apo siç njihet ndryshe hambari i Myzeqesë, nuk është patur vemendja e duhur. Ne kemi politika të qarta për bujqësinë”, u shpreh më tej Spahiu. 

Top Channel