Andrea Stefani – Kryeministri Berisha la me gojë hapur jo pak njerëz
kur, gjatë një konference shtypi iu shmang të përgjigjej troç lidhur me
të ardhurat e pjesëtarëve të familjes së tij. Në fakt pyetja erdhi pas
disa akuzave që eksponentë të opozitës kanë ngritur në Parlament lidhur,
ndër të tjera, edhe për disa honorarë prej rreth 11 mijë USD në muaj
(mbi 100 mijë USD në vit) që vajza e Kryeministrit ka deklaruar si të
ardhura nga mësimdhënia.
Për një vend si Shqipëria, ndoshta më i varfëri në rajon, ku paga mesatare e një pedagogu në universitete është shumë herë më e vogël dhe varfëria është në rritje për shkak të krizës, përfitime të tilla nuk mund të mos jenë sensacionale. Ndaj shumëkush pret që Kryeministri, aq më tepër kur në axhendën qeveritare po përflitet shumë për antikorrupsionin, të japë shpjegime mbi ligjshmërinë e këtyre përfitimeve. Por jo, Kryeministri nuk e kishte fare këtë mendje: “Shumë shpejt do të merren vesh arsyet se përse e bëjnë… ke dëgjuar ti reagim? Jo… Se çfarë fshihet prapa këtyre klithmave, absolutisht shpejt do të merret vesh”. Një ligjërim hermetik, zhgënjyes për një politikan që 8 vjet më parë u ringjit në pushtet me flamurin e antikorrupsionit dhe që ndërkohë premton ta bëjë atë përsëri kryeaxhendë të qeverisjes! Se kujt i duhen arsyet se përse opozita ngre akuza të tilla? Kujt i duhen skenarët paranojakë me “grupe armiqësore” që Berisha e ka zakon t’i hedhë në publik sa herë ndihet ligsht? Ajo që do të dijë publiku, dhe mundësisht nga goja e Kryeministrit, është nëse ato janë përfitime të ligjshme. E nëse një Kryeministër nuk ka një përgjigje pozitive, ai nuk do të mund të vazhdonte qeverisjen në asnjë vend ku ekziston minimumi i shtetit ligjor. Dhe deri më sot rezulton se Kryeministrit Berisha nuk e ka një përgjigje të tillë.
***
Ca kohë më parë, Berisha deklaronte në emfazë se Shqipëria ishte bërë si Kina e rajonit, “për shkak të rregullave dhe standardeve që ajo po instalon”. Mos vallë ka pasur parasysh edhe standardet e Kryeministrit të sapolarguar Uen Xhiabao që mahniti botën me pasuritë e grumbulluara nga familjarë dhe të afërm të tij? Sepse dinamika e pasurimit është shumë e ngjashme. Nëna e Kryeministrit Uen ka qenë një mësuese në një shkollë në veri të Kinës. Por ajo jo vetëm ka lënë pas varfërinë, por figuron sot shumë e pasur. Dhe mrekullia ka ndodhur, sikundër raporton në një investigim gazeta “Neë York Times”, pikërisht në kohën kur i biri i saj u bë pjesë e elitës politike sunduese, fillimisht në vitin 1998 si zëvendëskryeministër dhe pesë vite më vonë si Kryeministër. Është raportuar se shumë të afërm të Kryeministrit Uen, përfshirë vajzën dhe djalin, vëllain dhe kunatin, janë bërë jashtëzakonisht të pasur gjatë qeverisjes së tij. Ata kanë grumbulluar aksione në banka, xhojelerira apo dhe resorte turistike. Dhe i gjithë ky proces pasurimi lidhet me pushtetin që ka pasur Kryeministri Uen për të ndikuar në investime në sektorë strategjikë. Mos vallë Kryeministrit Berisha i mungon një pushtet i tillë?
***
“Transparency International” sapo i ka dhënë një shuplakë të rëndë qeverisë me duar të pastra të Berishës, duke raportuar rrëshqitjen e vendit praptazi në klasifikimin vjetor të korrupsionit. Ndërkaq, sinjale të tjera negative edhe për krimin e organizuar. “Global Financial Integrity” (GFI) sapo ka deklaruar se për një periudhë disavjeçare, prej 2005-2010 nga Shqipëria kanë dalë në rrugë ilegale mbi 1.3 miliardë USD. Sipas GFI, është një lumë parash që fryhet nga përrenjtë e evazionit fiskal, aktiviteteve kriminale dhe korrupsionit e që ashpërson edhe më shumë pabarazinë në të ardhura mes shqiptarësh, duke i bërë të pasurit më të pasur dhe të varfrit më të varfër. Periudha korrespondon me ardhjen në pushtet të Kryeministrit Berisha që premtoi tolerancë zero ndaj korrupsionit, por që po finalizohet me rekorde korrupsioni endemik. Në media nuk kanë munguar opinione që e lidhin këtë rrjedhje miliardere me transferimin jashtë shtetit të fitimeve të paligjshme edhe nga “familja” e Kryeministrit. Nuk ka shpëtuar pa rënë në sy fakti që arratisja e milionave është më e madhe në vitin 2008, gjatë të cilit vetëm si pasojë e një shpërthimi tragjik, u zbulua një trafik mjaft fitimprurës municionesh. Kryetrafikanti amerikan i këtij biznesi, që sot vuan dënimin në SHBA, kish pohuar në një bisedë të përgjuar telefonike autorësinë mafioze të këtij trafiku që ngjitej lart deri te Kryeministri dhe djali i tij. Edhe në atë kohë Kryeministri Berisha i skualifikoi këto fakte alarmante me një batutë të thjeshtë: llafe mafiozësh! Çështja nuk do të kish mbetur në mjegull sikur të ish bërë hetimi i tabulateve telefonike të aktorëve në aferë, përfshi ato të djalit të Kryeministrit. Por kjo nuk ndodhi. Gjë që nuk e pengoi Kryeministrin që ca vite më vonë të akuzonte, me anë të zbardhjes së tabulateve telefonike, një grup gazetarësh kritikë ndaj tij, si pjesëmarrës në një puç të ndodhur vetëm në kokën e Kryeministrit!
***
Në Kinë, në vitin 2007, para se të niste mandatin e tij të dytë, Kryeministri Uen bëri thirrje për masa të reja për luftë kundër korrupsionit, veçanërisht mes zyrtarëve të lartë. Berisha që në mandatin e tij të parë u premtoi shqiptarëve se do të shkatërronte brenda 100 ditëve sistemin e korrupsionit. Sot, në përfundim të mandatit të tij të dytë, kur edhe BE shfaqet e zhgënjyer për mungesën e rekordeve konkrete në ndëshkimin e korrupsionit mes qeveritarëve, Berisha po ngre zërin për masa të reja për luftën kundër korrupsionit. Në Kinë miq të Uen thonë se akuzat për korrupsion i vijnë Kryeministrit nga armiqtë e tij që duan ta njollosin. Në Shqipëri Kryeministri Berisha lë të nënkuptohet thuajse e njëjta gjë. Por në Shqipëri, si edhe në Kinë korrupsioni është bërë mënyrë jetese dhe ku anëtarët e familjeve të qeveritarëve, miqtë dhe vartësit e tyre nuk lënë rast pa abuzuar me ndikimin qeveritar për përfitime korruptive. Një realitet që provon vërtetësinë e deklarimeve të Berishës se Shqipëria, që aspiron BE-në, është bërë tamam si Kina.
Top Channel