Zgjedhjet janë një problem i yni; thjesht i yni

15/12/2012 00:00

Mustafa Nano – I fundit që ma bëri atë pyetjen e kotë e të pakuptimtë që
dëgjohet të bëhet shpesh këtejpari, ishte dje paradite: Është e vërtetë
që të huajt ia kanë hequr vizën Berishës dhe e kanë vendosur që t’mos e
lënë më në pushtet?

U është mbushur mendja shumë shqiptarëve që fatin e zgjedhjeve e përcaktojnë diplomatët e huaj, ambasadorët, shefat e tyre në vendet ku drejtojnë, dhe në këtë kuptim, zgjedhjet këtejpari nuk janë gjë tjetër, veçse një komedi, një lodër, apo me fjalë më konkrete, një mënyrë për të certifikuar vendimin që tanimë është marrë diku gjetkë. Në rastin tonë, bëhet fjalë për vendimin që medemek, qenka marrë për ta larguar Berishën nga pushteti.

Kemi faj dhe ne të mass-medias për këtë bindje, që u është kallur në kokë shumicës së bashkëqytetarëve tanë. Kemi ngritur gjithë kohën kultin e ambasadorëve, duke u vënë mikrofonat tek goja, duke u kërkuar intervista, duke raportuar deklarata të tyre të përditshme, duke dhënë lajme me Fule, me Kukan, me Doris Pack, duke mistifikuar fotografi të udhëheqësve tanë me shtetarë të huaj, apo duke mistifikuar vizita të ndryshme të të huajve në Tiranë dhe të tanëve në vende të tjera, dhe – në këtë pikë kemi burimin e gjithçkaje – duke mistifikuar aspiratën tonë për t’u integruar në BE. Me termin “mistifikim”, në këtë rastin e fundit kam parasysh një interpretim të përciptë e dritëshkurtër të aspiratës së integrimit në BE, të cilën e kemi parë si qëllim në vetvete, pa pikë përmbajtje; në mos, me të vetmen përmbajtje, që buron prej shpresës se integrimi në BE është një arritje providenciale, se ky integrim ka për t’na shpëtuar njëherë e mirë prej të këqijave, se ky integrim përbën një arritje që s’ka për të pasur shoqe në historinë tonë shumëshekullore si komb e në historinë njëshekullore si shtet. Mungojnë vështrimet kritike apo esencialiste mbi këtë proces, që shpesh shihet thjesht si një akt (jo proces), mungojnë përpjekjet për ta lidhur këtë proces me arritje të brendshme në planin e demokracisë, të ekonomisë, të begatisë, të shtetit të së drejtës, etj., etj. Dhe është ky shkaku që debati i brendshëm lidhur me këtë argument është katandisur në qëndrimin ndaj tre ligjeve që nuk po miratohen në Parlament (ngaqë kërkohen votat e 3/5 të deputetëve). Ka pasur dhe do shkrime, në të cilat autorët i janë hakërryer opozitës “së ndyrë”, e kanë shpallur atë tradhtare të interesave të vendit, e kanë kryqëzuar në murin e turpit, etj., etj. Për këta autorë shkrimesh nuk ka rëndësi se si është de facto Shqipëria, se a e kemi hak ta marrim atë status të flamosur të kandidatit për anëtar në BE (nuk i hyjnë fare këtij diskutimi; nuk i hyjnë as për të thënë që “është mirë t’na pranojnë, s’ka gjë se nuk jemi ende gati”); jo, për këta autorë ka rëndësi që “ne ta marrim Statusin”.

Është shenjtërimi i Statusit që ka bërë që të huajt të shihen si perëndi këtyre anëve. Por është dhe një arsye e dytë. Të huajt, ndonëse s’kanë në dorë të pengojnë manipulimin e zgjedhjeve, kanë në dorë megjithatë, ta legjitimojnë, apo ta denoncojnë, këtë manipulim. Ata nuk kanë hezituar ta luajnë këtë rol në mungesë të institucioneve të besueshme e funksionale këtu brenda. Sigurisht, e kanë parë të udhës më shumë ta legjitimojnë, se sa ta denoncojnë vjedhjen e zgjedhjeve, dhe këtë gjë e kanë bërë me logjikën se “është Shqipëri hesapi” dhe në emër të stabilitetit politik në këtë vend problematik (denoncimi hap punë pa punë). Me këtë logjikë e në emër të këtij stabiliteti, Arvizuja s’e pati për gjë të quante burrë shteti një kryeministër që fliste si në jerm për puçe, për thika me helm, për stilolapsa-pistoletë, për putana bulevardi, për horra, e që sipas shumë gjasave ka dhënë urdhër të qëllohet mbi turmën e pambrojtur e të pafajshme më 21 janar 2011.

E meqë jam këtu, në përgjigje të pyetjes që citova në krye të shkrimit, më duhet të them se nuk do ish çudi që Arvizuja ta bënte sërish këtë gjë. Të paktën, për mua personalisht nuk do ish fare çudi. E kjo nuk ka lidhje me faktin që Arvizuja është i mirë apo i lig, që është i zoti apo i pazoti si ambasador, që e do apo e urren Shqipërinë, që ka apo s’ka fuqi të dallojë rreziqet që i kanosen Shqipërisë nga një mandat i tretë i njeriut që ka shtënë në dorë gjithçka në këtë vend. Kjo ka lidhje me faktin që ai ndjek një axhendë të vetën, d.m.th një axhendë të Departamentit të Shtetit, dhe kjo axhendë nuk ngrihet mbi shqetësimet e qytetarëve shqiptarë, aq më pak mbi shqetësime të opozitës shqiptare; përkundrazi, ngrihet mbi shqetësime të një natyre tjetër. Me këtë që sapo thashë nuk është se po denoncoj diplomacinë e superfuqisë së vetme mbi këtë planet. Jo, nuk më duket se ka arsye për ta denoncuar në këtë rrethanë. Thjesht po bëj një konstatim: Diplomacia amerikane është kjo që është, dhe është kështu ca për shkak të interesave të veta, ca për shkak të limiteve fiziologjike që ka për të zgjidhur hallet e të gjithëve në këtë botë, ca për shkak të presionit të lobingjeve që kanë aq peshë në ëashington, ca për shkak të mijëra vështirësive që asaj i shfaqen në vende të prapambetura si Shqipëria, e ca për arsye të tjera. Shkurt, Arvizutë që veprojnë në Shqipëri as nuk duhen shenjtëruar, as nuk duhen demonizuar. Ata janë ashtu, thjesht ambasadorë, gjë që në terma banalë don të thotë se “nuk ka pse t’u bëhet shumë vonë për zgjedhjet në Shqipëri”, e “nuk ka pse t’u bëhet vonë nëse në një vend të çuditshëm si ky i yni, një horr bën ca hile për të bërë të mundur mbajtjen e pushtetit”.

Si përfundim? Si përfundim duhet thënë se teza që amerikanët, apo europianët, nuk e duan më Berishën, është një tezë që s’ka pikë rëndësie. S’ka pikë rëndësie edhe sikur të jetë e vërtetë. Ata nuk kanë se çfarë t’i bëjnë Berishës. Edhe sikur ky i fundit t’u japë munxët të gjithë njerëzve të fuqishëm të Europës e të SHBA-së, këta nuk kanë se çfarë t’i bëjnë për sa kohë që ai nuk vlerësohet me kutin e tyre si “një horr që duhet hequr qafe” (dhe Berisha di mirë se si të mos shkojë deri atje sa të shihet prej tyre si një “horr që duhet hequr qafe”). Prandaj, nuk ka gjë më çmobilizuese për forcat e opozitës në këtë situatë parazgjedhore në Shqipëri se sa ideja që “të huajt e kanë vendosur këtë herë; do ta largojnë Berishën”. Të huajt nuk kanë vendosur asgjë. Nuk kanë se ç’të vendosin. Jemi ne që duhet të vendosim.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA