Andrea Stefani – Enver Hoxha është një prej figurave me përkushtim më të
madh atdhetar në historinë shqiptare! Kështu ka deklaruar para pak
ditësh Rexhep Qosja, ndërsa i kundërvihej, jo pa të drejtë, demagogjisë
“patriotike” të Sali Berishës.
Duhet thënë, që në krye të herës, është përqasja tmerrësisht e gabuar. Është e vërtetë se Sali Berisha dhe klani i tij po thonë e shkruajnë të bëra e të pabëra e po hedhin, sikundër shprehet edhe Qosja, “gurë e drunj mbi Enver Hoxhën”. Por këtë e bëjnë që të fshehin thelbin e përbashkët që ata kanë me ish-diktatorin, prirjen për shtypjen (mundësisht varrosjen) e lirisë qytetare të shqiptarëve. Prandaj t’i kundërvihesh berishistëve duke deklaruar se Enveri ishte ndryshe nga ata, nuk bën gjë tjetër, edhe pse qartazi pa dashje, veçse i shërben synimit të tyre për t’u shitur si ndryshe nga ish-diktatori komunist. Përveç kësaj, nëse Enver Hoxha është një prej figurave me përkushtim më të madh atdhetar, mos vallë shqiptarët bënë keq që e përmbysën? A qe përmbysja e monumenteve të diktatorit, e bashkë me to edhe të regjimit komunist, në dobi apo në dëm të Atdheut? Nëse po, si mund të jetë një akt atdhetar përmbysja e “një prej figurave me përkushtimin më të madh atdhetar në histori”?!
***
Na duket se gabimi apo lajthitja e Rexhep Qoses vjen nga fakti që në mendësinë dominuese shqiptare nuk ka hedhur rrënjë të forta koncepti i lirisë qytetare si një dukuri që, më së shumti, zhvillohet ndarazi nga ajo që quhet liri kombëtare apo pavarësi. Sipas kësaj mendësie kush lufton apo punon për pavarësimin e trojeve kombëtare nga pushtuesi i huaj, për shmangien e copëtimit apo ribashkimin e tyre, është një patriot, pavarësisht se cili është roli i tij në një çështje tjetër edhe më të rëndësishme për Atdheun, për zhvillimin dhe lumturimin e njerëzve të tij, në çështjen e lirisë qytetare. Kjo mendësi e gjymtë ka mundësuar që figura despotike të marrin mbi vete famën e patriotit, të çlirimtarit të kombit dhe nën vellon e kësaj fame, të shtypin dhe sundojnë në mënyrat nga më të egrat bashkatdhetarët e vet duke mbjellë skllavëri në gjirin e kombit. Shembujt nga më të freskëtit janë Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha që vazhdojnë të përfliten si patriotë, ky i fundit, edhe nga një figurë e shquar e mendimit shqiptar si Rexhep Qosja. Kontradikta logjike është ulëritëse dhe e papranueshme: Si mund të jetë patriot një diktator? Si mund të jetë patriot një despot që vret, burgos, pushkaton bashkatdhetarë, kundërshtarë politikë vetëm për të përjetësuar sundimin e tij? Dhe nëse Enver Hoxha na paska qenë një patriot kaq i madh, mos vallë shqiptarët kanë bërë gabim që ia përmbysën bustin? Mos vallë ka ardhur koha që t’ia ringrenë?
***
Është fakt, Enver Hoxha ka udhëhequr luftën për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. A e bën kjo atë një patriot? Jo, sepse më pas ai nuk luftoi për lirinë, lirinë qytetare. Vepra patriotike e çlirimit u pasua nga një tjetër thellësisht antipatriotike, ajo e skllavërimit të shqiptarëve me mjetet e terrorit diktatorial për 45 vjet rresht. Të mos bësh dot këtë bilanc, do të thotë të mos mësosh nga pësimet e historisë dhe të jesh i dënuar ta pësosh përsëri. Edhe figura të tjera më të mëdha të historisë botërore kanë luftuar me tërbim për atë që ata e quanin interesin kombëtar. Një i tillë ka qenë edhe Adolf Hilteri, që në emër të nacionalizmit gjerman, shtypi lirinë e gjermanëve dhe më pas, i përdori si mish për top, duke i vënë zjarrin botës dhe duke shkatërruar më në fund edhe Gjermaninë. Duhet të jesh naziskin ta quash Hitlerin patriot. Dhe nuk është e nevojshme të çosh vendin në luftë shkatërrimtare për të qenë një antipatriot. Mjafton të shkatërrosh lirinë apo shansin e lirisë qytetare, që vendi të mbetet i prapambetur dhe larg proceseve perëndimorëzuese që sjellin zhvillim e lumturi për njerëzit. Këtë e bëjnë të gjithë politikanët me prirje sunduese dhe prandaj nuk janë patriotë, sepse duke vrarë lirinë qytetare, vrasin frymën e zhvillimit, një forcë që është shumë më e rëndësishme se çdo zhvillim material. Dhe pikërisht ky është mëkati që Sali Berisha dhe pasuesit e tij po bëjnë kundër Shqipërisë. Thelbi i aksioneve të tyre është i njëjtë me atë të Enver Hoxhës, shtypja e lirisë qytetare. Por në kushte të reja. Jo ato të Luftës së Ftohtë kur diktaturat ishin në modë në gjysmën e botës, por në kohën kur demokracia është në modë.
***
Por cili është modeli i patriotit të vërtetë? Është ai i politikanit që luftën për pavarësinë apo çlirimin e kombit nuk e ndan nga ajo për lirinë qytetare. I tillë qe Xhorxh Uashingtoni, që pasi kontribuoi në çlirimin e SHBA, ju dedikua qeverisjes me anë të lirisë dhe jo me anë të sundimit. Dhe këtë e arriti duke mos abuzuar me famën e çlirimtarit për të zgjeruar dhe absolutizuar pushtetin e tij. Madje pikërisht sepse qe i ndërgjegjshëm për rrezikun që sjell për lirinë e qytetarëve pushteti i pakufizuar i një njeriu, refuzoi të zgjidhej President për një mandat të tretë. Sepse liria kërkon që pushteti të kufizohet edhe në kohë. Doni t’i zbuloni diktatorët e fshehur sa pa u betonuar në pushtet? Shikoni sesa të gatshëm janë ta lënë pushtetin kur ju mbaron mandati. Kush kapet me thonj pas pushtetit, pasi ka qeverisur disa herë, është i rrezikshëm për lirinë, pra edhe për Atdheun dhe duhet larguar. Prandaj kush është patriot nuk e voton më.
***
Kamuflimi i autokratëve me patriotizëm është i lehtë në Shqipëri edhe pse ekziston në masë një mendësi që e percepton tradhtinë kombëtare vetëm te shitja e trojeve, falja e ujërave detare deri edhe te hapja e dyerve për importimin e plehrave nga bota. Këto janë dukuri që me të drejtë klasifikohen si tradhti e interesave të vendit. Por, ndërkaq, nuk ka një ndjeshmëri po kaq të madhe patriotike edhe për akte që shpien nga asgjësimi i lirisë qytetare, që është krimi më i madh që mund t’i bëhet një kombi. Kjo vjen edhe ngaqë asgjësimi i lirisë, bëhet duke thirrur për lirinë e demokracinë dhe në forma më të sofistikuara, jo lehtësisht të perceptueshme nga masa. Sikundër është amendimi i një Kushtetute në atë farë feje që i shërben zgjerimit dhe jo asaj që është themelore për lirinë e qytetarëve, kufizimit të pushtetit të kryeministrit. Këto gjëra, politikanët autokratë kanë tendencë t’i bëjnë sa më fshehtazi. Jo rastësisht amendimin e Kushtetutës, Berisha (i mbështetur verbërisht edhe nga Edi Rama), nxitoi ta bëjë pa konsultime të gjera me shoqërinë civile dhe qytetarët. Sepse nuk donte që shqiptarët të kuptonin se ai po hapte “me ligj” varrin e lirisë së tyre, nuk donte të kuptonin të vërtetën. Dhe ia arriti. Edhe nga mendësia ekzistuese sunduese që nuk e vret fort për lirinë qytetare, si dhe për themelet e saj kushtetuese e ligjore. Në të kundërtën, deklarimet dinake dhe hipokrite për bashkimin kombëtar, Berisha i bëri nga majat e tribunave të 100-vjetorit të Pavarësisë. Sepse donte që shqiptarët ta përthithnin sa më në shumicë gënjeshtrën, demagogjinë patriotike që po ju ekspozonte.
***
Nëse njerëzit e duan lirinë vetëm për të mirat materiale që sjell, atëherë ata do ta braktisin atë në ditë të vështirë – thotë Tukëvili. Ka në këtë pohim diçka të ngjashme me imperativin kategorik të Kantit. Lirinë duhet ta duash për hir të të qenurit i lirë. Të mirën duhet ta bësh, jo thjesht për përfitim personal, por si devocion ndaj detyrës. Ky lloj morali qytetar nuk ka qenë i përhapur në mjedisin shqiptar. Ende nuk është. Prandaj pengesë për të kuptuar thelbin antipatriotik të veprës së Enver Hoxhës janë bërë edhe faktet e zhvillimit material që u evidentuan gjatë viteve të sundimit të tij. Ndonëse tepër inferiore krahasuar me nivelet e zhvillimit material në vende europiane, këto fakte kontrastonin fort me sfondin e mjerimit që Shqipëria trashëgonte nga qeverisjet e mëparshme, përfshi atë të Zogut. Gjë që i dha mjaft vite kohë regjimit që të dukej se po i bënte mirë “popullit” në një kohë që po i bënte keq, po i vriste lirinë. Zhvillimi material, i gërshetuar edhe me izolimin që pamundësonte krahasimin me vendet e tjera, i bëri shumë shqiptarë të ndiheshin më mirë krahasuar me mjerimin e dikurshëm migjenian që regjimi e propagandonte intensivisht, duke e përdorur si sfondin e errët ku shkëlqenin arritjet e socializmit. Gjëra të papara më parë, por normale në çdo vend me pak zhvillim si hekurudhat, hidrocentralet, drita elektrike, shtimi i urbanizmit, zhvillimi i industrial i pleksur me manipulimin mendor dhe kufizimin e lirisë së informacionit, i dhanë regjimit disa dekada në dispozicion që të kamuflohej si patriotik. Dhe arritjet materiale, kur nuk ecin paralel me lirinë, ushqejnë skllavërinë. Madje edhe arritjet në superstrukturë. Mund ta zhdukësh analfabetizmin por, nëse censuron literaturën, nëse kufizon lirinë e shprehjes, të lexuarit shërben vetëm për të përçuar ideologjinë e diktatorit në kokat e njerëzve. Aftësia për vetëmendim mpihet. Kështu vazhduan mbi katër dekada derisa erdhi fundi i pashmangshëm për çdo sistem pa liri, vetëshembja. Por ndërkohë, diktatori Enver Hoxha kish vdekur i qarë nga “populli” që nuk e kuptonte se ai ia kish hedhur duke mbretëruar me devizën: Pas meje kiameti. Dhe kiameti po vazhdon sepse pas tij erdhi një tjetër “patriot” që prej 23 vjetësh po bën politikë e qeveris me po të njëjtën devizë: pas meje kiameti! Dhe pikërisht sepse kiameti po vazhdon, jo pak shqiptarë i drejtohen për shpëtim Enverit në fakt, babait të kiametit. Një dumbabizëm në kurthin e të cilit ka rënë, mjerisht, edhe Rexhep Qosja. Dhe në çdo panegjerizëm për ish-diktatorin, nuk mund të mos zbulosh prirjen e arratisjes nga ky kiamet pa fund por mjerisht, edhe nga ideja apo projekti i lirisë.
Top Channel