Udhëheqësi i demokracisë autike

13/12/2012 00:00

Aleksander Cipa – Viktima shoqëri para një krize apo konsumimi
dëmsjellës politik, duhet të reagojë si qytetare, jo si militante. Kjo
nuk është një këshillë, por formulim i një nevoje të domosdoshme për
shoqërinë shqiptare në ditët e sotme, kur gjendet realisht para një
situate me brirë përkeqësimi, por edhe me zgafella verbërie.

Një nevojë që buron nga rikthimi i formulës së vjetër të tranzicionit postkomunist të përballjes pozitë-opozitë për riciklimin e lojës “Jo e ke ti, jo e kam unë”, duke rishmangur në zgjedhjet e reja një ballafaqim thelbësor projektesh kontrastuese me njëra-tjetrën.

Zoti Kryeministër, që tashmë është individi më uzurpant i ekranit publik dhe privat në vend, ka rinisur një sulm ndaj kundërshtarit të vet politik dhe bllokues, siç e cilëson kreun e socialistëve, zotin Rama.

“Dhe unë ju garantoj ju se deri dje tentonte të mashtronte, se aty ka një debat serioz brenda PS, udhëheqjes së saj për këtë veprimtari të paprecedent bllokuese. Nuk është gjë ajo fotoja me gjethe fiku se ç’është fotoja e tij sot, që bllokoi vendin për marrjen e statusit të integrimit, ajo foto është lule”, u shpreh Kryeministri në mbledhjen e qeverisë dje.

Pasuese në reagimin për përgjegjësi ishte edhe PS me zërin dhe figurën e një zonje të re, në promocion politik. “Nuk ndodh në asnjë vend të Bashkimit Europian që Kryeministri në detyrë të fajësojë opozitën për çdo problem që qeveria është e paaftë të zgjidhë. Dhe për sa kohë ne do të kemi për Kryeministër Sali Berishën, sigurisht që shanset për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian do të jenë të vogla”, tha zonja Milena Harito.

Këto janë qëndrimet e para të dy forcave kryesore të politikës së vendit. Zërat e tjerë janë ende të mungueshëm dhe sipas të gjitha gjasave, do të shfaqen në dasinë klasike “pro dhe kundër”.

Asgjë nuk ndryshon në përgjegjësinë shqiptare për prapambetjet e ripërsëritura të integrimit europian. Një proces që njeh fatkeqësisht pengesat më të gjata në kohë, se në çdo vend ballkanik dhe eurojuglindor. Por me askënd nuk ngjet Shqipëria në itinerarin drejt statusit të vendit kandidat për anëtar në BE. Nuk kemi qoftë edhe një model shteti ballkanik të ngjashëm. Sikundër nuk ngjasim me askënd nga vendet që të kemi një debat për dështimin, sikundër po e le tashmë mes PD-së dhe PS-së ose më mirë mes zotit Berisha dhe zotit Rama. Kush po e riservir këtë skemë të ndenjur të polemikës dhe përgjegjësimit propagandistik në skenën e ndryshkur politike të këtij vendi? Në fakt, kjo më shumë se e ndenjur, është një skenë e qelbur politike. Si e tillë, ajo po ruan statusquonë e saj dhe pa pengesa serioze po ripërgatit një riciklim të shoët elektoral për qershorin e 2013, të ngjashëm për nga regjia dhe antagonizmi si fushatat e epokës së tranzicionit pa krye 22-vjeçar. Nuk duket askush në horizont apo pas kuintave si trazues i kësaj regjie anakronike të pluralizmit tonë të pacilësishëm. Asnjë aktor nuk po shfaqet për t’u ngritur mbi këtë lojë dhe mbi këtë regji. Po ecim, as më pak e as më shumë, në rrjedhën e vonuar të krizës paraprirëse në vendet fqinje, prej të cilave pashmangshmërisht kemi huazuar këtë model. Po ndjekim subjektin e krizës, me kohë dhe cikël më të vonuar se në Greqi dhe Itali. Nuk ka asnjë ndryshim. I vetmi ndryshim është kohëvonesa edhe më rrezikuese, së cilës i nënshtrohemi verbërisht ne shqiptarët.

Vendi po i nënshtrohet fatit të degradimit dhe arbitraritetit që konsumohen deri në fund. Asnjë përpjekje dhe asnjë opsion nuk jep shpresë dhe nuk gjallon kontrast për të renditur dhe jo përballur antagonisht palët në zgjedhje. Ekonomia është aneksi ku fatkeqësisht po përgatiten të papriturat buxhetore, financiare dhe më gjerë për shtetin, shoqërinë dhe në përgjithësi vendin. Terri energjetik po paraprin fushatën elektorale, njësoj si në Shqipërinë e ‘96-s, 2001, 2005 etj… Politika si një kuçedër e vërtetë e ka gjymtuar plotësisht transparencën dhe ka krijuar një hon të pangjashëm me kohë dhe vend tjetër mes besimit dhe mosbesimit ndër qytetarë. Administrata e vendit është e përdhosura si në kohët e politikës së egër. Paaftësia është zotësi e përmbajtjes së keqe dhe demagogjike deri në deformime tronditëse të nëpunësisë publike. Shteti po dëshmohet butaforik vetëm përmes fjalimesh, ndërsa cilësia funksionuese e tij, po përkeqësohet si në momentet e paqartësisë së madhe shoqërore. Ky nuk është perceptim opozitarësh, por është pohimi më i madh i të heshturve të cilët, në Shqipërinë që sapo i është shtyrë refuzueshëm sërish statusi i vendit kandidat, për në BE, fatkeqësisht nuk po formësojnë një alternativë reagimi apo llogarikërkimi.

Shqipëria po rivihet sërish para detyrimit për të zgjedhur mes konkurruesit të vjetër politik dhe një konkurruesi të ri, i cili s’arrin prej kohësh të bëjë potencial dallimin dhe të ketë peshën specifike të tërheqjes energjike të karros së vjetër, e jo më të na bëjë një makinë të re!.

Ka rënë “bilbili” i Europës institucionale për një humbje të rëndë, apo për një skualifikim tronditës për qeverisjen dhe lidershipin politik të vendit. Askush nuk ngrihet në nivelin e ndërgjegjes natyrale qytetare për një dorëheqje apo meakulpa. Natyrisht s’kanë asgjë volteriane, por së paku të kishin paksa skrupullsi. Alibikë në gjithë jetën e vet politike, por më së keqi, edhe kërcënues kur u ka mbetur vetëm cilësia e llogaridhënies publike. Pas refuzimit nga BE, në Shqipërinë e 2012-s duhet të funksiononte mekanizmi i dorëheqjes politike dhe i reflektimit kokulur. Por kjo është utopi. Një klasë që sillet realisht si pari bajraktare para një shoqërie që duket se ka rënë në pozitën fatale të një demokracie autike.

Shqipëria e zgjedhjeve të 2013-s është para disa krizash. Ndër to, më trishtuesja është ajo që në miniaturë imiton atë të Italisë fqinjë, ku në skenë rikthehet kavalieri i plakur Berluskon, por që e bën edhe më të largët shpresën italo-europiane për zotërim të krizave.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA