Durrës, sekuestrohen rreth 800 kg kanabis

13/12/2012 22:15

Një sasi e konsiderueshme bime narkotike kanabis sativa është sekuestruar mbrëmjen e së enjtes në portin detar të Durrësit.

Shërbimet e policisë së kufirit dhe antidrogës në port kanë ndaluar drejtuesin e trajlerit, shtetasin Ermir Mehmeti, 40 vjeç nga Durrësi, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e drejtuar prej tij u gjetën të fshehura, në mes të ngarkesës me pllaka guri, pakot me bimën narkotike.

Ngarkesa është sekuestruar në bazë të një informacioni të marrë në rrugë operative, se një sasi kanabis do të trafikohej drejt Italisë, përmes tragetit të linjës Durrës-Trieste.

Nga kontrolli i ushtruar në trajlerin me targa të kokës, DR 1154 F, dhe targa të trajlerit, DR 2036 F, është gjetur sasia e mallit të ndaluar, që paraprakisht deklarohet se peshon afro 800 kilogram, ndërkohë që punohet për të zbuluar origjinën e bimës narkotike dhe pritësin e mallit në shtetin fqinj.

Një tjetër sasi e konsiderueshme kanabis sativa, mbi 1000 kg, u sekuestrua pak muaj më parë, e fshehur brenda një ngarkese tullash dekorative dhe pas hetimeve paraprake.

Top Channel