Lezhë, vranë 17-vjeçarin, ndalohen dy autorët

12/12/2012 00:00

Policia e Lezhës ka vënë në pranga dy të rinj, që dyshohet se janë
autorët e vrasjes së 17-vjeçarit Daniel Bardhoci, ngjarje kjo e ndodhur
mbrëmjen e 4 shtatorit.

Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale mësohet se janë arrestuar Evaristo Marashi, 19 vjeç dhe Aleksandër Sallaku, 32 vjeç nga fshati Markatomaj. Ata ishin shpallur në kërkim që prej datës 4 shtator dhe vetëm sot është bërë e mundur prangosja e tyre.

Vrasja e 17-vjeçarit ndodhi për motive banale, pas një sherri mes dy grupe të rinjsh. Ata janë konfliktuar fillimisht në fshatin Kallmet të Lezhës, ku janë rrahur me grushte dhe mjete rrethanore për motive banale. Pas konfliktit të paradites, rreth orës 20:00, Daniel Bardhoci, së bashku me Valdo Markun po ktheheshin nga Lezha në banesën e tyre në Kallmet. Rrugës, ata kanë hasur në një pritë. Sipas të njëjtave burime të policisë lokale mësohet e Bardhoci dhe Marku po udhëtonin me një mjet tip “Volkswagen”, ndërkohë që përballë tyre ka ardhur një tjetër makinë tip “Mercedes Benz”. Me t’u afruar mjeti, në drejtim të dy personave të lartpërmendur është qëlluar pa paralajmërim me breshëri automatike dhe me një pistoletë. Për pasojë Bardhoci ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa bashkëmoshatari i tij, Marku mbeti i plagosur.

Një muaj më pas, policia e Lezhës ndaloi Lek Sallakun, 33 vjeç, nga fshati Blinisht, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar për vrasjen e 17-vjeçarit Bardhoci dhe plagosjen e bashkëmoshatarit të tij. Sallaku është një person me të meta dhe dyshohet se krimin e ka kryer në bashkëpunim me nipin e tij, Aleksandër Sallakun.

Top Channel