Franca: Plotësoni detyrimet e BE-së

11/12/2012 23:20

Pas Këshillit të çështjeve të përgjithshme, ministri francez i shtetit për çështjet europiane, Bernard Cazaneuve, shpjegoi për TCH se për Francën, perspektiva europiane e Shqipërisë mbetet e hapur, për sa kohë vendi është i aftë të përmbushë deri në fund reformat.

Sipas ministrit francez, zgjedhjet e ardhshme përbëjnë një test për këtë perspektivë.

“Perspektiva europiane për Shqipërinë është e mundur dhe e dëshirueshme. Si për shumicën e vendeve, që pretendojnë këtë perspektivë, ajo kushtëzohet nga disa reforma. Ka patur reforma që janë bërë në Shqipëri, që tregojnë se vendi shkon në drejtimin e duhur, por mbeten ende reforma për t’u bërë. Duhet që Shqipëria ta dijë se kjo perspektivë është e hapur, për sa kohë ajo do të jetë e aftë për t’u shkuar deri në fund reformave”, tha Bernard Cazaneuve, ministri francez i shtetit për çështjet europiane.

TCH: Sa i rëndësishëm është elementi i zgjedhjeve të vitit të ardhshëm?

Bernard Cazaneuve: “Zgjedhjet përbëjnë një test në këtë perspektivë”.

Gjatë konferencës për shtyp, ministri francez deklaroi se qëndrimi i Francës, ndaj politikës së zgjerimit me të gjitha vendet aspirante, bazohet në nxitjen e këtyre vendeve për t’u reformuar dhe për të plotësuar në mënyrë koherente detyrimet e BE-së.

Strategjia e Zgjerimit

Komisioni do shprehet në pranverë për Serbinë, Kosovën e Maqedoninë

Ministrat e çështjeve europiane miratuan të martën konkluzionet zyrtare për stategjinë e zgjerimit 2012-2013, pa vendime pozitive për Shqipërinë dhe vende të tjera të rajonit.

Pa ndryshime nga draft-konkluzionet e publikuara nga TCH një ditë më parë, për të shqyrtuar çështjen e statusit të Shqipërisë, Këshilli fton Komisionin të raportojë, me t’u plotësuar tre çështjet e mbetura, së bashku me rezultatet në luftën kundër krimit e korrupsionit. Në pjesën e qëndrimit të vendeve anëtare u përfshi edhe testi i zgjedhjeve.

Megjithë raportimin pozitiv të ndërmjetësueses Ashton, rezultatet e dialogut mes kryeministrave Thaçi e Daçiç nuk i ndihmuan Serbisë dhe Kosovës. Nëse zbaton më parë angazhimet e marra gjatë dialogut, të cilat do të vlerësohen në pranverë nga Komisioni, në mesin e vitit 2013 Serbisë mund t’i jepet një datë për çeljen e negociatave me BE-në.

Për Kosovën, vendet anëtare “vërejnë” synimin e Komisionit për të propozuar direktivat negociuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, pas raportimit të Komisionit për përmbushjen e kushteve afatshkurtra në fushën e shtetit të së drejtës, tregtisë, administratës publike, e mbrojtjes së minoriteteve.

Çelja e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë u bllokua për të katërtin vit radhazi, e për marrjen në konsideratë në të ardhmen, Komisioni u ftua të raportojë në pranverë, ndër të tjera, në lidhje me politikën e fqinjësinë së mirë dhe ecurinë e zgjidhjes së çështjes së emrit mes Greqisë e Maqedonisë.

Përgatiti: Ernest BUNGURI
 

Top Channel