Pas zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, Kosova do të dërgojë ambasadorin e saj në Serbi.

“Krerët e institucioneve qendrore janë në fazën finale të përzgjedhjes së emrit, i cili do të përfaqësojë Kosovën, për herë të parë, në Republikën e Serbisë, në cilësinë e diplomatit me gradën ambasador”, tha për Top Channel një zyrtar i lartë institucional, në kushte anonimiteti.

Ai bëri të ditur se personi, i cili do të shkojë në Serbi, bazuar në marrëveshjen e arritur në Bruksel për hapjen e zyrave ndërlidhëse, do të jetë me mision të plotë diplomatik, rrjedhimisht do t’i kryejë të gjitha detyrimet e përshkruara në ligjin për shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Përveç përshkrimit të detyres, e cila është sikurse e secilit ambasador tjetër, edhe detajet e tjera, si paga apo trajtimi i familjes, do të bëhen në mënyrë të barabartë, thonë zyrtarë të institucioneve.

Aktualisht, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, kanë para vetes pesë emra të diplomatëve të rinj, të cilët janë duke ushtruar detyrën e ambasadorit në shtete të tjera.

Bëhet fjalë për ambasadoren e Kosovës në Çeki, Ariana Zherka, ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Valdet Sadiku, atë në Bruksel, Ilir Dugolli, dhe atë në Suedi, Lulzim Peci. Si emër i përshtatshëm për ambasador në Beograd është edhe shefi i misionit diplomatik në Maqedoni, Ylber Hysa, i cili këtë detyrë e mori në prill të këtij viti.

Ndërkaq, që para se të emërohej ambasador në Maqedoni, Hysa ushtronte detyrën e koordinatorit të qeverisë për zbatimin e një strategjie në veriun e Kosovës.

Burime të tjera bëjnë të ditur, që gjasat për dërgim në Beograd i kanë më shumë ata ambasadorë, të cilët janë në përfundim të mandatit 4-vjeçar, si për shembull Ilir Dugolli, apo Valdet Sadiku, por nuk përjashtohet edhe mundësia e tërheqjes së ndonjërit, që sapo ka filluar punën në ndonjë shtet tjetër, siç është Ylber Hysa në Shkup apo Ariana Zherka në Pragë.

E gjithë kjo po bëhet pavarësisht qëndrimit zyrtar të Beogradit kundër Pavarësisë së Kosovës. Sidoqoftë, hapja e zyrave ndërlidhese konsiderohet si një nga hapat e parë të rëndësishëm për përmirësimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, të parashkruara edhe në axhendën e baroneshës Catherine Ashton, në bisedimet mes palëve.

Top Channel