Si do të sillet Kuvendi me rezolutën për çështjen çame

10/12/2012 00:00

Mustafa Nano – Ka kohë që flitet për një projektrezolutë mbi çështjen
çame, të cilën Partia për Drejtësi, Integrim e Unitet (që de facto ka
lindur për të mbrojtur çamët e çështjen çame) e ka hartuar për ta
paraqitur e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Ka qenë Shpëtim Idrizi që e ka bërë këtë si premtim më së pari, por duke qenë se koha kalonte e projektrezoluta nuk dukej, u mendua se edhe kjo nismë u shkërrmoq nga ruli i interesave klienteliste që mbajnë të lidhur koalicionin qeverisës. Por gazetat e djeshme bënin me dije se projektrezoluta është gati, e do të paraqitet të hënën në Kuvend. Madje, projektrezoluta u publikua e plotë qysh dje në një numër sitesh.

Kush e ka lexuar kupton se ajo është hartuar nga një dorë e kujdesshme prej eksperti; madje, gjasat janë që ajo të ketë kaluar në shumë duar përpara se të publikohej, e përpara se të jetë vendosur për ta përcjellë në Kuvend. Sigurisht, secili mund ta hartonte ndryshe këtë projektrezolutë, por meraku i atyre që e kanë shkruar ka qenë (kjo është përshtypja) të ndërtohet një “impiant”, të cilit nuk mund t’i thuhet “jo” nga fraksionet parlamentare. Nuk është se kërkesat nuk janë të qarta. Përkundrazi, për herë të parë bëhet e qartë ajo që çamët kërkojnë: 1. njohjen e të gjithë të drejtave të shqiptarëve çamë, dikur nënshtetas grekë, në përputhje me rrethanat e reja, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi gjenocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to, si dhe frymën e Traktatit të miqësisë midis dy vendeve; 2. rivendosjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë, ish-shtetas grekë, që përfshin rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë, dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare; 3. shfuqizimin shprehimisht të ligjit grek të Luftës nr. 2636 dhe 2637/1940 i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940 akoma në fuqi, në veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive shqiptare etj., etj. Këto kërkesa, me t’u miratuar projektrezoluta në Kuvend, shndërrohen në plan pune për qeverinë e ministritë e Republikës së Shqipërisë.

Pyetja e madhe në këtë mes është: Do të miratohet kjo rezolutë në Kuvend? Përgjigjja nuk është dhe aq e thjeshtë. Deputetët e mazhorancës e të opozitës (duke përjashtuar do deputetë, të cilët nuk e kanë fshehur se irritohen sapo përmendet ‘çështja çame’) do të ndodhen në një situatë të vështirë ‘sandëich’, d.m.th nga njëra anë do të trysen nga bindja e tyre se kjo çështje ekziston, është e drejtë e kërkon një zgjidhje (të paktën, këtë kanë lënë të kuptohet se mendojnë lidhur me të), dhe nga ana tjetër do të jenë nën presione të tjera të leadershipit, të cilit do t’i duhet të bëjë Real-politikë, apo dhe nën shqetësimin që vetë ata ndiejnë lidhur me një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Greqisë për shkak të kësaj rezolute që synon të vërë pikat mbi “i” e që synon të përfshijë Parlamentin për herë të parë në një “sherr” të tillë.

Greqia ka demonstruar më se njëherë se, nëse ka një argument që e bezdis e që ia cingëris nervat në planin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, ky argument e ka emrin “çështja çame”. Ministri Panariti e ka përmendur këtë çështje pas shumë kohësh në negociata me homologun grek, por së pari ka marrë përgjigjen e njohur, dhe së dyti – këtë gjë e morëm vesh tani, dhe nga goja e vetë ministrit tonë – ngritja e kësaj çështjeje është bërë pas ftesës që ministri i Jashtëm grek i ka bërë Panaritit “për të mos e frenuar gjuhën e për të hedhur të gjitha shqetësimet e problemet në tryezën e bisedimeve”. Përveç kësaj, pardje ishte zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke që u bë i gjallë lidhur me këtë temë (duhet të ketë qenë lajmi mbi rezolutën që e ka bërë të dalë e të flasë për gazetarët). Dhe çfarë ai tha, nuk përbën më surprizë: “Nuk ka një çështje çame. Kush ka halle, mund të shkojë e të kërkojë zgjidhje në gjykata”.

Përsërisim pyetjen: Si do të votojnë deputetët tanë? E vërteta është që kjo rezolutë ka ardhur në një kohë paraelektorale, kur nacionalizmi shqiptar po përjeton momentum-in e vet. Nuk ka mbetur njeri pa u përfshirë nga gjeratorja e këtij nacionalizmi, që në shumë raste ka pasur ngjyra e prerje folklorike. Më folkloriku nga të gjitha ka qenë Kryeministri Berisha, i cili, pas një periudhe disavjeçare të një “dizintoksikimi patriotik”, na la të gjithëve pa mend, teksa na u shfaq krejt papritur i kapur nga një dalldi nacionaliste, duke sjellë reagimin e fortë e të menjëhershëm të fqinjëve.

Një dreq e di nëse kjo rezolutë e Idrizit ka marrë ok-in e Berishës, por nëse s’e ka marrë, ky i fundit është në një pozitë të palakmueshme. Në një pozitë të tillë janë dhe eksponentë të tjerë të politikës e Kuvendit, por secili syresh mund të ketë “alibi” më të mira sesa një Kryeministër në raste të tilla. Miratimi i kësaj rezolute në Parlament do të merrej si një gjest ku e ku më provokativ (nga Athinën zyrtare) se sa hartimet patriotike që ka recituar këto ditë. Kjo rezolutë do t’i hapë punë në marrëdhëniet me grekët, të cilat ai ka bërë çmos t’i mbajë të ngrohta. Këta të fundit mund të mbyllin një sy e një vesh përballë çaprashitjeve të padëmshme nacionaliste të njeriut që u është bërë urë e që s’ua ka prishur asnjëherë në periudhën 2005-2012, por kanë për të reaguar në mënyrë idhnake në rrethanat që kjo rezolutë do të miratohet. Është i gatshëm dhe në gjendje Berisha t’u japë përgjigjen e duhur këtyre reagimeve?

Nga ana tjetër, nëse Berisha nuk e miraton këtë rezolutë, atëherë do t’i duhet të na shpjegojë se si mund të pajtohet nacionalizmi i tij deklarativ që përbëri scoop-in e këtyre ditëve me “jo”-në ndaj një rezolute krejt të pafajshme për të gjithë ata që kanë pak nerv atdhetar. Shkurt, refuzimi i kësaj rezolute mund t’ia heqë aty për aty kallajin nacionalistit putativ Berisha. Si do të veprojë Kryeministri? Kjo është pikëpyetja më e rëndësishme në këtë histori. Do duhet të presim vetëm pak për ta marrë vesh këtë gjë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA