Rinas, arrestohet nënkomisar Çelmeta

10/12/2012 22:05

Pas një hetimi intensiv disa mujor, strukturat e hetimit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Ministrisë së Brendshme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, arrestuan punonjësin e policisë, nënkomisar Eduart Çelmeta.

Ai ishte kontrollor në Komisariatin e Policisë së Kufirit&Migracionit, Aeroporti Rinas. Sipas Ministrisë së Brendshme, e cila servir edhe këto pamje gjatë momentit të arrestimit të tij, Çelmeta akuzohet për veprat penale, “korrupsion pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorim i detyrës”.

Ministria njoftoi se i arrestuari Çelmeta, në mënyrë të vazhdueshme, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, në këmbim të përfitimeve të paligjshme financiare, në shuma që variojnë nga 400€ deri në 500€, ka lejuar kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror në Aeroportin e Rinasit, të shtetasve të ndryshëm.

Për të arrestuarin, n/komisar Eduart Çelmeta, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kishte vendosur masën e sigurimit “arrest në burg”.

Top Channel