Optimizmi i Ministrit të Financave dhe tullumbacja e fryrë e borxhit publik

09/12/2012 00:00

Mustafa Nano – Dje (të premten) Ministri i Financave, Ridvan
Bode, në përgjigje të shqetësimeve të ngritura lidhur me projektbuxhetin
për vitin 2013 (sa pak vend po zë ky argument në debatin e ditës;
gazetat e djeshme, me fare pak përjashtime, merreshin me “seksin e
ëngjëjve”, e jo me projektbuxhetin), u shfaq i qetë. Të jepte
përshtypjen se gjendja e financave të vendit është si jo më mirë.
Përmendi ca shifra, të cilat flasin në favor të optimizmit që ai
demonstroi, por duket se e ka bërë të vetin vesin e bartur nga boss-i i
tij, d.m.th. evidenton në një dritë pozitive shifra e të dhëna në nivel
krahasimor, të cilat edhe kur janë të vërteta, nuk kanë ndonjë rëndësi
kushedi se çfarë në ekuacionin e përgjithshëm të ekonomisë e të
financave.

Ja çfarë tha ai, fjala vjen: “Në kohën e krizës, Shqipëria ka performuar pozitivisht [me një rritje] 3.3% në 4 vite, [në një kohë që] mesatarja e rajonit është 0.8%. Në vitin 2004 Shqipëria kishte 0.4% rritje më të madhe se rajoni, [ndërsa] tani kemi 2.5% më shumë nga rajoni.”

Po e ilustroj idenë time edhe me një shembull të dytë nga fjala e Bodes: “Rritja e të ardhurave gjatë krizës [ka qenë] 4.4%, [në një kohë që] rajoni e ka pasur 1.8%.” Ja dhe dy pohime të tjera të tij lidhur me deficitin e borxhin publik: “1. Gjatë kohës së krizës e kemi ulur [deficitin] si mesatare [në një kohë që] që ekonomitë e rajonit e kanë rritur me 2% deficitin gjatë krizës. Po të kthehemi në vitin 2004, ju e latë me 5% kur rajoni e kishte 2.2%. Dhe 2. [Borxhi publik] ka qenë i lartë për vendin edhe kur ju u larguat; ndërkohë që borxhi i rajonit ishte 44%, ju e latë me më shumë se 50%. Ne e kemi rritur me 3.7%, në periudhën e krizës, po e krahasoj me veten tonë, e jo me kohën tuaj, ndërkohë që rajoni e ka rritur 11%.”

Siç shihet, nuk dëgjuam nga ministri i Financave të na thotë se punët nuk janë dhe aq mirë, se efektet e krizës po duken gjithnjë e më qartë, se kriza europiane që nuk ka të ndalur mund t’na e përkeqësojë situatën; përkundrazi, dëgjuam të na thotë fraza të ekzaltuara të llojit “po e mbajmë vendin në krye të vendeve të rajonit në rritje ekonomike”, të cilat i mbështeti me mesatare të dhënash të 4-5 viteve të krizës, të cilat (mesataret) ‘ponderohen’ mirë nga viti me rritje të mirë i ekonomisë sonë, në kohën që kriza s’kish mbërritur akoma.

Po pse, nuk janë të vërteta këto që thotë Bode? Nuk kam arsye të dyshoj te të dhënat e përqindjet që jep ministri, por problemi nuk është ky; problemi është se këto shifra nuk kanë rëndësinë që kanë shifra të tjera, të cilat Bode nuk i përmend. E ka bërë stil të vetin tanimë fshehjen e realitetit, mirëpo financat e një vendi nuk janë karta bixhozi që mund të fshihen duke bërë escamotage. Tabloja financiare e vendit mund të maskohet e të trukohet për një moment, por vjen një moment tjetër kur të dalin të palarat në shesh. Greqia na e dha këtë leksion.

Po çfarë do të duhej të thosh Bode? Shumë gjëra. E duhet të ndalej sidomos te borxhi publik. Për të na dhënë ca sqarime. Në një dokument të qeverisë të miratuar në gusht të vitit 2012 (siç shihet, nuk ka shumë kohë që është miratuar), merrej zotimi se tavani i borxhit publik do të ruhet në nivelin nën 60% të GDP-së, dhe niveli i deficitit publik do të ruhet nën 3% të GDP-së. Mirëpo, ja ku jemi, në rrethanat që po diskutohet projektbuxheti i vitit të ardhshëm (rrethana më e mirë ku mund të tregohet se mund t’i mbahesh një zotimi të tillë), dhe na rezulton që po ndodh krejt e kundërta. Borxhi është parashikuar që të kapë nivelin 62,7% të GDP-së. Dhe në këtë mes nuk kemi të bëjmë me ndonjë shifër spekulative të kushedi se kujt. Jo, është shifra e pranuar edhe e parashikuar nga vetë qeveria, gjë që na bën të mendojmë se ky borxh mund të jetë më i thellë nëse marrim në konsideratë dhe ca borxhe të padeklaruara që qeveria i ka ndaj biznesit të vuvët e të nënshtruar lokal.

Ky është zhvillimi më interesant (interesant në këtë rast do të thotë ‘katastrofik’) në këtë projektbuxhet. Bode mund të përdorë sa të dojë e si të dojë logjikën krahasimore për të nxjerrë se viti 2012 është më i mirë se viti 2004 (edhe një fëmijë mund ta bëjë me sukses këtë lojë), por ai do bënte mirë të na thosh në këtë pikë se ç’do të thotë për ne ky borxh, dhe pse nuk iu mbajt zotimit që ka marrë vetëm pak muaj më parë.

Sigurisht, ekonomia jonë është në një gjendje të rëndë, rrjedhimisht ajo ka nevojë të ushqehet me pará e me investime, përndryshe, gjendja mund të bëhet më e rëndë; në këtë kuptim, një borxh i rritur mund të jetë një mënyrë për të ndalur asfiksimin për fare të ekonomisë. E prandaj, faji nuk është i këtij Bodeje që e çon borxhin në këtë nivel, por i Bodes që nuk ka ditur t’i vërë fre rritjes së borxhit gjatë këtyre tetë viteve. Është edhe i tij Bodeje që nuk na thotë se një nivel i tillë borxhi për ekonominë shqiptare bart një mal me rreziqe për të sotmen e për të nesërmen.

Unë thashë pak më sipër, se ekonomia ka nevojë të ushqehet me pará në këtë situatë, por ky nuk është rasti i projektbuxhetit tonë për vitin e ardhshëm. Shpenzimet në të parashikohen të rriten me 30 miliardë lekë, e më e bukura është se rreth 60% e këtyre shpenzimeve shtesë shkon për të paguar borxhin publik dhe për qoka qeveritare në vitin elektoral (prerje shiritash për ndonjë rrugë rurale, dhe rritje rrogash e pensionesh me 2-3%). Është e rëndësishme të theksohet se kostoja vjetore e borxhit publik që na ka gatuar Bode është rreth 70 miliardë lekë; po kaq është edhe shuma e parave që do të hidhen për investime publike. Jemi pra në një rreth vicioz: “Neve na duhen pará për t’i dhënë ‘gjak’ ekonomisë së sëmurë; këto pará nuk i garantojmë dot nga të ardhurat (Bode ka parashikuar rritje të ardhurash, por gjasat janë që gjatë vitit të ardhshëm të bëhet disa herë rishikimi i buxhetit pikërisht ngaqë të ardhurat e parashikuara nuk do të mblidhen, siç ka ndodhur rëndom); i bie që t’i sigurojmë duke marrë borxh; mirëpo, rritja e borxhit, sidomos kur ekonomia na ngec në vendnumëro, na çon vetvetiu në situatën që do të na duhet të marrim borxh për të larë borxhet”.

Të na rrojë Ridvani, atëherë, tok me dënglat e tij!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA