Kosta Barjaba – Disa herë gjatë debatit publik përfaqësues të qeverisë kanë dashur ta lënë mungesën e reformës së pensioneve në pragun e derës së opozitës. Duke qenë se kjo mungesë është, për qeverinë, shkaku i rrënimit të skemës së pensioneve, qeveria synon të hedhë mbi opozitën dy gurë: duke e quajtur atë edhe shkaktuese të rrënimit të skemës, edhe penguese të reformës. Fatkeqësia është se politikat, në fakt, duhet thënë propaganda e qeverisë, mbi skemën e pensioneve, janë ndërtuar mbi fakte të gënjeshtërta dhe përbëjnë, as më shumë e as më pak, mashtrime publike.
1. Mashtrimi i parë: opozita pengon reformën e qeverisë dhe Bankës Botërore
Mashtrimi i parë ka të bëjë me të ashtuquajturën “pengesë” të opozitës për reformimin e sistemit. Kjo është akuza që të gjithë përfaqësuesit e mazhorancës, legjislatorë dhe ekzekutivë, lëshojnë si kamerdare shpëtimi sa herë që vihen publikisht para faktit përse skema e pensioneve po shkon drejt rrënimit. Akuza është aq e vjetër sa edhe paaftësia e kësaj qeverie. Ajo ka shoqëruar qëndrimet zyrtare mbi skemën e pensioneve gjatë dy termave të fundit qeverisës. Në fakt, çështje të skemës së pensioneve janë diskutuar disa herë gjatë termit të mëparshëm, por ka qenë qeveria vetë që i ka pushuar nismat e saj, duke u kufizuar në disa masa sporadike dhe populiste, siç është ulja e kontributeve për punëdhënësit dhe rritja e sforcuar e përfitimit. Arsyeja ishte e thjeshtë: sa herë që konturoheshin pikat e referencës së reformës, afronin fushatat zgjedhore. Ishte trysnia e zgjedhjeve të 2007, 2009 dhe 2011 dhe dëshira agresive e mazhorancës për të fituar edhe kur e meriton të humbasë, që e spostoi kalendarin e reformave të kësaj qeverie dhe jo mungesa e vullnetit të opozitës. Që të pretendojë se ka përgatitur reformën, qeveria duhet të ketë gati paketën e saj. A e ka përgatitur këtë paketë? Opozita nuk ka asnjë dijeni. Grupit parlamentar socialist nuk i është dorëzuar asnjë dokument i tillë. Asnjë prej përfaqësuesve të opozitës në komisionet përkatëse parlamentare (ligjet, ekonomia, çështjet sociale) nuk e ka marrë në dorë këtë dokument, që qeveria thotë se e ka gati. Për këtë çështje nuk ka dijeni asnjë prej forumeve drejtuese të Partisë Socialiste. Ku është atëherë paketa e reformës? Në sirtarët e qeverisë, duke pritur të kalojnë zgjedhjet e radhës. Më i rëndë se kjo gënjeshtër është spekulimi se opozita është edhe kundër Bankës Botërore, e cila është bashkautore e reformës. Me siguri qeveria e ka fjalën për studimin “Rishikimi i sistemit të sigurimeve shoqërore në Shqipëri”, i kryer në vitin 2006, me konsulencën e Bankës Botërore. Por ky është studim dhe jo paketë reformash. Vlerësimi i ecurisë së reformave të sistemit të mbrojtjes shoqërore në Shqipëri është një procedurë e zakonshme e bankës. Por në asnjë qëndrim publik zyra e Bankës Botërore në Tiranë nuk ka pohuar se është përgatitur paketa e reformës së pensioneve dhe opozita e ka refuzuar atë. Orvatja e qeverisë për të përfshirë në debatin politik Bankën Botërore nuk e lehtëson, por e rëndon pozitën e saj. Duke u ekspozuar para publikut e paaftë dhe mashtruese, qeveria s’bën gjë tjetër veçse vizaton portretin e saj të vërtetë.
2. Mashtrimi i dytë: skema është e qëndrueshme
Mashtrimi i dytë ka të bëjë me fshehjen për qëllime politike dhe elektorale të gjendjes reale të skemës, e cila po shkon drejt rrënimit. Pra, ka një kontradiktë midis natyrës së skemës dhe menaxhimit e funksionimit të saj. Shqipëria ka ligjërisht një sistem të sigurimeve shoqërore të detyrueshëm, publik, me mbulim universal, i plotësuar nga një kolonë suplementare vullnetare, e cila është ende latente dhe anemike. Për nga natyra e saj, skema e pensioneve në Shqipëri është kryesisht kontributive. Kjo do të thotë që pagesat për pensionet të mbulohen kryesisht nga kontributet. Por skema funksionon kryesisht si një skemë e financuar nga buxheti i shtetit. Subvencionet e shtetit paguajnë jo vetëm skemën suplementare (përfitimet për funksionet e larta kushtetuese, shërbimin civil, ushtarakët, shërbimin informativ), dhe pensionet e veçanta (për ish-luftëtarët, personalitetet, ish të përndjekurit), por edhe pensionet e pleqërisë. Qeveria detyrohet të subvencionojë skemën për shkak të paaftësisë së agjencive të saj për të mbledhur kontributet. Aktualisht subvencionet nga buxheti i shtetit përballojnë rreth 45 për qind të fondit të pensioneve (të të gjitha llojeve). Nga 18 miliardë lekë në vitin 2006, arritën në 38 miliardë më 2011-n, duke u rritur mesatarisht me rreth 40 milionë USD në vit. Kjo mazhorancë e mori në dorëzim skemën e pensioneve pothuajse pa deficit, ndërsa aktualisht deficiti ka arritur në rreth 18 për qind ose rreth 1.6 për qind e PBB-së. Por alokimi i financimeve buxhetore të konsiderueshme rrëmben burime që mund të përdoreshin për investime ose shërbime publike e sociale për pensionistët. Në vend që të mashtrojë me rritjen fiktive të pensioneve reale, qeveria duhet të japë përgjigje pse ndodh kjo.
3. Mashtrimi i tretë: fshehja pas rritjes nominale të pensioneve
Rritja e pensioneve është një ndër vargjet më të recituara të qeverisë. Por ajo i shmanget pyetjes nëse pensionet i afrohen apo i largohen minimumit jetik të popullsisë. Edhe pse qeveria nuk e ka njohur ende detyrimin ligjor për llogaritjen, shpalljen dhe garantimin e minimumit jetik, rritja e pensioneve nuk e përballon rritjen e kostos së jetesës për pensionistët. Nëse krahasojmë ritmet e rritjes së pensioneve me ritmet e rritjes së çmimeve të disa mallrave të shportës, rezulton se mirëqenia e pensionistëve është ulur të paktën tri herë në krahasim me vitin 2008.
Pra, rritja galopante e çmimeve zhvlerëson dita-ditës rritjen thërrimore të pensioneve dhe përkeqëson jetën e pensionistëve. Duke i nxjerrë bojën edhe mashtrimit të tretë të qeverisë.
Top Channel