Artan Mullaj – Shpërfillja e “ligjit të shkakut dhe pasojës”, që është çelësi magjik i shpjegimit të gjërave në dorën e njeriut, është arsyeja se përse në Shqipëri ndodh që përfundimet dhe perceptimet të sundohen nga paqartësia.
Mjegullnaja te ne lind pikërisht për shkak të deformimit të kësaj ligjësie. Ne shohim pasojat në formën e problemeve marrafrymëse në vend! Të gjithë, si mes një verbërie, nuk bëjmë gjë tjetër veçse nxitimthi, emërtojmë si “shkaqe” pasojat e këtyre problemeve. Kush është shkaku i varfërisë? Kriza. Kush është shkaku i babëzisë dhe pabarazisë? Politika. Kush është shkaku i papunësisë? Qeveria. Por ndërkohë, shkaqet e vërteta, mund të mos jenë këto. Shkaqet e vërteta mund të jenë edhe ato pasoja shkaqesh të tjera e misterioze, që nuk imagjinohen askund nga askush dhe shoqëria sillet vërdallë në vorbullën vicioze të pamundësisë për të kuptuar vijën ndarëse mes pasojave dhe shkaqeve të vërteta. Mos shkaqet e degradimit historik që jetojmë janë vetë pasojat? Mos ndoshta, e kundërta ndodh dhe kriza nuk është shkaku, por është pasojë e varfërisë? Mosqeverisja e keqe, aty ku duket si shkak në fakt mund të jetë pasojë e papunësisë dhe mungesës së elitës? Kjo mjegullnajë mund të supozohet normale përgjatë një periudhe të gjatë tranzicioni, për një komb të brishtë, si jemi ne shqiptarët: krijesa të zhytura thellë në llumin e përditshmërisë, që me sa duket e kanë humbur betejën kolektive të vendosjes së gjërave në vendin e tyre. Të vesh gjërat në vendin e tyre do të thotë të ndash drejt problemeve të mëdha, të cilat aktualisht janë pasojat e mëdha, nga shkaqet e mëdha, por edhe nga zgjidhja e tyre.
Kush janë pasojat? Realiteti ynë. Në pamje të parë ato duken qartë: të gjitha bashkë janë imazhi i Shqipërisë në sytë e shqiptarëve dhe në sytë e të huajve, në trajtën e një mozaiku të shëmtuar, që gjeneron tension. Pasojë është varfëria dhe të tjerat me radhë!… Injoranca, shteti privat, elita e munguar. Pasoja janë problemet ekstreme sociale, emigrantët jetimë, papunësia, pisllëku, hajdutëria, harbutëria, padrejtësia, pandershmëria, gjithë ato gjëra që e kanë bërë botën shqiptare një strehë jo të gëzueshme.
Për ta thjeshtuar analizën, shtrojmë pyetjen: Pse ka kaq shumë varfëri dhe padrejtësi në Shqipëri? Pse shoqëria sundohet nga një shtet privat banditësh e mercenarësh dhe nuk drejtohet nga një shtet human e publik? Pse ky vend nuk prodhon veçse politikë të keqe dhe personazhe mediokre publike? Për ç’arsye shqiptarët janë detyruar të shpallin se janë të paaftë të rregullojnë si duhet punët, familjet dhe jetën e tyre? Janë pyetje të thjeshta? Sigurisht! Por ato provokojnë dilema të mëdha. Është si të hysh me qiri në një shpellë akulli në Antarktidë dhe të kuptosh prej formës së akujve pse arinjtë polarë atje janë të bardhë. P.sh, shumë shqiptarë mendojnë që fajin për mizerjen e tyre e ka Saliu, por nuk janë pak ata që e shikojnë Saliun si një nip të frymëzuar të Skënderbeut. Të tjerë e shikojnë ndërkaq kryetarin e opozitës si një dhimbje vaksine, dhe të tjerë, gurë të shpërndarë “mozaiku”, fantazojnë kreun e LSI-së, ose si etalonin spektakolar të tradhtisë, ose si shembullin më të lartë të krenarisë, e kështu me radhë. …..Perceptimet janë pasoja, por ka një veçori kombëtare te ne: Pasojat janë aq më të qarta, sa më të paqarta janë shkaqet që ato i kanë sjellë.
Ajo që mund të thuhet përmbledhur, është kjo gjë: Shqiptarët e tranzicionit i kanë bërë një barrikadë të heshtur natyrës, e cila, sipas ligjit të SHKAKUT DHE PASOJËS, e ka vënë sojin njerëzor nën drejtimin e dy mësuesve sovranë, që janë, DHIMBJA DHE KËNAQËSIA. Shqiptarët e përçarë, të lodhur dhe të zhgënjyer, përkundrazi, drejtohen nga NËNSHTRIMI dhe MILITANTIZMI, duke i bërë kështu një sfidë parimit të dobisë. Nga ana tjetër, është bërë zakon që shqiptarët t’i kërkojnë shkaktarët e vuajtjeve të tyre, aty ku nuk ndodhen: pranë tyre, brenda tyre. Kjo është e pashpjegueshme, dhe si qasje, shndërrohet në një dhimbje inferioriteti, që është aq më e madhe, sa më shumë fanatizëm, apo militantizëm partiak ka në ndërgjegjen e tyre. Primitiviteti kolektiv fillon pikërisht në shpjegimet që shoqëritë u bëjnë gjëmave të tyre, duke përjashtuar çdo mundësi që shkaqet e zbuluara prej tyre, të mos jenë të tilla, por thjesht pasoja të disa shkaqeve që nuk mund të shihen nga turma e ca më pak të kuptohen apo shpjegohen nga ajo…
***
Zakonisht dhënia e pushtetit me të votuar përbën një shkak për shumë pasoja civile, qofshin këto zhvillim ose mjerim. Përdorimi ose shpërdorimi i pushtetit mund të sjellë pasoja të mira, ose probleme të mëdha për qytetarët. Nga kjo optikë, Kryeministri i shqiptarëve, kryepushtetari, është edhe përgjegjësi i parë i rrumpallës që sundon në Shqipëri. Kjo sepse Shqipëria është e orientuar dramatikisht gabim nga çdo pikëpamje. Por vetiu, lind pyetja. A është Sali Berisha maja e piramidës së historisë së keqe të tranzicionit, pra edhe një shkak, pra i vetmi shkak, apo ai është thjesht një pasojë, viktimë e ndërthurjes së shkaqeve të tjera, që qëndrojnë mbi kokën e tij? Kush e drejton apo sundon ndërgjegjen e tij, “parimi i dobisë”, dhembja, kënaqësia, babëzia gjenetike për pushtet, apo interesa të tjera, fuqi të tjera, mistere të tjera, viktimë e të cilëve ai mund të jetë?
Kryeministri shqiptar është vetë ai një shkak, apo thjesht, është edhe ai një pasojë?
Pyetja shkakton po atë difraksion përshtypjesh që ka sjellë në planet edhe dilema, nëse ish-presidenti Klinton dje, ishte vërtet siç thuhej, një mason i Gradës 33, shërbëtor i iluminantëve, apo sinqerisht perandori, planetari, i përzotshmi, njeriu më i fuqishëm në planet.
Jo vetëm kureshtarëve, por as idiotëve nuk u ka mbetur jashtë vëmendjes fakti se Kryeministri i vendit të tyre etiketohet herë pas here si neokomunist i pandreqshëm. Kjo është e shpjegueshme. Për shkak të angazhimeve të tij pasionante në ish-Partinë e Punës të diktatorit Hoxha, e shkuara e tij nuk mund të jetë veçse e kuqe. Pyetja e shoqëruar pothuaj me dhembje, në këtë rast është: Duke qenë njëlloj pasionant në menaxhimin e sundimit, Berisha është një mbret i vogël, primitiv, por i pavarur si Hoxha, apo thjesht është një hallkë krejt e pavlerë në zinxhirin e një kurthi kombëtar të paracaktuar nga të tjerë?. Kur fakti vlen më shumë se objekti rreth të cilit sillet ky fakt, aq më pak atë mund ta shpërfillësh. Nuk mund të shpërfillësh pra edhe pëshpërimën e disa të tjerëve, se Kryeministri i shqiptarëve, duke qenë një dhëndër serb, është edhe një agjent i tyre, pra një levë e armiqve historikë, apo një hallkë tradhtare e një strategjie të kobshme, por afatgjatë, që ende nuk kanë mundur ta kuptojnë shqiptarët: Të zhytur enkas në llumin e përditshmërisë së tyre, ata nuk mund të shohin qartë asgjë përtej saj!
Le të shqyrtojmë një fakt. Ndërsa Kadareja synon të shpjegojë te “Mosmarrëveshja” se ka pasur një strategji historike të Serbisë, për të zhvendosur moralisht dhe materialisht popullsinë shqiptare nga Kosova e Shqipëria drejt Turqisë dhe otomanizmit, me të njëjtin shqetësim, ekziston dhe qarkullon edhe një opsion tjetër, sipas të cilit, përkundrazi, serbët janë përpjekur të kenë nën kontroll qeverinë e vendit për të arritur tjetër gjë. Zbimin e shqiptarëve të Kosovës jo drejt Turqisë, por drejt Shqipërisë, pasi kjo e fundit të ishte shkretuar dhe zbrazur mbas rrëzimit të komunizmit.
A është e mundur të jetë Berisha hallkë e këtij plani, ku pikësëpari synohej zbrazja, shterimi, ikja e madhe e shqiptarëve, drejt Perëndimit, dhe pastaj mbushja e saj me kosovarët e Jugosllavisë? Ajo që dihet dhe dimë, është se gjatë ndërrimit të sistemeve, ena prej balte e Shqipërisë mbeti bosh. Kjo është e vërtetë! Njerëzit i rrëmbeu dallga e cunamit të emigrimit me shpejtësi komete, ndërkohë që ekonomia komuniste u rrafshua sa hap e mbyll sytë për të paralajmëruar kërcënimin e një tranzicioni, nga më të shëmtuarit në historinë e kombeve. A kishte vërtet një plan Serbie që ena bosh e Shqipërisë të mbushej pra me kosovarët e saj, si edhe në njëfarë mënyre, për këtë arsye apo për një tjetër ndodhi realisht 10 vjet më vonë, kur bombat e NATO-s ndëshkuan Beogradin. A ishte Saliu personi i cili, duke qenë pranë pushtetit komunist në të njëjtën kohë, do të ndihmonte krushqinë ortodokse për të pastruar Kosovën nga kosovarët?
Ky është një supozim që thjesht ndihmon që imagjinata bëhet sa interesante, aq e vështirë. Edhe pse disa supozime kanë koherencë të çuditshme me realitetin, ato nuk janë të mjafta për ta akuzuar Kryeministrin shqiptar për tradhti. Vështirë megjithatë të gjesh njeri në Ballkan që të mos ketë në tru përsiatjen se ka një pozitivitet melankolik të Kryeministrit shqiptar ndaj fqinjëve serbë. Dhe kjo gjë, jo vetëm sepse bashkëshortja e tij ka origjinë serbe, siç thuhet, (dhe këtu nuk ka asgjë të keqe)..Jo vetëm se një tip i quajtur Fazlliç është miku i tij.. Jo vetëm sepse është akuzuar për favorizime ndaj tyre, gjatë luftës në Kosovë, (kontrabanda e naftës), dhe për favorizime më pas,( gjatë privatizimeve të pronave publike shqiptare dhe dhënies së koncesioneve strategjike kompanive të ndryshme serbe). Jo vetëm se ka filluar të shpalosë para të gjithëve flamurin e dalëboje të nacionalizmit, për të fshehur mungesën e nacionalizmit të tij. Por sepse, parimisht, pëshpërimat, edhe kur janë thjesht të tilla, kanë pushtetin e tyre…
Top Channel