Task force e ngritur për të dytën herë rradhazi për ndalimin e
konsumimit të duhanit në ambiente të mbyllura duket se ka dështuar
sërish.

Në shumë lokale të Tiranes pihet duhan pa respektuar aspak as ligjin dhe pa u druajtur për ekzistencën e një taskforce, e cila u tha se këtë radhë e kishte seriozisht.

Për të shmangur konfliktet me administratorët e disa subjekteve private, Top Channel filmoi me kamera të fshehta disa nga ambientet ku thyhet ligji. Kjo situatë vazhdon dhe në Ministrine e Shëndetësise serviret një listë me 163 gjoba në të gjithë qytetin e Tiranës.

“Ka lokale në Tiranë ku nuk pihet duhan, ashtu sikundër ka lokale ku pihet duhan dhe thyhet ligji, ashtu  sikundër ka lokale të cilat kemi vendosur jo një, por dy, tre, katër gjoba dhe prapë i kemi gjetur duke pirë duhan. Po ju them që të gjitha gjobat janë në proces pagese dhe natyrisht kanë kohën e tyre të ankimit, të kalimit në organet e drejtësisë”, tha drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero.  

Por në shumë raste inspektorët që monitorojnë zbatimin e ligjit antiduhan i kanë kthyer kontrollet në biznes për interesa të tyre, pasi përveçse bëjnë selektime të ambienteve ku ushtrojnë kontroll, marrin rryshfet 20 mijë lekë në këmbim të gjobës 50 mijë lekë.

“Ju garantoj se në rastin më të parë që do të kemi një fakt të vërtetueshëm, në aspektin e të dokumentuarit të këtij ‘pazari të ndyrë’, masa do të jetë ekstreme. Pushim nga puna dhe vendosje përpara ligjit.  Përgjegjësia jonë është që të gjithë lokalet, të gjithë mjediset e mbyllura t’i shohim të barabarta përpara ligjit”, tha Pipero.

Zyrtari i lartë i Ministrisë u bën thirrje qytetarëve dhe pronarëve të lokaleve të denoncojnë raste të abuzimeve të tilla, duke u bërë edhe ata palë në zbatimin e ligjit.

“Dje është firmosur urdhëri i Ministrit për të ngritur grupin e punës, në krye të të cilit jam unë, për ta amenduar ligjit. Kemi marrë miratimin e komisionit Parlamentar dhe për të parë dhe për të përcaktuar kur është hapësirë e hapur dhe ku është e mbyllur, ku mund të pihet dhe ku mund të mos pihet duhan. Kjo gjoba që kemi vënë për lokalin dhe që nuk funksionon, mjafton kaq apo duhet rritur? Ka ardhur koha që qytetarët të mbajnë përgjegjësi. Ka ardhur koha që edhe për qytetarin që me kokëfortësi e thyen ligjin. Sa të aftë do të jemi ta mbledhim gjobën që do t’i vendosim qytetarit, kjo është për t’u parë”, tha Pipero.

Pipero sqaron se perveç rritjes se gjobes mbi 50 mije lekë me amendimin që do t’i behet ligjit do te propozohet qe perveç subjektit, te ndeshkohet me gjobe edhe qytetari i cili shkel ligjin.

Per te vjelur gjoben ndaj qytetarit kerkohet bashkepunim edhe nga policia e shtetit dhe ajo bashkiake,  te cilat do te percaktohen ne amendimin qe pritet t’i behet se shpejti Ligjit Antiduhan.

Top Channel