Censusi: 83% shqiptarë, 0.87% grekë

07/12/2012 19:50

INSTAT ka përfunduar përpunimin e të dhënave të mbledhura nga censusi dhe pritet të deklarojë rezultatet më datë 13 dhjetor.

Por Top-Channel nga burime diplomatike në Tiranë, ka mundur të sigurojë përfundimet e Censusit 2011, për dy prej aspekteve të më rëndësishme të tij, që janë kombësia dhe feja.

Pyetjes në formularin e censusit që lidhet me kombësinë i janë përgjigjur si shqiptarë 83% e të pyeturve. Një e dhënë tjetër interesante lidhet edhe me numrin e minoritetit grek në Shqipëri, për të cilin ka patur debate të vazhdueshme.

0.87% është numri i atyre që e kanë deklaruar kombësinë si greke, ndërsa 0.2% janë deklaruar me kombësi maqedonase.

Të dhënat për besimin fetar të shqiptarëve të mbledhura nga Censusi tregojnë se 57.12% janë deklaruar si myslimanë, 10.11% katolikë, ndërsa 6.8% ortodoksë. Ateistë janë deklaruar 2.52%, bektashinj 2.11%, ndërsa evangjelistë 0.11%.

Rezultatet e Censusit, që lidhen me kombësinë pritet të prodhojnë debate të forta, veçanërisht nga shoqatat e minoritetit grek, të cilat janë shprehur kundër Censusit dhe kanë ndërmarrë një regjistrim të tyrin të minoritarëve në jug të vendit.

Një tjetër shifër që bie në sy është ajo e komuniteteve fetare, më saktë atij të krishter, ku për herë të parë zyrtarisht bashkësia katolike sipas shifrave të Censusit është më e madhe se ajo ortodokse.

Disa javë më parë INSTAT publikoi disa të dhëna paraprake nga ku rezultonte se popullsia e Shqipërisë është 2.831.741 banorë. Ndërkohë që numri i popullsisë nga Censusi i vitit 2001 ishte 3.069.275.

Vihet re se numri i popullsisë në vitin 2011 është zvogëluar me 7.7% gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Supozohet që shkaqet kryesore të zvogëlimit të popullsisë janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë.

Për herë të parë në historinë e censuseve të kryera në Shqipëri, popullsia e cila jeton në zonat urbane është më e madhe se ajo në zonat rurale. Kështu, 53.7% e popullsisë jeton në zonat urbane dhe 46.3% në zonat rurale.

Censusi 2011 në Shqipëri është i 11-ti në historinë e censuseve të kryera në vendin tonë. Ai është pjesë e censuseve të planifikuara nga UNECE/Eurostat në të gjithë botën.

Kombësia:
Shqiptarë 83%
Grekë 0.87%
Romë 0.3%
Aromunë 0.3%
Maqedonas 0.2%
Egjiptianë 0.12%
Malazezë 0.01%
Të tjerë 0.1%
Nuk u përgjigjën 14.07%

Feja:
Myslimanë 57.12%
Katolikë 10.11%
Ortodoksë 6.8%
Bektashijn 2.11%
Evangjelistë 0.11%
Të krishterë të tjerë 0.1%
Ateistë 2.52%
Besimtarë të pa karakterizuar 5.53%
Besime të ndryshme 0.2%
Nuk u përgjigjën 13.89%

Top Channel