Tradhtia nacionaliste e Berishës

06/12/2012 00:00

Andrea Stefani – Për shpërthimin e beftë të kryeministrit Berisha me
fraza nacionaliste që kanë shqetësuar jo vetëm fqinjët në rajon, por
edhe ndërkombëtarët, duket se vlen përkufizimi i Samuel Xhonson:
“Patriotizmi është streha e fundit e horrave”.

Sepse vërtet që pseudopatriotizmi, si nacionalizëm primitiv dhe konfliktual, po shfaqet si streha më e fundit e politikanit Berisha. Për 23 vjet, gjeti strehë tek antikomunizmi për t’u demaskuar si komunist i rrezikshëm, u fut nën lëkurën e “demokratit” dhe u demaskua si dhunues e manipulator zgjedhjesh, u strehua nën sloganin e shtetit ligjor dhe abuzoi për të kapur të gjitha pushtetet, duke u vetëdemaskuar si autokrat, valëviti “antikorrupsionin” për të pjellë edhe më shumë korrupsion, premtoi integrimin për ta degdisur Shqipërinë sa më larg Europës. Tani i është kthyer nacionalizmit, bunkerit të tij të fundit. Po pse pikërisht tani?

***

Nuk është e para herë që i shqetësuar nga krizat e brendshme, një sundimtar përpiqet të gjejë valvulën e shkarkimit të tensioneve të ndrydhura te nacionalizmi, te manipulimi me atdhedashurinë e natyrshme të njerëzve. Dhe që Berisha është shndërruar në një sundimtar të shtetit nuk e kuptojnë vetëm ata që, për shkak interesash apo ndjeshmërish të fikura, qahen për peshën e shtypjes vetëm kur prangat e saj janë bërë tepër të forta për t’u këputur. Berisha ka një problem të madh që i drejtohet për shpëtim nacionalizmit. Zgjedhjet po afrojnë dhe bilanci i qeverisjeve të tij është katastrofik: Kapja dhe përqendrimi i pushteteve, rënia ekonomike, papunësia dhe korrupsioni galopant, thellimi i frikshëm i borxhit publik, përkeqësimi i jetesës së shumicës së shqiptarëve nuk maskohen dot me statistika të manipuluara për “ekonomi entuziaste”, për “rënie në rritje” apo me retorika boshe për demokraci “funksionale”, për institucione “të pavarura” apo “antikorrupsionin”. Zgjedhjet e vjedhura kronikisht nga vetë Berisha, zhvlerësojnë premtimet e tij se këtë herë do të bëjë “gjithçka” që ato të jenë të lira e të ndershme. Prandaj kryeministri i drejtohet nacionalizmit dhe thirrjeve hipokrite për bashkimin e shqiptarëve. Dashurinë e natyrshme të shqiptarëve për atdheun, kërkon ta konvertojë në dashuri të verbër për qeverinë qendrore, për kryeministrin “patriot” që e dashka kaq shumë kombin dhe sigurisht, edhe në vota. E vërteta është se politikani autokrat Berisha, mbetet përçarësi më i madh dhe pengesa kryesore për bashkimin e kombit shqiptar.

 

***

Asnjë e mirë nuk i ka ardhur kombit shqiptar nga sundimet autokratike. Në rezultante historike ai ka mbetur më i varfëri në kontinent pikërisht se i ka munguar liria, forca e saj zhvilluese dhe begatuese. I ka munguar zhvillimi si liri. Por me rënien e sistemit komunist në mbarë botën, u hap edhe për shqiptarët shansi që të bëhen të lirë dhe të përparojnë, lumturohen dhe pasurohen me anë të lirisë. Në radhë të parë në shtetin e Shqipërisë. Kanë kaluar 23 vjet që nga ajo kohë dhe kjo shpresë nuk është realizuar. Sepse në udhëkryqin e historisë dolën politikanë autokratë, si Sali Berisha, që i vunë qëllim vetes të instalojnë sundimin jo më në kushtet e Luftës së Ftohtë, por në kushtet e epokës së demokracisë. Që në fillimet e karrierës së tij, kur nuk kish flakur në magazinë ende pardesynë e bardhë të “demokratit”, ju përvesh punës për të bërë zap shtetin, duke kapur dhe nënshtruar të gjithë pushtetet: Prokurorinë, gjykatat, Presidencën, Kryeministrinë, Parlamentin, sindikatat deri edhe opozitën politike. Në 23 vjet karrierë nuk e ka reshtur asnjëherë luftën për të realizuar një projekt të tillë autokratik, për t’i bërë varrin projektit europian të demokracisë liberale, të shtetit ligjor me zgjedhje të lira e të ndershme, me pushtete të ndara dhe të baraspeshuara dhe bashkë me to, edhe integrimit europian të Shqipërisë. Në kërkim të një pushteti pa kufij në hapësirë dhe kohë, Berisha bëri edhe amendimet e Kushtetutës, i ndihmuar asokohe edhe nga verbëria e Edi Ramës, që e ka shndërruar Shqipërinë, sikundër ulërinte dikur jo pa të drejtë Ilir Meta (që sot me po aq pa të drejtë e mban në pushtet), në një republikë kryeministrore pa liri e të drejta të garantuara për qytetarët. Se një nga garancitë kryesore të lirisë qytetare është kufizimi i pushtetit të qeveritarit nga ligji i ushtruar nga gjykata të pavarura.

 

***

Berishës mund t’i numërohen jo pak tradhti kombëtare. Nga dërgimi kontrabandë i naftës Milosheviçit e deri tek falja e ujërave detare Greqisë. Por tradhtia më e madhe kombëtare e tij është si i dogji Shqipërisë shansin e integrimit me Europën në dekadën e parë pas rënies së komunizmit, atëherë kur Europa ishte në kulmin e fuqisë dhe zgjerimit të saj. Veçoria epokës ku kemi hyrë është se e ka lidhur pazgjidhshmërisht çështjen kombëtare me atë të lirisë dhe demokracisë. Kombi shqiptar nuk do të mundet as të përparojë, as të begatohet dhe as të bashkohet, nëse nuk instalon në shtetet e tij sistemin e lirisë dhe demokracisë. Pavarësisht krizës ekonomike që po kalon Perëndimi (gjë që i ka bërë autokratë si Berisha të ngrenë veshët dhe të farkëtojnë aleanca, duke ëndërruar për një epokë post-Perëndimore), epoka e tij e lirisë dhe demokracisë nuk ka perënduar. Kriza e ka tronditur demokracinë perëndimore por nuk e ka shembur. Prandaj autokratë si Berisha dhe mbështetësit e tij, janë në anën e gabuar të historisë. Rrjedhimisht, liria si sistem institucionesh mbetet çelësi që do t’u mundësojë shqiptarëve të hapin edhe dyert e Europës dhe të bashkimit kombëtar në Europë. Bashkimi kombëtar kalon nga demokracia dhe liria. Nuk mund të ketë bashkim pa integrim. Thirrja e dy dekadave më parë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, kishte parasysh edhe më të mirën për kombin. Prandaj çdo tentativë tjetër që shkëput çështjen kombëtare nga liria dhe demokracia, nga Europa, është e destinuar të dështojë madje është e mbarsur me rreziqe të mëdha për fatet e kombit. Edhe thirrjet nacionaliste të Berishës i shërbejnë pikërisht distancimit nga aleatët tanë perëndimorë, gjë kjo shumë e lakmuar për qarqe antishqiptare në shtetet fqinjë. Nuk është aspak çudi që Serbia të përpiqet ta shfrytëzojë këtë orgazmë nacionaliste të Berishës, për të këputur ndonjë copë në veri të Kosovës, tani që e ka humbur njëherë e përgjithmonë atë. Është e vërtetë, edhe Berisha ka folur dhe do të vazhdojë të flasë për integrimin në Europë. Por brirët e autokratizmit që nuk i fsheh dot, e demaskojnë atë si një nga kundërshtarët kryesorë të integrimit pra, edhe të bashkimit kombëtar. Dhe shqiptarëve që nuk kuptojnë se sa e rrezikshme është për lirinë qytetare grumbullimi i pushteteve në një dorë, sikundër po bën Berisha, u themi: Shikoni egjiptianët që po kundërshtojnë me vendosmëri zgjerimin e pushtetit nga “demokrati” Mursi që pikërisht për këtë, po e denoncojnë si tiran! E nëse prapë nuk duan të kuptojnë, atëherë për ta vlejnë këto vargje të Xhon Milton:

Çirren liri pa patur sens për të

Dhe revoltohen kur e vërteta rreket t’i çlirojë,

Padronin kanë në kokë kur luten liri,

Pa mirësi e zgjuarësi atë kurrkush s’mund ta dojë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA