Vlerësohet dokumentari i Sokol Ballës

04/12/2012 20:20

Është vlerësuar me çmimin “100 vjetori i Pavarësisë” dokumentari “Djemtë e përçarë të Amerikës” i gazetarit Sokol Balla në festivalin TIFF.

Një dokumentar historik, i fokusuar në raportet personale që patën patriotët para dhe pas shpalljes së pavarësisë. Një pasqyrim i bazuar në kërkime historike me dëshmi ekskluzive: nga lëvizja patriotike që nisi në SHBA dhe që kulmoi me shoqatën “Vatra”, apo rivalitetet mes motrave Qirjazi e Nolit dhe këtij të fundit me Konicën.

“Vlerësimi që ju bë dokumentarit tim është i rëndësishëm sepse është çmimi i 100-vjetorit të Pavarësisë. Në fakt ky dokumentar ishte një metaforë simbolike e një realiteti para 100 vjetësh. Përtej vlerës personale, çmimi është një vlerësim edhe për Top Channel që këtë vit nisi transmetimet speciale për 100-vjetorin duke kulmuar me ditën e 28 Nëntorit. Është një vlerësim edhe për kolegët me të cilët kam punuar për këtë dokumentar si Elis Kruja, Edvina Gajo, Erena Haska e Denada Sadiku. Këtë çmim dua ta ndaj edhe me të gjithë kolegët e Top Channel”, deklaroi Balla.

“Djemtë e përçarë të Amerikës” është njëri prej ciklit të 12 dokumentarëve që Top Channel i dedikoi 100-vjetorit të Pavarësisë. Cikël dokumentarësh që iu bashkangjit të gjithë programacionit të pasur me programe që iu kushtua gjatë të gjithë vitit, kremtimit të kësaj ngjarjeje historike.

Top Channel