Rama: Berisha demagog, jo nacionalist

04/12/2012 00:00

Kreu i opozitës, duke komentuar qëndrimet e reja të Kryeministrit për
çështjen kombëtare, deklaroi se Berisha nuk mund të marrë pozicione
nacionaliste, kur nga njëra anë përmed Prevezën si tokë shqiptare dhe
nga ana tjetër firmosi për t’i dhuruar Greqisë hapësirat detare. Rama i
cilësoi si përçarëse këto deklarata të Kryeministrit.

“Të përmendësh Shqipërinë që u shtrika deri në Prevezë do të thotë ose të jesh i papërgjegjshëm me fatet e kombit tënd ose të jesh qëllimkeq ndaj tij, sepse një përçartje e tillë e cënon rëndë kauzën tonë kombëtare në sytë e të gjithë botës dhe cënon drejtpërdrejt gati si në mënyrë të qëllimshme perspektivën e bashkimit tonë kombëtar në truallin e Europës së Bashkuar, jo gjetkë dhe jo në format e vjetra të imagjinatës dhe të praktikës, por në atë formë imagjinate që na imponon perspektiva europiane për Shqipërinë dhe për Kosovën, dhe për shqiptarët e Maqedonisë, dhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë në rajon. Nga ana tjetër të përmendësh Prevezën duke provokuar në mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme dhe krejtësisht pa lidhje fqinjët dhe nga ana tjetër të dhurosh me dorën tënde territor shqiptar që mungon sot në këtë 100-vjetor Shqipërisë 300 kilometra katrorë det nga ai det për të cilën u vranë dhe u prenë ata heronj që sot nuk dihet ku i kanë varret dhe që në 100-vjetorin e Pavarësisë nuk u kujtua njeri as t’i rregullojë varrin”, tha Rama.

Rama: Qeveria po e le vendin të mbytur në borxhe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama akuzoi Qeverinë se po e le
vendin të mbytur në borxhe dhe se familjet shqiptare janë sot më të
varfra për shkak të politikave të gabuara dhe rritjes në nivele
alarmante të borxhit.

Duke folur në mbledhjen e grupit kuvendor socialist, Rama theksoi se projektbuxheti i vitit 2013 i hartuar nga Qeveria tregon se Rilindja Shqiptare është një domosdoshmëri ashtu siç është e domosdoshme një politikë e re taksimi.

“Buxheti i 2013-s është në fakt treguesi më i qartë që pse viti 2013 do të jetë viti i ndryshimit”, tha Rama.

Më herët gjatë kësaj mbledhje, Artan Lame solli disa fakte, që sipas PS tregojnë se Qeveria dështoi me festimet e 100-vjetorit. Lame tha se Qeveria bëri gjithçka ishte e mundur që shqiptarët ta përjetonin të përçarë këtë festë, gjë të cilën në fakt nuk e arriti.

Lame ka analizuar me detaje atë që e ka cilësuar shkelje të protokollit, nga padija, ose injoranca, apo edhe shkelja e qëllimtë, e deri te ato të cilat i cilësoi si “marrëzi monumentale”.

Lame i është referuar deformimit të simbolit kombëtar, flamurit, kaosit në organizmin e pritjes së përfaqësuesve të huaj dhe veçanërisht shkeljes së protokollit nga ana e Presidentit të Republikës, i cili në pritjen e mbajtur me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë ia la fjalën e hapjes një të huaji që nuk ka lidhje me gjithë shqiptarët por vetëm me PD.

Top Channel