Andrea Stefani – “Na ka bërë përshtypje dënimi i ish-kryeministrit kroat
Sanader” – ka nënvizuar lidhur me antikorrupsionin në Rajonin e
Ballkanit, Jonathan Moore, drejtor i zyrës për Europën Jugore dhe
Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH).
Çfarë e ka shtyrë zyrtarin amerikan të bëjë një pohim të tillë? Një dëshirë perfide për të frikësuar kryeministrat në rajon dhe Shqipëri? Nuk ka asgjë të tillë. Pohimi ka në sfond shqetësimin për kapjen e drejtësisë nga politika dhe arrestimi e gjykimi i një kryeministri është, në disa rrethana të caktuara, tregues i pavarësisë së pushtetit të drejtësisë nga qeveria dhe përgjithësisht pushtetit politik. Dhe pikërisht kapja e drejtësisë nga pushteti politik është një nga shkaqet kryesore se përse në Shqipëri këmbëngul kultura e pandëshkueshmërisë së korrupsionit të madh. Statistikat për ndëshkim zyrtarëve të lartë të korruptuar në rang zv/ministrash, ministrash, kryeministrash, presidentësh janë “0”. Edhe pse të gjithë treguesit, prej vitesh, flasin për një korrupsion galopant në rritje.
***
Kapja e drejtësisë nga pushteti politik i partisë në pushtet, është i vjetër sa vetë tranzicioni shqiptar. Pionieri i parë i kësaj dukurie të shëmtuar dhe vrasëse për shtetin ligjor, ishte Sali Berisha në atë kohë, në postin e Presidentit të Republikës. Duke instrumentalizuar reformat për “dekomunistizimin e drejtësisë”, Berisha mbushi prokurorinë dhe gjykatat me juristë militantë që kishin për udhërrëfyes jo ligjin, germën dhe frymën e tij, por vullnetin e Berishës. Një nga produktet e para të kësaj skllavërie të prokurorisë dhe gjyqësorit nga pushteti, ishte edhe arrestimi i ish-kryeministrit Fatos Nano. Ngjan shumë me atë që po ndodh në Kroaci, por është krejt e kundërta. Në Kroaci drejtësia e pavarur po ndjek axhendën e saj, ndërsa në Shqipëri, drejtësia qe kthyer në levë të pushtetit kundër opozitës politike. Një tjetër rast që dëshmon se dukje të njëjta mund të fshehin thelbe të ndryshme. Ndërsa në Kroaci arrestimi i një ish-kryeministri është tregues i pavarësisë së drejtësisë, në Shqipëri ishte tregues i skllavërimit të saj.
***
Me kalimin e viteve, i njëjti thelb i pandryshuar, kapja e drejtësisë nga politika, ka marrë një tjetër dukje që është, mosndëshkueshmëria e politikanëve të lartë. Duket sikur korrupsionin në Shqipëri e bëjnë vetëm infermierët, mjekët apo policët, ndërsa “engjëjt” e politikës me duar të pastra, rrinë dhe vështrojnë nga lart kasaphanën me paratë e publikut të varfër shqiptar. Sot politikanët e lartë, kryeministrat për shembull, janë të vendosur që të mos lejojnë ndëshkimin nga drejtësia të kryeministrave. Një betim që të kujton vendosmërinë që kishin mbretërit në Mesjetë për të mos lejuar ndëshkimin e mbretërve të mundur. Thelbi i kësaj “etike” ishte dhe është vetëmbrojtja. Kryeministrin e korruptuar në pushtet e tremb dërgimi i një ish-kryeministri të korruptuar para ligjit, sepse i duket sikur shikon veten në bankën e akuzës. Etikën e pandëshkueshmërisë kryeministrore e ka nisur i pari Fatos Nano. Aty nga janari i vitit 2005, Kryeministri i atëhershëm Nano i deklaroi një gazetareje franceze: “Unë nuk e burgos Berishën se nuk dua t’i përgjigjem atij me të njëjtën monedhë”. A kish ndonjë dallim mes qëndrimit të Berishës që keqpërdori prokurorë dhe gjykatës për të arrestuar e burgosur Nanon, dhe atij të Nanos që nuk po e bënte një gjë të tillë? Përsëri dukja ishte e ndryshme, por thelbi mbetej i njëjtë: Kapja e drejtësisë nga një Kryeministër. Në një artikull të atyre ditëve kam shkruar: “…nëse dje Berisha urdhëronte drejtësinë ‘Burgose Nanon!’, sot …ky i fundit urdhëron drejtësinë ‘Mos e burgos Berishën’! A ka ndonjë dallim mes këtyre qëndrimeve. As edhe një. Në pikëpamje të skllavërimit të drejtësisë, ato i ngjasojnë njëra-tjetrës si portokalli-portokallit”.
***
Edhe pse u rikthye në pushtet duke sokëllirë kundër korrupsionit të Fatos Nanos, shumë shpejt u pa qartë se Berisha nuk kish asnjë vullnet për luftë reale kundër korrupsionit. Në fakt, pak kohë para se të rivinte në pushtet, edhe Berisha deklaronte se nuk mund ta arrestonte Fatos Nanon. Pse? Sipas tij sepse nuk mund të arrestonte liderin e opozitës! Por në një demokraci me shtet ligjor, nëse duhet të arrestohet apo jo një ish-kryeministër nuk duhet të varet nga dëshira e kryeministrit të radhës, por nga pushteti i drejtësisë së pavarur. Por mos vallë Berisha nuk e ndëshkoi dot korrupsionin e ish-kryeministrit Nano që vetë kishte denoncuar, ngaqë trashëgoi një prokurori të mbushur me “vegla” të Nanos? Mund ta pohonim një gjë të tillë nëse do të kishim parë qoftë edhe një përpjekje nga qeveria e “duarve të pastra” për të ndëshkuar korrupsionin e qeverive socialiste. Por as edhe një dosje nuk u dërgua në prokurori. Ndërkaq, hipokrizinë antikorrupsion të Berishës e demaskon sjellja e mëvonshme e tij ndaj Fatos Nanos, shtrëngimi i duarve me Nanon. Pikërisht atë që dikur e kish shpallur padrino dhe vrasës, Berisha e njohu si lider historik të së majtës! Edhe një herë u provua se qëndrimet e Berishës apo ndryshimi i këtyre qëndrimeve, nuk kanë të bëjnë me reflektime ndaj të drejtës dhe të padrejtës, por janë në funksion vetëm të kapjes dhe mbajtjes së pushtetit. Qëllimi justifikon mjetin.
***
Përveç traditës së thellë patriarkale dhe traditës së partisë shtet nën komunizëm, autokratizmi ka ringjallur përsëri kultin e qeveritarëve të paprekshëm që qëndrojnë mbi ligjin. Dukuria është rrënim i themeleve të demokracisë, sepse kjo e fundit, është barazi, barazi shansesh që mbeten fjalë boshe pa barazinë para ligjit. Dhe barazia para ligjit nuk mund të realizohet dot me kryeprokurorë shërbyes të Kryeministrit (sikundër do të jetë ai, ose ajo, që Berisha do të caktojë në vend të Ina Ramës), as me gjykatës që sajojnë kurthe ligjore për të shpëtuar “me ligj” zyrtarë të lartë të korruptuar të kabineteve qeveritare. Barazia para ligjit nuk vendoset duke dënuar rreptë Zhan Valzhanin që vjedh një bukë apo një flamur dhe duke nderuar qeveritarë që grabisin, për shembull, mbi 200 milionë euro nga investimi i rrugës së kombit. Në luftën kundër korrupsionit qindra dënime të rasteve të vockla nuk janë asgjë, por dhjetëra dënime për korrupsion të madh janë gjithçka! Vetëm dënimi i korrupsionit të madh godet kokën e kuçedrës. Kjo kërkon barazi para ligjit. Por barazia para ligjit e të gjithë shtetasve, qofshin kryeministra apo karrocierë, vendoset vetëm nga prokurorë dhe gjykatës që bëjnë punën e tyre, pavarësisht pëlqimit apo mospëlqimit të politikës. Nga njerëz të drejtësisë që e thërrasin në bankën e akuzës kavalierin Berluskoni, që i kërkojnë llogari Sarkozisë, apo vënë në pranga Sanaderin, kur drejtësia publike e kërkon këtë. Vetëm një drejtësi e tillë, dhe jo fjalët e kazanit “antikorrupsion” të Berishës, mund ta luftojë korrupsionin e vjetër dhe të ri, të kuq apo blu, duke shpëtuar shtetin, demokracinë dhe pavarësinë në Shqipëri.
Top Channel