Zamira Cavo- Që adrenalina e festimeve do të ngrinte tonet e deklaratave
patetike, kjo ishte e ditur. Madje ishte e parashikueshme edhe
ndryshimi në ligjërimin politik të kaheve të ndryshme të politikës.
Ajo që nuk pritej, është ndryshimi jashtë çdo lloj kornize politike, i deklarimeve nacionaliste të Kryeministrit të Shqipërisë. Për 20 vjet, Berisha ka qenë shumë i kujdesshëm që të mos binte në “grackat” e nacionalizmit, jo sepse nuk ka dashur ta përdorë këtë kartë, por nuk i është nevojitur. Dhe ka disa arsye që Berisha nuk e ka përdorur këtë kartë më parë, sikundër ka disa të tjera, që e shtyjnë ta përdorë tani.
Zakonisht me kartën e nacionalizmit luajnë politikanët që janë në fillim të karrierës së tyre politike dhe që nuk kanë mbështetjen e duhur, brenda dhe jashtë vendit. Në shoqëritë jo shumë të emancipuara, loja me patriotizmin është mjaft efikase, sepse i bën qytetarët të ndihen të barabartë përpara “detyrës” ndaj kombit e atdheut! Është një mënyrë e rritjes së kuotave politike brenda vendit dhe kur këto kuota rriten, atëherë bëhesh faktor dhe krijon mbështetjen nga jashtë. Por Berisha nuk bën pjesë në këtë kategori. Ai i rriti kuotimet e tij, në mënyrë permanente, me luftën kundër komunizmit. Ndaj nuk i është dashur asnjëherë të përdorë kartën e nacionalizmit. Madje ai ka qëndruar koherent ndaj shfaqjeve të nacionalizmave brenda vendit, sepse e ka ditur çfarë reagimi negativ mund të vinte jo vetëm nga vendet fqinje, por edhe nga Europa zyrtare. Përkundrazi, Berisha është treguar tejet liberal, deri në antikombëtar, kur ka ardhur puna për reagime të detyrueshme dhe të nevojshme për vendin. Ai ka vepruar në kurriz të vendit dhe madje edhe të Kosovës, duke shitur pjesë territori, duke mos vepruar në ekonomi, duke anuluar tenderë që kanë të bëjnë me zhvillimet e dy vendeve tona. Berisha ka nxitur një politikë zyrtare të nënshtruar tërësisht ndaj interesave të fqinjëve. Por sot, çuditërisht, përdor kartën e patriotizmit deri në nacionalizëm. Kur them çuditërisht, kjo jo në kuptimin e parë të fjalës çudi, pasi veprimet e z. Berisha mendoj se nuk duhet të çudisin më njeri të arsyeshëm në këtë vend. Puna është se duhen lexuar shkaqet që e shtynë të përdorë këtë kartë. Nuk mendoj se është ngritja e adrenalinës patriotike që u vërejt gjatë gjithë ditës së festimeve të 100-vjetorit. Më shumë se kjo, është nevoja për ta përdorur këtë kartë pasi këto festime treguan dukshëm se:
– Populli shqiptar, si i Shqipërisë dhe ai i Kosovës, është ende shumë i ndjeshëm ndaj faktit që Shqipëria akoma nuk është bërë sikundër u ëndërrua në 1912. Vetëm ky ideal i pastër nacionalist mblodhi në shesh kaq shumë njerëz! Berisha e pa me sytë e tij këtë, ndaj u mundua ta shfrytëzojë në favor të kredibilitetit të brendshëm, që i ka rënë në kufijtë më minimalë të kohës së tij politike. Dukja ishte qeleshja që vuri në kokë në Vlorë. Ankthi se mos dikush tjetër ia rrëmbente këtë gjetje politike, e shtyu në padurimin për të ndërprerë Presidentin, duke thirrur “mesazherët e flamurit”.
– Askush nuk mund ta mohojë se ovacionet për opozitën ishin të mëdha në Vlorë dhe kjo sigurisht që nuk mund të mos i binte në sy Berishës. Si politikan, ai e ndjeu se me festimet e Vlorës, opozita ka fituar qytetarinë në 100-vjetorin e Pavarësisë. Kaq shumë i ka “dhembur” kjo z. Berisha, sa në konferencën për shtyp, me “shakatë” e tij që nuk bëjnë të qeshë askënd, tha: “Ovacionet ishin, ju e patë, shumë të mëdha… populli thërriste Berisha, Berisha, pati dhe ndonjë zë femre që thërriste Rama…”. Më thoni a ka Kryeministër në botë që mund të bëjë deklarime të tilla foshnjarake në shtyp? Kjo tregon se Berisha është ndier shumë keq në Vlorë, ndaj i ka thirrur mendjes dhe e gjeti si kartën e shpëtimit nacionalizmin. Në këtë rast, jam e bindur se, Berisha ka llogaritur edhe reagimet negative të fqinjëve tanë.
– Por mendoj se si një politikan që demagogjinë e ka lojën e vet të preferuar dhe që, në realpolitikën e ditës, ka vepruar gjithnjë i nënshtruar” ndaj të huajve, ka menduar se deklaratat e tij brenda vendit do të mirëkuptoheshin nga fqinjët si jo “reale”, si “historike” etj., etj. Por nuk ndodhi kështu, dhe Berisha është i detyruar të ndryshojë këndvështrimin ose edhe më tej, të ndryshojë sloganet e nacionalizmit. Në botën e sotme, askush nuk mund të përkrahë një shfaqje nacionalizmi që vjen nga një Kryeministër që aspiron hyrjen në BE. Pra, Berisha po luan me blofin politik, për të fituar një kredibilitet te populli që në përgjithësi nuk e beson më. Nëse Aleanca Kuqezi do të çojë peticionin për bashkimin e trojeve shqiptare dhe z. Berisha do ta pranojë ta firmosë, do të thosha se ky do të ishte çasti më i vështirë për të. Por dyshoj se mund ta bëjë! Ndaj çdo tezë nacionaliste e Berishës, do t’i kthehet në kundërveprim masiv dhe reagim negativ ndërkombëtar. Shkurt, as kjo tezë nuk do ta shpëtojë dot më nga disfatizmi i tij politik.
Top Channel