Llogaritë e “nacionalistit” Berisha

02/12/2012 00:00

Mustafa Nano – Kryeministri Berisha pati një takim me 400 të rinj që u anëtarësuan në Partinë Demokratike (ky ishte lajmi më i parë për gazetarët), dhe aty, krejt papritur, pati një shpërthim nacionalist.

Në fakt, ai kish lëshuar nja dy fraza në Shkup e në Vlorë, por në ato dy raste ish i përmbajtur. Ndërsa me demokratët rioshë e rishtarë, ai i dha gaz makinës së nacionalizmit. Nuk foli për gjë tjetër, gjë që të bën të mendosh se me këtë Berisha po përuron një stinë tjetër në karrierën e tij politike, atë të nacionalistit. E vërteta është se nuk është një stinë e re, pasi herë pas here, kur ia ka dashur puna e hallet, ai e ka veshur rrobën e patriotit putativ, e në këtë kuptim, kemi të bëjmë me një replikim të vetes. Por këtë radhë, më qartë, më fort, më egër. e – kjo na la pa gojë fillimisht – krejt papritur. Askush nuk e priste që ai të fanepsej në këtë mënyrë. Ja se ç’tha ai:

“Të rinjtë dhe të rejat shqiptare, në partinë e tyre të parë opozitare që themeluan, shpallën çështjen kombëtare yllin e tyre polar. Ne i qëndruam asaj. Ata që mendojnë se ne do të mund të kemi çështje më të madhe se çështjet kombëtare të shqiptarëve, gabohen rëndë. Duhet ta dinë mirë se shqiptarët janë agresuar, kanë përjetuar pas hebrenjve racizmin më të egër në rajon dhe më gjerë. Duhet ta dinë mirë se ndaj tyre, më shumë se ndaj çdo kombi tjetër, janë hartuar paraprakisht programe të shfarosjes së tyre”.

Dhe vijoi më poshtë:

“Sot shqiptarët janë të lirë, por prapë albanofobia është një re që qarkullon në rajon, sepse ata që janë mësuar t’i shihnin shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë dhe dorës së tretë, nuk mund t’i pranojnë ata qytetarë të lirë. Shqiptarët sot janë më të bashkuar se kurrë. Çdo pëllëmbë e territoreve etnike shqiptare është territor në ndërgjegjen kombëtare të çdo shqiptari. Ne u ofrojmë fqinjëve mirëkuptim, u ofrojmë bashkëpunim dhe mirëbesim. Ne kemi të gjitha energjitë tona për të punuar në projektin tonë europian. Ata që mendojnë se mund të trysnojnë liritë dhe të drejtat tona, gabojnë shumë rëndë. Do të dështojnë, siç kanë dështuar gjer më sot”.

Shtojuni këtyre frazave dhe gjestikulacionin e rënduar të Berishës, dhe gjithçka të dukej si një situatë lufte.

Gazetat e sotme nuk ishin fokusuar shumë te ky lajm, dhe është një çudi pse ka ndodhur kështu, pasi në fakt kemi të bëjmë me një lajm bombë; por shumë njerëz, dhe të mass-medias, janë duke bërë pyetjen, megjithatë: Po ky ç’pati?

Ka bërë disa llogarira, bandilli ynë. Nuk është se është lëshuar ashtu në tym. Së pari, rrethana, kur na u shfaq me rrobën e shovinistit është shumë e kërkuar. Jemi në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, dhe afërmendsh nuk ka moment më të mirë për të startuar me një fushatë të tillë. Ky përkim e rrit efektin e aksionit, dhe e valorizon këtë të fundit. Përveç kësaj, e bën edhe të mbahet mend, e të regjistrohet në kronikën historike (skeda e arkivuar do kish për titull: “Berisha përuron stinën e nacionalizmit në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë”).

Së dyti, ai ka kuptuar se nacionalizmi të jep frute këtejpari. Madje, ai ka kuptuar se sa më i vrazhdë të jetë ky nacionalizëm, sa më i papërpunuar, sa më i pagdhendur, aq më të mëdha janë frytet elektorale. Ja, Kreshnik Spahiu i ka fituar ca kredite elektorale me atë nacionalizmin e tij të bartur nga një artikulim i nivelit parak, dhe Berisha e di më mirë nga të gjithë këtë gjë, pasi skuadrat e tij që sondojnë terrenin duhet t’i kenë thënë se partia e Spahiut ka marrë copa të mira nga byreku elektoral i PD-së.

Së treti, turma e shqiptarëve të të gjitha trojeve që pushtuan Tiranën e Vlorën më 28 nëntor ishte gjithashtu një provë se shqiptarët janë kapur së fundi nga një dalldi nacionaliste. Ndoshta kanë qenë kapur gjithmonë nga kjo dalldi, por u ka munguar “il movente politico” (Diplomacia ndërkombëtare ia ka dalë mbanë në një farë mënyre e mase të mbajë nën kontroll dalldi të tilla në Ballkan pas përfundimit të luftërave). Dhe tani, aktorë të skenës politike shqiptare, si Kurti në Kosovë, Spahiu në Shqipëri, e tani Berisha, po ua japin këtë “movente”. Por përpara Berishës e më shumë se dy të tjerët, “movente”-n ua dha festa e 100-vjetorit, apelit të së cilës iu bindën qindra mijëra shqiptarë. Berisha duhet të jetë emocionuar nga këto turma, dhe ka kuptuar se ata njerëz nuk u dyndën në rrugët e Vlorës e të Tiranës për sytë e bukur të tij. Dhe kështu, pas feste, ai u futi dhe ca piper tjetër nacionalist deklaratave e qëndrimeve të tij.

Nuk ka frikë se këto qëndrime e deklarata mund ta armiqësojnë me diplomacinë euro-atlantike, me Brukselin e me Uashingtonin? Në fakt, është e kundërta. Nuk është kjo histeri nacionaliste që mund ta prishë me diplomacinë perëndimore. Ai është prishur tanimë me ta. Provë është refuzimi që po i bëhet kërkesës sonë për statusin e vendit kandidat, por edhe refuzimi që iu bë nga gjithë shtetarët e botës ftesës e lutjeve të Berishës për të marrë pjesë në festën e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë; rasti ishte i tillë, që ftesa nuk kish pse të refuzohej nga pjesa më e madhe e kryeministrave të Europës, por ja që Berishën e refuzuan; nga Italia i erdhi vetëm Gianfranco Fini, politikani italian më pak i rëndësishëm në ditët e sotme.

Atëherë? Atëherë, qëndrime të tilla nuk është se prodhojnë armiqësimin e tij me Perëndimin, por – dhe këtu jemi tek arsyeja e katërt – prodhohen prej këtij armiqësimi, e kështu ai po bën atë që din të bëjë mirë në këto rrethana, po përpiqet t’u thotë perëndimorëve se “nuk është e lehtë t’i japësh munxët një lojtari si Berisha, që ka në dorë të destabilizojë sërish Ballkanin”. E me këtë shpreson që të huajt t’i thonë: “Ok, jemi dakord të rrish në pushtet, d.m.th të vjedhësh votat sërish në vitin 2013, por të lutemi të heqësh dorë nga histeria nacionaliste”.

Këto janë llogaritë e Berishës. Dhe merret vesh se janë llogaritë e një njeriu që e ndien se po i afrohet fundi.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA