Braktisi fëmijën: Babanë e ka në burg për drogë

01/12/2012 00:00

Në pamundësi për të rritur djalin e saj katër muajsh, ajo ka vendosur ta
braktisë, duke e lënë në derën e Shtëpisë së Fëmijëve në Fshatin SOS në
Tiranë. Ajo nuk ka dashur të identifikohet, por policia e ka gjetur dhe
në këto kushte ka treguar hallin e saj.

Bëhet fjalë për një nënë të re nga Mitrovica, e cila banon në Shkozet dhe është identifikuar si Liri Igrishta, e cila ka rrëfyer se burri i ka rënë në burg për drogë në Itali dhe nuk donte që djali i saj të vuante nga pamundësia për ta ushqyer e për ta rritur, prandaj kishte vendosur ta braktiste.

Historia e gruas së re nuk dihej deri dje paradite, kur një foshnje 4-muajshe, e seksit mashkull, u gjet e braktisur në zonën e Saukut të Tiranës. Bebja ishte vendosur në një karrocë fëmijësh, i mbuluar me një batanije ngjyrë portokalli, në mënyrë që të mos ftohej, fare pranë godinës së Shtëpisë së Foshnjave, të Fshatit SOS.

Pranë vogëlushit ndodhej edhe një biberon me qumësht, një letër, në të cilën ishte shënuar data e lindjes, 03.08.2012, një numër telefoni me prefiksin e Italisë, ku dyshohej se ishte numri i kontaktit të babait të tij. Në të njëjtën letër, ishte shkruar vetëm fjala “S’mundem” dhe më poshtë “Ky është numri i babait të tij”.

Bebja është gjetur nga rojet e Shtëpisë së Fëmijës, të cilët ia kanë dorëzuar drejtuesve të këtij institucioni. Këta të fundit kanë njoftuar policinë, që menjëherë ka nisur hetimet për identifikimin, lokalizimin dhe shoqërimin e prindërve biologjikë. Deri në orët e mbrëmjes, policia nuk e dinte motivin e braktisjes së foshnjës dhe cilët ishin prindërit e saj, pasi nuk kishte edhe të dhëna mbi foshnjën, i cili rezultonte i paregjistruar në gjendjen civile.

Policia ka tentuar disa herë që të telefonojnë numrin e lënë në karrocën e fëmijës, ndërkohë që pasdite është gjetur nëna e bebes. Igrishta, e cila tashmë banon në Shkozet të Durrësit ka treguar se ishte martuar me një djalë, i cili ka rënë në burg në Itali, ku është dënuar për drogë. “Në këto kushte, nuk kam me çfarë të jetoj dhe vendosa që ta braktis djalin tim. Nuk ishte një zgjedhje e imja, por ndoshta një zgjidhje për të”, është shprehur ajo para oficerit të policisë, ndërsa lotët nuk i pushonin në asnjë moment. Ajo ka rrëfyer gjithë historinë e saj, ndërkohë që deri në orët e vona të natës, policia nuk kishte vendosur sesi do të vepronte për këtë rast, pasi siç dihet, braktisja e foshnjave përbën vepër penale në vendin tonë. Fatmirësisht, fëmija është në gjendje të mirë shëndetësore dhe është marrë në kujdesin e punonjësve dhe ekipit mjekësor të shtëpisë së foshnjës nga 0-6 vjeç në Tiranë. Këta të fundit janë në pritje të përfundimit të hetimeve nga policia.

Gazeta “Shqip”

Top Channel