ANDREA STEFANI – Në 100-vjetorin e ngritjes së flamurit kombëtar nuk u
fol fare për diktatorin Enver Hoxha. Në gjallje të tij ndodhte krejt
ndryshe. Përvjetorët e flamurit ishin, de facto, festa të diktatorit.
Propaganda e regjimit pranonte se ngritja e flamurit ishte një akt
patriotik.
Por kishte kujdes të nënvizonte se vetëm Partia dhe Enveri e ngritën flamurin kombëtar në lartësi të papara! Prandaj dhe figura e Ismail Qemalit mbeti për gjysmëshekulli e zbehtë, thuajse inekzistente, përballë kultit prej Zeusi të Enverit. Për fat kjo nuk ndodh më. Ndonëse manipulimi i festës prej politikanëve të kohës nuk mungoi as këtë 100-vjetor. Nevojat politike të ditës e zhvendosën fokusin nga figura të shquara të kryengritjeve, nga rilindësit që mbajtën gjuhën shqipe gjallë, nga shumëçka që formon atë zinxhir hallkash heroizmi, atë stafetë shekullore brezash që bëri të mundur ditën e bekuar të 28 Nëntorit 1912. Akti i pavarësisë u ngrit pikërisht në majën e këtij mali heroizmi mbarë shqiptar. Por politika e ditës, me vesin e saj për të keqpërdorur gjithçka, e la në harresë thuajse të plotë. Në funksion të luftës për pushtet, Kryeministri Berisha e orientoi nderimin për nga Ahmet Zogu duke thuajse zbehur përsëri nderimin për Ismail Qemalin dhe të tjerë bashkëpunëtorë të tij, që kanë kontribuar shumë më tepër se Zogu në sjelljen e pavarësisë. Dhe po në funksion të luftës për pushtet, një tjetër segment politik i pushtetit, LSI, është ankuar se përse në festime nuk u përmend edhe Enver Hoxha! “Pyetja që ngrihet është me vend për sa i përket faktit se nuk flitet asgjë për figurën Enver Hoxhës. Sigurisht që nuk është normale”, ka deklaruar Petrit Vasili, nënkryetari i LSI-së. Në të vërtetë është krejt e kundërta. Nuk ka gjë më normale se të mos përmendësh një diktator në festën e shpalljes së pavarësisë. Është një arritje që festa e flamurit nuk u bë përsëri edhe festë e diktatorit komunist. E meta gjendet vetëm në mënyrën si mendojnë në lidershipin e partisë së Ilir Metës.
***
Ambiciet për ta shfrytëzuar festën për përfitime politike u panë qartë. Për qëllime politike, Berisha tentoi ta zhvendosë epiqendrën e festës nga Vlora e flamurit në Tiranë. Por nuk ia arriti, sepse i gjithë kombi u dynd në Vlorë. Bëri-ç’bëri Berisha, që kish deklaruar se në 28 qeveria do festonte vetëm në Tiranë, u detyrua të ndiqte nga prapa kombin dhe të shkonte në Vlorë. Pasojë kjo e një reflektimi thjesht populist, po për qëllime pushteti. Për populizëm vendosi edhe qeleshen në kokë gjë që e ka bërë edhe Enveri. Ndërkaq, glorifikimi që iu bë Ahmet Zogut, lidhet jo vetëm me nevojën që Berisha ka për votat e “Legalitetit”. Ai lidhet më shumë me nevojën që ky autokrat ka për të glorifikuar modelin e shtetit zogist si një formë autokracie, një hibrid të së cilës ai lakmon prej vitesh ta rivendosë në Shqipëri. Dhe që këto janë qëndrime në përputhje me interesa të luftës për pushtet e provojnë vetë bëmat dhe thëniet e Berishës. Nja 20 vjet më parë, kur Leka Zogu deshi të shkelte për herë të parë në Rinas, ishte po Berisha që e përzuri. Në po ato vite ishte po Berisha që i thurte lavde revolucionit të qershorit të Fan Nolit, ndërkohë që restaurimin e Zogut më pushtet me ndihmën e serbëve e përkufizonte si “ngricat e mëdha të dhjetorit të ’24 që ngrinë ëndrrën e madhe të demokracisë shqiptare”. E urrente Zogun? Aspak! Urrente vetëm rivalin e mundshëm për pushtet. Njëherazi, në kërkim të kultit të tij personal, hiqte një paralele historike mes revolucionit demokratik të Nolit dhe “revolucionit demokratik të Berishës”. Mos sot ka adhurim për Zogun? Aspak! Është thjesht loja cinike e luftës për pushtet. Autokratët duan vetëm vetveten.
***
Një qëllim politik fshihet edhe prapa qarjeve të LSI-së se nuk po përmendet (kupto nderohet) Enver Hoxha. Tentohet vota e masave të nostalgjikëve të Enver Hoxhës, radhët e të cilëve nuk është çudi të jenë shtuar, për shkak të qeverisjes së dështuar PD-LSI. Dhe aty ku shteti ligjor dështon, rrjedhoja më e pritshme është rritja e nostalgjisë për regjimin e vjetër sipas motos “ishim më mirë atëherë kur ishim keq”. Madje, Vasili nuk ka ngurruar t’u kujtojë shqiptarëve arritjet e periudhës së Enver Hoxhës si, për shembull, “hidrocentralet” gjë tipike kjo për shtete hidraulike të despotizmit oriental. Gjë që të jep të kuptosh se sa pak kanë reflektuar këta njerëz mbi natyrën e diktaturës që kemi kaluar, thelbi i të cilës nuk ishte, veçanërisht në dekadat e para, mosrealizimet në sferën materiale, por shtypja në progresion e lirisë qytetare. Por nëse në lidershipin e LSI-së do të kishin një aversion për thelbin e diktaturës, që është poshtërimi i njeriut me anë të dhunimit të lirive dhe të drejtave, nuk do kishin bërë si pa të keq qeverisje me autokratin Berisha që dikur e mallkonin aq shumë.
***
A duhet të flasë historia për Zogun dhe për Enverin? Pa dyshim. Edhe për arritjen e tyre. Por në radhë të parë, për arritjen e tyre më të zezë: nënshtrimin afatgjatë të shqiptarëve dhe që për këtë shkak u është kthyer thuajse në një zakon. Prandaj dhe e kanë të vështirë të kuptojnë lirinë qytetare, ta dashurojnë dhe të protestojnë në mbrojtje të saj. Kjo është plaga më e thellë që këta dy burra shteti, i kanë lënë kombit. Një plagë që po nuk u kurua do vështirësojë shumë ardhmërinë europiane të kombit. Prandaj nuk qe aspak rasti që në festën e kombit të flitej për ta.
***
Shqiptarët gëzojnë sot në dy shtete pavarësinë. Por ende jo lirinë qytetare. Ky duhej të ishte mesazhi festës! Por njësoj si nën komunizëm, kur pavarësia apo liria kombëtare shitej për liri shoqërore, nevojat e politikës e deformuan festën dhe bilancin e saj. Një bilanc historik që duke nisur me 28 Nëntorin e vitit 1912, duhej të shkonte më prapa në histori, deri te Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Madje deri edhe të ilirët po të doni. Ky vit duhej të kishte qenë viti i një analize të thellë i gjithë asaj trashëgimie bëmash, heroizmi, gjaku të derdhur dhe përkushtimi atdhetar brezash që duke shmangur asimilimin kombëtar, bënë të mundur ngritjen e flamurit në 28 nëntor. Festa nuk duhej të qe bilanc i 100 vjetëve të shtetit shqiptar që erdhën më pas. Edhe për vërtetësi historike, por edhe sepse është një bilanc i varfër që nuk ofron shumë për të festuar. Një periudhë që regjistron pak prosperitet dhe, mbi të gjitha, ku nuk ka aspak liri, por shumë skllavëri, dhunë, shtypje e nënshtrim. Mbi një bilanc të tillë vetëm mund të reflektohet për të gjetur se pse pas pavarësisë kombëtare, shqiptarët nuk krijuan dot për veten e tyre lirinë qytetare? Shqiptarët u shpallën të pavarur si komb, por nuk u bënë dot të lirë si qytetarë. Një objektiv i parealizuar ende, pengesa e vetme për integrimin e tyre në Europë, në botën e lirisë. Një objektiv që mund të realizohet vetëm me krijimin e pushteteve të pavarura nga Kryeministri, me president të pavarur, me KQZ të pavarur, me Kolegj Zgjedhor të pavarur, me kryeprokuror të pavarur, me gjykata të pavarura, me Kuvend të pavarur, me shqiptarë të pavarur që të gjithë së bashku, bëjnë të mundur zgjedhje të lira me rezultat të pavarur nga vullneti i një Kryeministri. Të gjitha këto Berisha po i pengon duke bërë të kundërtën. Dhe prandaj, megjithëse nuk humbi rastin edhe në këtë përvjetor, të brohorasë për lirinë e shqiptarëve dhe Europën mbetet, me vepra, kundërshtari më i dedikuar i lirisë dhe europianizimit të shqiptarëve.
Top Channel