Andrea Stefani – Shqiptarët janë sot të lirë kudo, në Shqipëri, Kosovë,
Mal të Zi, Maqedoni – ngjiret Sali Berisha nëpër tribunat e jubileut.
Asgjë nuk është më larg të vërtetës.
Më mirë se kushdo e kuptojnë shqiptarët e Preshevës apo ata të Maqedonisë. Por shqiptarët nuk janë ende të lirë edhe aty ku janë pavarësuar. As në Republikën e Shqipërisë dhe as në atë të Kosovës. Sepse nuk kanë ndërtuar LIRINË për vetveten! Kosova është në vitet e para të këtij procesi të vështirë. Ndërsa në Republikën e Shqipërisë, bilanci është 100 vjet dështim. Jo rastësisht sot, në përvjetorin e Pavarësisë, ata që thërrasin më shumë për lirinë, janë varrmihësit e saj dhe të demokracisë, politikanët, pushtetarët autokratë dhe mafiozë, pasuritë e dyshimta të të cilëve rrëzëllejnë në sfondin e murrmë të varfërisë popullore. Këta vrasës të lirisë, duan t’i verbojnë shqiptarët, t’ia u shesin tiraninë si liri duke e mbështjellë me flamur kombëtar, me ngjyra dhe shkreptima fishekzjarrësh pavarësie që e quajnë liri. Ashtu si kolonizatorët e hershëm u grabisnin indigjenëve arin duke u dhuruar rruaza dhe lecka me ngjyra. Vishen me flamujt e pavarësisë dhe të kombit, për të maskuar me “patriotizëm” identitetin e tyre si armiq të lirisë dhe kombit. Po armiq! Sepse kush është sot kundër lirisë dhe demokracisë, pa të cilat nuk begatohet dot kombi, është edhe kundër kombit.
***
Pavarësia, dalja më vete si komb, ishte çlirimi nga një zgjedhë shekullore që kërcënonte deri me asimilim të kombit. Prandaj shpallja e Pavarësisë me valëvitjen nga Ismail Qemali të flamurit dykrenor në Vlorë, vlerësohet si akti historik i ringjalljes së kombit. Por pavarësia ose liria kombëtare, duhet dalluar nga një tjetër liri, ajo qytetare dhe shoqërore. Prandaj edhe 28 Nëntori i sivjetshëm, bashkë me festën, është dhe çasti për të bërë një bilanc: Çfarë kanë bërë shqiptarët në këta 100 vjet pavarësi? Janë pushtuar përsëri dhe përsëri janë çliruar me kryengritje e luftëra heroike. Heroizëm që mund t’ia ketë zili çdo komb. Por jo atë që erdhi më pas. Sepse duke luftuar mes vedi egër për pushtet, kanë shpenzuar mbi 60 vjet kaos politik, monarki autokratike dhe republika diktatoriale. Për të arritur te dekadat e tranzicionit të një shteti hibrid ku, si në një Minotaur të dalë mendsh, përleshen koka e bishës autokratike me trupin e demokracisë. Një bilanc i trishtë që tregon se me pavarësinë nuk ka ardhur liria. As pas 100 vjetësh. Prandaj 100-vjetori i pavarësisë duhej të fokusohej tek akti i ngritjes së flamurit të shqiptarëve. I vetmi akti i lavdishëm dhe si i tillë i pakritikueshëm. Sepse gjithçka tjetër vjen më pas, është e dyshimtë, e debatueshme, ngjarjet, pozicionet, personalitetet. Dhe nuk ka asnjë kuptim që në përvjetorin e pavarësisë kombëtare, të lartësosh figura me kontribute në shtypjen e lirisë qytetare dhe shoqërore. Ambicia për pushtet absolut e shtyn sot Berishën të mburrë dhe lartësojë në piedestal Zogun I. Edhe pse ky i fundit nuk bëri asgjë për lirinë qytetare, madje ka vrarë në emër të pushtetit. Gjë që e ka bërë edhe Berisha vetë dhe që ndoshta bash për këtë, duke i falur lavdi Zogut, tenton të hapë shtegun e lavdisë historike për veten. Në një masë ose në një tjetër, lavdërimi i Ahmet Zogut është lavdërim i një regjimi qartas autokratik. Dhe kjo nuk është në favor të projektit të lirisë. Nisur nga një logjikë e tillë e pushtetit, nesër, dikush tjetër mund të nderojë Enver Hoxhën. “Merita historike” stisen me bollëk dhe fare lehtë nga skribët e regjimeve. Kur mburr autokratizmin ke hapur shtegun për mburrjen e diktaturës. Sepse autokratizmin dhe diktaturën pak gjëra i ndajnë. Por që të dy janë armiq të lirisë.
***
Mëvetësia, liria kombëtare fitohet. Ajo finalizohet me një akt. Liria qytetare dhe shoqërore është proces, ajo ndërtohet. Dhe vendeve europiane i janë dashur shekuj për ta ndërtuar lirinë qytetare, për të ngjizur mendësinë e lirisë, për të ndërtuar, hap pas hapi, legjislacionin dhe institucionet e lirisë. Në Britani, për kalimin nga tirania e mbretit Henri VIII që nuk njihte as një ligj, e deri te revolucioni i lavdishëm që çoi në rrëzimin e James II dhe miratimin e ligjit mbi të drejtat (Bill of Rights), u deshën rreth 200 vjet. Gjatë kësaj periudhe, në emër të barazisë para ligjit, iu pre koka edhe një monarku, duke dhënë kështu mesazhin se po niste një epokë ku askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Në Shqipëri, Kryeministri Berisha qëndron mbi ligjin dhe tallet e manipulon si të dojë me të, duke i ngritur kurthe ligjore lirisë dhe demokracisë. Politikanë të korruptuar pranë tij, nuk ndëshkohen dot nga ligji duke u bërë të paprekshëm nga drejtësia. Skandalet korruptive e të pandëshkuara të Lulzim Bashës, Fatmir Mediut dhe Ilir Metës, komentohen ende në forume dhe botime ndërkombëtare si dështim spektakolar dhe alarmues i pushtetit të drejtësisë në Shqipëri. Në pikëpamje të lirisë qytetare Shqipëria është prapa Europës nja 100 vjet.
***
Liria nuk vjen automatikisht me çlirimin nga i huaji. Por ajo nuk ka ardhur as pas rënies së diktaturës komuniste. Pse? Sepse përveç se me rënien e një diktatori, liria ka të bëjë me zbatimin e parimeve të tilla sikundër është barazia para ligjit që, nga ana e saj, nuk realizohet dot pa ndarjen e pushteteve. Liria kërkon të ndërtosh sistemin e lirisë. Kjo, përveçse ngritjen e turmave në nivelin e popullit, demosit liridashës, kërkon edhe ekzistencën e elitave të dedikuara ndaj sistemit të lirisë. Nëse të paktën njëri nga këta faktorë nuk është prezent, bashkë me pavarësinë do të vijë jo liria, por fillimisht kaosi si konflikt i pafund politik dhe më pas autokratizmi, diktatura, “dora e fortë” që vë rregull. Dhe kjo ka ndodhur deri më sot në Shqipëri. Në Egjipt, pas rënies së Mubarakut, populli po ngrihet kundër një autokrati të ri që kërkon më shumë pushtet për vete. Në Shqipëri ka ende shqiptarë që e duartrokasin si lirisjellës, autokratin që prej mbi 20 vjetësh nuk u ngop së gllabëruari pushtet pas pushteti!
***
Pavarësia mund të fitohet, dhe përgjithësisht kështu ka ndodhur, edhe në mungesë të mendësisë dhe institucioneve të lirisë qytetare. Edhe një karakter tiranik mund të luftojë për lirinë e vendit nga një forcë e huaj. Veç duke bërë këtë, ai hap rrugën jo për lirinë, por për sundimin e tij. Nuk e thotë, por e bën. Mbreti Henri VIII nuk e bëri më të lirë Anglinë kur e mëvetësoi nga Kisha Katolike Romane. As Enver Hoxha nuk e bëri më të lirë Shqipërinë kur e çliroi nga nazifashizmi. Përkundrazi! E pavarësoi deri në ekstrem nga bota, deri në izolim. Por izolimi është krejt e kundërta e lirisë. Shqiptarët, ndërsa duartrokasin sot politikanët, duhet të kuptojë se pavarësia nuk është përherë liri. Madje jo rrallë ajo shndërrohet në një skllavëri të re. Mund të fitosh mëvetësinë, por mund të mos e arrish kurrë lirinë. Ky është pikërisht rasti shqiptar. Pas largimit të otomanëve nuk erdhi liria. As pas largimit të francezëve, austriakëve, grekëve, italianëve apo serbo-malazezëve në mbarim Luftës I Botërore. As pas largimit të fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë pas Luftës II Botërore. Shqipëria është çliruar shumë herë nga pushtues të shumtë, por flamuri i saj kombëtar nuk e ka prekur as edhe një herë në këta 100 vjet qiellin e lirisë. Sepse tiranitë dhe diktaturat nuk kanë lejuar që Atdheu të ketë një qiell të kthjellët lirie. Mëvetësia është të shpëtosh nga shtypja e huaj. Liria është të shpëtosh nga shtypja e shqiptarit prej shqiptarit. Por ç’është shtypja? Është dhunimi, me mjete e forma të ndryshme, i lirive dhe të drejtave të njerëzve. Pa liritë dhe të drejtat, mëvetësia zëvendëson thjesht shtypësit, por nuk zhduk shtypjen, dhunimin e lirive dhe të drejtave. Dëshmi për këtë janë regjimet që ka përjetuar Shqipëria pas shpalljes së Pavarësisë. Si monarkia e Zogut ashtu edhe diktatura komuniste nuk kanë pasur asgjë të përbashkët me lirinë. Por ngatërrimi, përzierja si në një kazan çorbe, i pavarësisë me lirinë, i lirisë kombëtare me lirinë shoqërore, u ka lejuar tiranëve, maskarenjve dhe sharlatanëve të politikës, që ta paraqesin diktaturën apo autokratizmin si liri. Si një nga këta sharlatanë, streha e fundit e të cilëve është patriotizmi, shfaqet edhe Sali Berisha në përvjetorin e 100 të shtetit shqiptar kur brohoret: Liri!
***
Liria qytetare dhe shoqërore shkruan Xhon Stjuart Milli themelohet duke i vënë kufij aftësisë dhe prirjes së qeverisë apo shoqërisë për të ndërhyrë, qoftë edhe ligjshmërisht, në jetën e njeriut. Që të jenë të lirë, njerëzit duhet të jenë të aftë të qethin gjarpërinjtë e epshit për sundim që gëlojnë në kokën e Meduzës, në kokën e çdo pushteti. Dhe kjo arrihet vetëm me institucione e gjykata të pavarura nga qeveria. Moskuptimi i këtij parimi themel për lirinë nga një masë kritike shqiptarësh, ka bërë që edhe qeveri despotike, diktatoriale dhe autokratike të duartrokiten gjatë gjithë shekullit që lamë pas, si lirisjellëse apo lirimbrojtëse. Ka ardhur koha të kuptohet dallimi mes çlirimit dhe lirisë kombëtare nga njëra anë, dhe lirisë qytetare e shoqërore nga ana tjetër. Ahmet Zogu bëri jo pak për daljen e Shqipërisë nga kaosi, duke krijuar, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, një shtet relativisht stabël. Enver Hoxha bëri jo pak për çlirimin e Shqipërisë në vitet e Luftës II Botërore. Edhe ai krijoi një shtet edhe më stabël. Në këtë kuptim ata mund të kualifikohen si shtetarë dhe çlirimtarë. Por kjo nuk i bën lirisjellës. Sepse lufta e tyre për çlirim apo përpjekja shtetndërtuese, u shfaq e gërshetuar me gjakimin e tyre për sundim personal dhe absolut. Ata penguan zbatimin e parimeve që bëjnë të mundur lirinë. Ata dhe kastat e tyre qeverisëse, shkelën barazinë para ligjit duke i ngritur mbi ligjin, duke u bërë të paprekshëm nga ligji. Ligji u bë kamxhik i diktaturave të tyre. Ata nuk lejuan ndarjen e pushteteve duke u shndërruar në sundimtarë absolutë. Sundimin nga i huaji ata e zëvendësuan me sundimin e shqiptarit nga shqiptari. Dhe ky i dyti, nuk ka qenë më pak mizor, më pak i përgjakshëm se i pari. Madje shfaqet edhe më i rrezikshëm. Sepse ka aftësinë të kamuflohet me atdhedashuri, me kontributet e dhëna për lirinë e Atdheut, me gjakun e të rënëve. E si mund t’ bëjnë keq Atdheut (aq më pak të tradhtojnë interesat e tij) ata që kanë udhëhequr luftëra kundër pushtuesve të huaj, pra ata atdhetarë! Por mjerisht ka ndodhur pikërisht kështu. Kanë qenë çlirimtarët ata që, pasi kanë spastruar truallin politik nga sundimi i huaj, janë ngjitur në pushtet për të qëndruar pafundësisht atje, duke vrarë lirinë e çdo shqiptari, pra dhe të Shqipërisë, “në emër të Atdheut apo Popullit! Dhe janë duartrokitur për këtë. E që Atdheu ynë i dashur vazhdon të jetë, edhe pas 100 vjetësh nga themelimi, një ndër shtetet më të varfra në botë, kjo i dedikohet pikërisht vrasjes së lirisë nga qeverisësit e pavarësisë! Këtë nuk e pranojnë vetëm ata që nuk e kanë idenë e lirisë si forcë, si zhvillim. Ose që janë derra të privilegjuar që ndihen rehat në llumin skllavërisë.
***
Pikërisht mungesa e këtij bilanci mësimdhënës, është një nga mangësitë e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, ndërsa epshet për sundim absolut janë kreshpëruar përsëri. Autokratë si Berisha, qeveritarë dhe politikanë të korruptuar, po shfaqen me triumfalizëm komik, si patriotë nëpër tribuna të duartrokitur nga turmat budallaqe, që nuk kuptojnë se po lëshojnë nga gurmazet hosanara për katil-rezilët që i grabisin, varfërojnë, skllavërojnë dhe mashtrojnë! Është një orgji e neveritshme urdhri i “Salës” për të therur mijëra qengja e desh për nder të festës. Një kasaphanë e propagandës e vjetër sa skllavëria. Edhe diktatori i Romës shtronte tryeza të tilla masive për plebenjtë dhe skllevërit. Çfarë fyerje për çdo shqiptar që gënjen veten duke e pandehur qytetar të lirë! Dhe sa më të mëdhenj shtrihen flamujt e kombit në fasadat e shtetit, aq më shumë të bëhet se qeveritarët po rreken ta përdorin shqiponjën, si një gjethe fiku për të maskuar me “patriotizëm” hallatet e korrupsionit, gropën që po i hapin lirisë dhe integrimit në Europë. I kanë prerë edhe gjuhën kinse që të mos flasë, të mos denoncojë mashtrimin. Nuk thonë kot: Patriotizmi do të mbetet përherë streha e fundit e maskarenjve që nuk paskan fund në Shqipëri! Dhe nuk do të kenë fund, edhe për 100 vjet të tjerë, nëse nuk ndërtohet sistemi i institucioneve të pavarura që duke kufizuar pushtetin e qeveritarëve për të ushtruar padrejtësi mbi shtetasit, mbjell, forcon dhe përjetëson lirinë e njerëzve duke i shndërruar në qytetarë. Vetëm atëherë shqiptarët, në Republikën e Shqipërisë apo edhe në Kosovë, do të jenë edhe të pavarur, por edhe të lirë.
Top Channel