Rikthehen agrumet e Sarandës

25/11/2012 00:00

Prodhuesit e agrumeve kanë rritur sipërfaqet e mbjella dhe prodhimin, duke  mbizotëruar për herë të parë pas shumë vitesh në tregun vendas, por edhe atë kosovar.

Fermerët, në komunën e Xarrës në Sarandë, tregojnë se ky ka qenë një vit i mbarë, pasi kanë vjelur rreth 150 kilogramë fruta për rrënjë. Ata thonë se kanë punësuar qindra familje nga zona të tjera të vendit, pasi i gjithë prodhimi shitet.

Ndonëse janë të kënaqur me organizimin e bërë këtë vit, që nga prodhimi deri në shitjen e produktit, ata kërkojnë përmirësime në infrastrukturë.
 
Xarra, një prej komunave më të skajshme në jug të Shqipërisë, në Sarandë, po kthehet sot në prodhuesin më të madh të mandarinave në rang kombëtar. Rreth 100 fermerë të kësaj zonë kanë mbjellë një sipërfaqe prej 320 ha me mandarina, me prodhim vjetor rreth 7 mijë ton për vitin 2011, ndërsa këtë sezon do të vilen rreth 10 mijë ton mandarina.

70% e këtij prodhimi do t’i shkojë këtë vit tregut kosovar. Tregtarët nga Kosova, të pranishëm në festën e mandarinave organizuar nga fermerët e Xarrës, shprehen se ky bashkëpunim do të ndikojë dhe në uljen e papunësisë së dy vendeve.

Sipas kreut të komunës Xarrë, Dhimitër Kote, 50 fermerë të rinj do t’i shtohen listës së prodhuesve, të gjithë të rikthyer nga emigracioni i gjatë në Greqi, që kërkojnë të shtojnë sipërfaqet e mbjella, por sfida e radhës për fermerët do të jetë rehabilitimi final i sistemit ujitës.

Përfaqësues të USAID, të cilët kanë mbështetur fermerët e Xarrës, thanë se do të bashkëpunojnë me qeverinë shqiptare për të nxitur më tej fermerët, që të zotërojnë tregun rajonal me prodhimet e tyre.

Top Channel