Fishta, unë dhe artefakti

25/11/2012 00:00

ILIR YZEIRI – Sa më shumë që afron dita e 28 Nëntorit, aq më shumë më shtohet stresi dhe ankthi.

Meqenëse i kam jetuar që të dyja periudhat, pra si atë komunisten si këtë të tranzicionit demokratik, me intensitet të lartë për shkak të moshës dhe naivitetit, çdo ditë që kalon më sjell në përfytyrim imazhe gati halucinante. Festat ka kohë që nuk më japin gëzim, por më trishtojnë, sepse në të dyja regjimet, si në këtë të tranzicionit demokratik, si në atë të socializmit komunist, ne shqiptarët nuk dimë të gëzohemi, nuk dimë të festojmë: ne zdërhallemi në avuj patriotikë e romantikë dhe ashtu si ata popujt primitivë, i mbushim sheshet e rrugët me lloj-lloj ngjyrash e simbolesh, duke krijuar një ambient folklorik gati të neveritshëm, që në ndonjë rast ngjet me ato festat e atij shtetit në Afrikë, ku virgjëreshat stolisen gjithë lajle e lule dhe parakalojnë para mbretit që ai të zgjedhë gruan e radhës. Në teoritë e komunikimit përmendet se ekziston një larmi e madhe formash e mjetesh të komunikimit. Një ndër to është edhe artefakti. Artefakti është vendi ku rri apo ku ankorohet një thënie me karakter publicitar, pedagogjik ose me ndonjë ngjyresë tjetër. Si artefakt shërbejnë billbordet, dërrasa e zezë, një mur, ekranet e çdo lloji, shkurt çdo vend i dukshëm ku shfaqet një thënie që bëhet pjesë e komunikimit publik. Gjithkush që shkruan apo shfaq diçka mbi një sipërfaqe në një ambient publik hyn në marrëdhënie me të dhe kërkon të transmetojë një mesazh të caktuar. Artefakti është një mjet pra i komunikimit publik veçanërisht. Pas tij është një thënës që i drejtohet një bashkëthënësi dhe një publiku të caktuar.

Në kohën e socializmit komunist, sheshet e rrugët mbusheshin me portretet e klasikëve të marksizëm-leninizmit, të anëtarëve të Byrosë Politike dhe të Enver Hoxhës. Ky dekor mund të gjendet ende në Korenë e Veriut. Ndërsa në këta vjet tranzicion, flamuri ynë kombëtar, kjo shenjë e pafajshme, po shqyhet e po kthehet gati në një “pece” siç thoshte Fishta, sepse të marrët e këtij vendi po e presin dhe e vendosin në të gjitha format e në çdo përmasë. Ishte një zgjidhje dhe një gjetje e bukur vendosja e flamurit në pjesën ballore të 15-katëshit. Edhe nga pikëpamja e raporteve hapësinore, aty shkon dhe rri shumë bukur. Është në pozicion vertikal dhe imitohet në një farë mënyre edhe mbajtësi i flamurit. Të duket sikur mbështetja mbi strukturën horizontale i jep formë dhe gjallëri shtrirjes në lartësi të flamurit. Mirëpo nuk ishte e thënë që ky imazh i gjetur të shijohej dhe të ruhej masa. Spikerja e Kuvendit vendos në gjithë gjerësinë e ndërtesës së ish-Komitetit Qendror një flamur të shtrirë në formë horizontale që ngjet më tepër me rrjetat që vendos një kompani që monton skela ndërtimi. Flamuri i shqyer dhe i hedhur në këtë mënyrë është një imazh makabër. E si për ta plotësuar këtë dekor barbar e primitiv, neonet e bulevardit të madh lidhen me njëri-tjetrin me një copë të madhe bezeje të kuqe e të zezë që shënjon flamurin në gjendje të lagur, që të duket si një batanije e madhe zbori që e shtrydhin nga të dyja anët. Tiranasit paskan edhe një shprehje për këtë nderje makabre të flamurit në tel: “si brekushet e Ijes”. Makabriteti nuk mbaron këtu. Një dekor tjetër me hunj e shtylla të stilizuara me të kuqe e të zeza e bëjnë mjedisin në Tiranë të zymtë.

Raporti i të kuqes me të zezën në flamurin tonë kombëtar nuk është 50 me 50. Shqiponja është e zezë, ndërsa sfondi është i kuq. Mirëpo ca shtylla si ato të telefonit në kohën e fillrojtësit Dedë, kanë mbirë para Bashkisë së Tiranës dhe të ngjajnë si vende ku mund të vihen fare mirë lajmërime vdekjesh ose vende ku mund të afishohen nekrologji për vdekje mediokre. Po si shpjegohet e gjitha kjo? Mund të ketë shumë interpretime. Mirëpo ajo që ngjan si më e vërteta, është se me këtë lloj dekori dikush do të komunikojë një mesazh. Në çdo formë komunikimi kemi një destinues, pra kemi një thënës, i cili që në momentin kur hyn në komunikim me ne shfaq modelin e tij mendor dhe fjala apo shenja e zgjedhur sjell me vete gjithë skenarin ose kuadratin apo framin që ajo shënjon. Duke zgjedhur flamurin si shenjë të komunikimit me ne, kjo qeveri i mëshon fort simbolikës nacionale e romantike dhe kërkon që ta zhvendosë vëmendjen te historia, te miti i Skënderbeut, te lavdia e Motit të Madh. Kaq e papërgjegjshme është, sa për ta bërë të dukshme dhe për ta theksuar pa fund këtë qëllim, e ka paraqitur flamurin e gjorë në të gjitha mënyrat e përmasat dhe e ka vendosur e nderur në të gjitha pozicionet. Projektimi te simbolet dhe në histori janë karakteristikë për vendet totalitare, të cilat nuk mbajnë përgjegjësi se si e qeverisin vendin, pra nuk japin llogari për të tashmen.

Ato qeverisin duke i bërë njerëzit të besojnë se po vijojnë traditat e së shkuarës dhe se ata janë pasardhësit e simboleve të së shkuarës dhe vijues të identitetit nacionalist. Komunistët shpallnin se nuk e kishin tradhtuar kurrë amanetin e të parëve, kriptokomunistët e sotëm në qeveri kanë shkuar më tej. Ata duan të na mbushin mendjen se po realizojnë edhe amanetet e të parëve. Ndaj flamuri i shkretë është ai që e pëson gjithë këtë histeri primitive të batakçinjve të pushtetit. Ndërkaq, ky përvjetor do të mbahet mend edhe për një simbolikë tjetër, për atë të 1000 deshve e të 1000 qengjave. Me të drejtë të gjithë pyesin, po ç’të keqe ka nëse për një festë të tillë si kjo, qeveria vendos të shtrojë një drekë gjigante dhe të gjithë mund të kenë mundësi të shijojnë diçka e të festojnë me yndyrën e mishit të dashit që u varet buzëve. Asnjë të keqe nuk ka. E keqja është diku tjetër. Po i rikthehem përsëri komunikimit, sepse në shoqërinë njerëzore, çdo marrëdhënie shoqërore realizohet përmes komunikimit fjalësor ose komunikimi fjalësor krijon ngandonjëherë një marrëdhënie të caktuar. Konkretisht. Nëse Sali Berisha do të ishte një Kryeministër serioz, që flet në publik vetëm atëherë kur ka mesazhe të rëndësishme për të dhënë, ai mund të kishte deklaruar në një rast të caktuar se me rastin e festës së 28 Nëntorit qeveria ka vendosur të ngrejë në çdo qytet të Shqipërisë restorante provizore dhe njerëzit mund të kalojnë aty dhe mund të marrin falas një racion mish dhe një copë tortë. Shpenzimet për to i heq qeveria.

Asgjë nuk do të kishte ndodhur. Gjithçka do të ishte në përputhje me normat e komunikimit të një vendi normal. Mirëpo Kryeministri ynë e përsëriti jo një, po disa herë se ministri i Bujqësisë duhet të gjente 1000 desh e 1000 qengja që do të theren. Sapo ai shqipton këtë thënie, na shfaq neve një model mendor që ka të bëjë me një kontekst tjetër. Për Kryeministrin tonë festa ka kuptim kur ajo shënjohet me kurban, kur në rrugë derdhet gjak dhe kur në vend të Ismailit, profeti i kërkoi që të theret një sheleg. Kjo amalgamë imazhesh dhe kjo përzierje kontekstuale e neverit festën dhe i fyen bashkëfolësit apo publikun, sepse imazhi i kurbanit apo i faljes lidhet me një rit të shenjtë të një feste fetare të caktuar dhe nuk mund të përdhoset vend e pavend.

Cilës Perëndi do t’ia blatojë gjakun e atyre bagëtive të pafajshme Sali Berisha? Askujt. Mirëpo komunikimi i tij është gjithmonë në kufijtë e karagjozit dhe të njeriut që nuk ka asnjë filtër në zonën ku konceptet rrokullisen në kordat e zërit e dalin jashtë në formë tingujsh. Ndaj të gjitha këto, flamuri, blegërimat e qengjave dhe gjaku që do të derdhet më kujtuan një poezi të Fishtës, atë me titull “28 Nanduer 1913”. Ai shkruan një vit pasi ishte shpallur Pavarësia dhe për fat të keq shqiptarët si atëherë si sot thuajse nuk kanë ndryshuar. Ja si shkruan ai:

“Oh, vaj! Oh kob! Oh marre e turp për ne!
Sot sheklli mbarë prir synin prej Shqyptarvet,
Me pa si përkujdesemi për Atdhe,
E si ju dishmojmë me punë na kundërshtarëvet
Se jemi të zott me u lidhë me besë e fe
Edhe vetë me sundue vendin e t’Parëvet:
E na haru e si polipa deti
Veç hupim syt me shkye ndo’i send për veti!…”
(Mrizi i zanavet)

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA