Përkujtohen firmëtarët e Beratit

24/11/2012 00:00

Berati është shndërruar në qytetin ku për herë të parë, që kur ka hyrë muaji i Pavarësisë, socialistët dhe demokratët kanë festuar së bashku. Kryeministri Sali Berisha ishte në Berat i ftuar nga kryetari socialist i bashkisë, Fadil Nasufi, jo për të bërë ndonjë inaugurim, por thjesht për të festuar Pavarësinë.

Si një nga qytetet që ruajti me fanatizëm disa nga trashëgimitë më të çmuara të kulturës shqiptare dhe botërore, si Kodikun e Purpurt të Beratit, i ekspozuar këto ditë në qytet, Berati krenohet në këtë 100-vjetor me 6 firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë, Bab Dudë Karbunara, Iljaz dhe Sami Vrioni, Dhimitër Tutulani, Qemal Bej Mullaj, Ferit Vokopola, Hajredin Çakrani dhe Xhelal Koprencka.

“Berati erdhi në vitet 1912 si një margaritar i vërtet i kulturës shqiptare, i kulturës europiane, i kulturës botërore. Erdhi në harkun e pavarësisë si një kështjellë e pamposhtur e aspiratave të beratasve dhe shqiptarëve për liri, dinjitet dhe pavarësi”, u shpreh Berisha.

Gjatë festimeve të Pavarësisë në Berat, kryeministri Berisha nuk harroi të ndëronte dhe të shprehte mirënjohjen edhe për të gjithë ata shqiptarë që, mes luftrash, sakrifikuan jetën gjatë këtyre 100 vjetëve për lirinë e kombit shqiptar.

“100 vite nuk kanë qenë të lehta për shqiptarët. Ishin vite copëtimesh, pushtimesh, diktaturash, por sot jemi të lirë në Berat, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe kudo që jetojmë. Ndaj dhe më të bashkuar se kurrë, rreth flamurit tonë kombëtar, të bëjmë gjithçka për të shndërruar në realitet ëndrrën e tyre, ëndrrën e bashkimit kombëtar, ëndrrën e tyre europiane”, tha Berisha.

Kryeministri dhe kryebashkiaku Nasufi ndanë së bashku dekorata mirënjohjeje për familjet patriotike beratase. Duke vlerësuar Këshillin Bashkiak të Beratit për këto vendime, kryeministri Berisha i cilësoi ato si vendime fisnike, pasi, siç u shpreh ai, “një komb i qytetëruar dallohet para së gjithash nga gratë dhe burrat që ai nderon”.

Ndërkohë, pasditen e së shtunës, në ambjentet e Kryeministrisë është përuruar një
ekspozitë me portretet e firmëtarëve dhe delegatëve të Aktit të
Pavarësisë.

Ekspozitë me firmëtarët e Pavarësisë

Në përurimin e kësaj ekspozite, që mban firmën e piktorit të njohur Arben Morina, ishte i pranishëm kryeministri Berisha, i cili vlerësoi lart figurat që i dhanë pavarësinë Shqipërisë.

“Nderim për firmëtarët dhe delegatët e Aktit të Pavarësisë. Themeluesit e pavarësisë ishin vizionarë që dhanë jetën. Në këtë 100-vjetor nderi më i madh u takon firmëtarëve”, ka deklaruar Berisha.

Kreu i ekzekutivit është shprehur se, pavarësisht kohërave të vështira që ka kaluar populli shqiptar, sot ëndrrat e firmëtarëve janë bërë realitet.

“Ëndrra e tyre për një komb shqiptar të lirë është bërë realitet. Të ndërtojmë një Ballkan evropian dhe me stabilitet në Evropë”, ka shtuar Berisha.

Gjatë muajit nëntor në qytete të ndryshme të vendit janë hapur ekspozita të shumta, në nder të figurave që çuan në shpalljen e pavarësisë.

Një ditë më parë piktori i Popullit, Nestor Jonuzi hapi në qytetin e Vlores një ekspozitë me punime që temën e marrin nga qyteti i flamurit.

Ekspozita është hapur në ambientet e Galerisë së Piktorëve dhe në tablotë e ekspozuara janë zgjedhur këndvështrime të qytetit bregdetar.

Për realizimin e kësaj ekspozite janë dashur dy vjet punë me përkushtim për të hedhur në telajo ngjyrat e forta të qytetit të pavaresisë dhe natyrën e bukuritë e tij.

Evenimente të tjera të rëndësishme ka qenë edhe ekspozimi i armëve të Skëndërbeut, si dhe ekspozita e flamujve në Tetovë, me nismë të kreut të PS, Edi Rama.

Top Channel