Aleksander Cipa – “Shka fshihet veç fshihet”. Kjo aforizëm ngrihet mbi
biseminë e fjalës, shprehet i dituri shqiptar i ditëve tona, i heshturi
si Sokrat, Petro Zheji, në librin e sapodalë të tij, “Libri i
aforizmave”. Kjo aforizëm mund të ketë lidhje me gjuhësinë dhe
filozofinë, por në mënyrën më adekuate ajo mund të konsiderohet një
aforizëm për karakterizimin e shtypit shqiptar në të shumtën e kohës së
100 vjetëve të bashkëjetesës me shtetin shqiptar.
Natyrisht në misionin natyral të shtypit, të vërtetat e një shoqërie dhe kombi në përditshmërinë e pasqyruar përmes tij, kanë raportin e përbashkësimit. Një aforizëm e tillë shpreh më së miri, atë ngjizshmëri në harkun kohor të 100 viteve mes shtypit shqiptar dhe realitetit të ndodhur dhe të përjetuar, këtë histori njëshekullore të shqiptarëve dhe shtetit tonë.
Në bibliografinë kombëtare, ditët e fundit Instituti Shqiptar i Medias ka sjellë një guidë të posaçme me titull “Faqja e Parë”. Janë pasqyruar në të, faqet e para të gazetave me shtrirje dhe ndikim kombëtar në hapësirën kohore të 100 viteve, duke zanafilluar me ngjarjen e themeltë për kombin dhe shtetësinë tonë, 28 Nëntorin e vitit 1912. Ky koleksion natyrisht që është vetëm një tregues për të dëshmuar kalimthi veçoritë spikatëse të një shtypi të shkruar, i cili në gjithë historinë e cikleve të shkurtra të botimeve dhe ndërprerjeve, të qarkullimeve dhe bllokimeve, të shpërndarjes dhe censurimit, ka mbartur spikatjen e të qenit një shtyp me mision kombëtarist dhe i angazhuar për realitetin dhe fatin historik kombëtar.
Ndryshe nga shtypi në disa prej vendeve më të afërta gjeografikisht me Europën Qendrore, shtypi shqiptar i 100 viteve karakterizohet nga një angazhim dhe përcaktueshmëri për kauzat ekzistenciale shqiptare. Në këtë zanafillë, shtypi i vitit 1912 si për shembull gazeta e përdymuajshme “Atdheu” dhe “Zer’ i Popullit” përkatësisht të shtypura dhe botuara e para në Konstancë dhe e dyta në Nju Jork, përcaktohen në shumicën e numrave të tyre për një mbështetje të shtetkrijimit dhe mëvetësisë shtetërore shqiptare. Në gjithë artikujt e gazetave në fjalë, spikat disponimi dhe devocioni për një shërbim ndaj ndërgjegjes kombëtare dhe të një entuziazmi që përbashkon atdhetarët kudo ku gjenden. Në këtë përcaktueshmëri dhe linjat editoriale të tyre, mbesin edhe gazeta të tilla më periferike si “Përlindj’ e Shqipërisë”, “Ushtimi i Krujës”, “Përparimi”, “Populli” etj. Kjo është periudha në të cilën në gjithë përmbajtjen e shtypit shqiptar, spikat prirja për të ngritur lart mbështetjen qytetare për Pavarësimin e vendit, për mëvetësinë shtetërore dhe ruajtjen e tërësisë tokësore të shtetit. Kjo është një periudhë e ndritur e identifikimit të misionarizmit të shtypit shqiptar në funksion të mbrojtjes së identitetit dhe vlerave të lirisë kombëtare. Matanë kësaj periudhe nis edhe shfaqja e ndarjes së gazetave mbi përcaktime shpesh edhe antagoniste politike në përmbajtjen e tyre dhe sidomos për qëndrimet që udhëheqësitë politike ndanin në realitetin politiko-ekonomik e social të vendit. Në vitet 1920, edhe pse vijohet ruajtja e tipareve të një shtypi patriotik dhe militues për ndërgjegjen dhe aspiratat e identitetit shqiptar, për interesat kombëtare në raport me fqinjët dhe me provokacionet e ardhura nga mjedisi politik ballkanik, sërish shfaqen dy modele qëndrimesh redaksionale, të cilat duhen vlerësuar si lloji i gazetave që shënojnë shtypin plural shqiptar në krejt historinë e shtypit tonë. Gazeta më tipike e kësaj kohe “Koha” e botuar nga Koço Grameno dhe që qarkullonte në Korçë, spikaste për pretendimin dhe qëndrimet e një organi të paanshëm, i cili sillte një model të munguar gazete në skenën e shtypit dhe që plotësonte disa prej cilësive të lëvdueshme të një gazete informative dhe me qasje të mirëvlerësuar ndaj vlerave të kulturës dhe veçanërisht letërsisë shqipe. Në këtë periudhë në vend nisën të qarkullonin një numër i konsiderueshëm gazetash të përmuajshme dhe javore si “Posta e Korçës”, “Shkumini”, “Dit’ e re”, “Tirana”, etj.
Pas viteve 1924 në titujt e shtypit shqiptar vijnë edhe të tjerë të cilët e pasurojnë përmbajtësisht dhe pluralisht informimin dhe vlerat publicistike shqiptare. Në gazeta të tilla si “Shqipëtari i Amerikës” apo revistën e famshme “Neo-shqiptarisma”, “Kombi” dhe sidomos të përditshmet e viteve 1930 si “Besa”, “Tomori” sillet një kontribut që dëshmon, pse jo edhe krenari krahasuese me shtypin ballkanik dhe atë europian, jo vetëm një nivel dijesor dhe profesional të publicistëve shqiptarë, por më së shumti një shkollë tipike të raportimit dhe informimit, mbi kritere dhe veçanësi deontologjike.
Pas viteve 1938 në historinë e shtypit shqiptar shënohet një kapitull i lindjes së shtypit revolucionar dhe atij me përmbajtje të thellë antagonizmash mes kampeve apo palëve të ndara politike brenda vendit dhe okupatorëve të huaj. Kjo periudhë e përngjashme me shumicën e shtypit në vendet e Ballkanit dhe të Europës, e shndërroi shtypin shqiptar në model të pamfletit, buletinit dhe sidomos traktit ku spikasnin vetëm zhanret e polemistikës dhe të propagandimit militantesk. Kjo periudhë e parë në këndvështrimin profesional, do të rrënjoste në mendësinë dhe stereotipinë profesionale të më shumë se dy apo tri dekadave pasuese, frymën revolucionare dhe ideologjizimin e shtypit. Më pas do të vijonte një dydekadësh tjetër, deri në fund të viteve ‘80, ku shtypi shqiptar i sunduar plotësisht prej vargonjve dhe vigjilencës ideologjike të partisë sunduese, do të mbetej më tipiku ose më saktë shtypi me deontologji të nënshtruar nga kriteret ideologjike dhe misionarizmi dogmatik për politikë. Për letërsinë shqipe të shkruar gjatë kësaj periudhe të regjimit komunist, teoricienët kanë gjetur termin e saktë të socrealizmin. Në njëfarë përcaktimi ky term vlen edhe për gazetarinë e shkruar të këtyre dekadave, ajo ishte realisht një publicistikë socreale, e cila kishte për qëllim jo informimin, por brumosjen dhe për mision, të qenit armë në duart e asaj partie.
Në harkun kohor nga vitet 1988 deri në vitin 1990, në shtypin shqiptar spikat një tendencë e qartë e rebelimit të qasjeve dhe ideve që zgjeronin referencën krahasimtare të lirisë ideologjike dhe shtypëse të regjimit në vend, në raport me ato jashtë perimetrit tonë shtetëror. Në gazetarinë e shkruar të katër-pesë viteve në prag të shembjes së diktaturës, po identifikohej një valencë e re dijesh dhe informimi nga elita e vendit, jo vetëm për ekzistencën e një hapësire tjetër globale, por më së shumti për një sistem i cili kontrastonte si nata me ditë me atë që kishte burgosur shoqërinë shqiptare. Ky misionarizëm dhe shërbim që po kryente shtypi shqiptar, duke u përleshur egërsisht me kontrollin ideologjik të asaj partie, mishërohej në numrat e gazetave “Drita” në vitet 1989-1990 dhe “Zëri i Rinisë” dhe do të krijonte kontrastueshëm identitetin e ri të shtypit shqiptar, i cili do të triumfonte si model i ri në fillim të viteve 1990 me gazetat “Rilindja Demokratike”, “Koha jonë”, “Dita informacion”, “Populli Po”, “Java” e do të pasonte me të tjera të përditshme si “Gazeta shqiptare”, “Shekulli”, “Albania” etj., etj.
Në historinë e shtypit shqiptar të pas viteve 1990, shënohet jo vetëm një kapitull i ri historik, i cili vlerësohet për mitin real të pluralizmit dhe mishërimin e tij faktik, por edhe për modelimin e një shtypi që huazoi shumëçka prej gazetarisë së shkruar të Perëndimit dhe shqoi ambicien për ta imituar atë edhe në modelime te të përditshmet e shumta.
Në këtë rilindje të shtypit privat dhe plural, siç quhet prej shumëkujt, po udhëtohet duke krijuar disa prej piketave apo cilësitë identifikuese të gazetave, gazetarëve dhe në përgjithësi është investuar në shumëplanësi për një identitet, i cili ende mbetet i munguar. Në harkun kohor të viteve 1991 deri në vitet 1999, shtypi shqiptar dhe sidomos tendencat e linjave editoriale të redaksive, ngulmonin të huazonin diçka prej modeleve të polemikës publicistike dhe asaj politike të viteve 1930-1940. Kjo nuk ishte rikthim në të njëjtën tipologji, por tendencë për të trashëguar dhe zbatuar të njëjtin identitet të modelit publicistik, pavarësisht se në shumicën e herëve dhe në jo pak gazeta, u ngjizën modifikime sharlataneske.
Të kërkosh një identitet të gazetarisë së shkruar shqiptare në vitet 2012, duket se mbetesh gafil. Është e vështirë për arsye të shumta, por më së shumti për shkak të mos besnikërisë së publicistëve dhe në veçanti të gazetarëve shqiptarë të dekadave të 100 vjetëshit ndaj njërës apo tjetrës shkollë. Për ta karakterizuar përkatësinë tonë shkollore, na vlen e thëna e kolegut tonë të shumënjohur Fatos Baxhaku se: “Sa herë më pyesin nëse i përkas shkollës anglosaksone të reportazhit, apo asaj latine, ndjehem në siklet”.
Megjithatë, “Shka fshihet veç fshihet”. Kjo qenie në këtë raport të ndërmjetëm mes kaheve politike apo palëve, mes bisemisë së fjalës dhe realitetit të kryer, duhet kërkuar edhe për një kohë të ardhme identiteti profesional i shtypit shqiptar. Koha e sotme e bën edhe më të vështirë ngjizjen e këtij identiteti të munguar. Nuk është fjala për arsye të rikthimit në modelin klasik të antagonizmit bipartizan, por për shkak të problematikave që zbulohen në raportet mes posedimit, plejadës së sotme të gazetarëve, sfidave ekzistenciale në të cilat gjendet shtypi i një skene kaotike dhe në veçanti prirjet e pakthyeshme të zgjerimit të skenave mediatike në hapësirat administrative kah një hapësire gjeografike të integrimit të etnisë sonë. Megjithatë, kur flasim për identitetin e munguar, formula apo çelësi që sugjerohet prej teoricienëve dhe vëzhguesve që merren me fenomenologjitë e sotme mediatike në vend, gjendet përkueshëm me pyetjen apokrife të dishepujve për hyrjen në Mbretërinë e Qiejve, të cilët morën këtë përgjigje:
“Kur do ta bëni dyshin një, dhe kur do ta bëni të brendshmen si të jashtmen dhe të jashtmen si të brendshmen, dhe atë që është lartë si atë që është poshtë, dhe kur do ta bëni burrin grua dhe gruan burrë që këta të dy të jenë një gjë e vetme… atëherë pó, do të hyni në Mbretërinë e Qiejve”. * Atëherë shtypi ynë do ta fitojë kohën e pasjes së identitetit . Në këto 100 vjet që shkuan, e kemi të munguar, por jo të panisur këtë identitet dhe kjo është më shumë se inkurajuese.
Top Channel