Andrea Stefani – Një nga tiparet më të qenësishme të politikës së Sali
Berishës është hedhja e fajit kundërshtarëve politikë. Edhe për gabime
apo krime që ndodhin për fajin e qeverisjes së tij. Ka mbi 20 vjet që e
zhvillon po u lodhur këtë lloj alibie që është bërë aq tipike për të sa
mund të quhet “salibi”.
I toleroi piramidat financiare me parullën “me ne fitojnë të gjithë” dhe kur ato u shembën tha: I ngriti opozita”! E sulmoi me avionë e paramilitarë popullatën e revoltuar nga grabitja e parave, dhe kur kjo u armatos për vetëmbrojtje, akuzoi opozitën për revolucion të armatosur. Pak vite më vonë u vërsul me fanatikët e tij me kallashë e bazuka mbi Kryeministri dhe institucione dhe këtë grusht shteti të armatosur e justifikoi me mashtrimin: Kryeministri Nano vrau Azem Hajdarin! Sot, mbas thuajse 8 vjet qeverisjeje, kur është e qartë se nuk ka asnjë dëshirë ta integrojë Shqipërinë me bashkësinë e shteteve ku ligji u kërkon llogari pushtetarëve për korrupsionin e tyre, Berisha po përpiqet të prodhojë “salibinë” se është përsëri opozita dhe kundërshtari i tij kryesor, Edi Rama, që po pengojnë marrjen nga Shqipëria të statusit të kandidatit. Një mashtrim që hidhet poshtë nga vetë gjendja e mjeruar e punëve në Shqipëri dhe në radhë të parë, në ndërtimin e shtetit ligjor me pushtete të ndara dhe të një demokracie me zgjedhje të ndershme.
***
Maskimit të antieuropianizmit autokratik të Sali Berishës i shërben edhe pretendimi më i fundit se Shqipëria nuk do ta marrë statusin e kandidatit për shkak të mosmiratimit nga opozita, të atyre që njihen tashmë si tre ligjet kusht. Një pretendim që nuk konfirmohet as nga deklarimet e ambasadorit të BE në Tiranë, Ettore Sequi. Në një prononcim më të fundit për këtë çështje, Sequi nënvizoi se për marrjen e statusit duhen plotësuar disa masa ndër të cilat numëroi jo vetëm miratimin e “tre ligjeve kusht”, por (gjë që nuk figuron në një pjesë të raportimeve nga media) edhe progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe që çështja e statusit të kandidatit nuk varet vetëm nga miratimi i tre ligjeve në Kuvend vërtetohet edhe nga deklarimet e qeverisë holandeze me anë të ambasadorit të saj në Tiranë. Holanda këmbëngul të peshojë zhvillimet reale të shtetit ligjor në Shqipëri bazuar në kriteret e Kopenhagës për demokracinë, sundimin e ligjit apo të drejtat e njeriut. Mbi këtë bazë, dhe jo në faktin e votimit apo mosvotimit të tre ligjeve kusht, Holanda ka arritur në opinionin se “Shqipëria nuk është ende gati për statusin e vendit kandidat”. Një opinion që, i bazuar në gjendjen reale të demokracisë në Shqipëri dhe jo mbi “magjinë” e miratimit të tre ligjeve kusht, nuk mund të ndryshojë edhe me ndryshimin e qeverisë siç shpresonte ministrja e Integrimit, Bregu. Për më tepër, Holanda ka bërë të qartë se edhe më e rëndësishme është që ligjet e miratuara zbatohen në jetë. Një specifikim që nuk harmonizohet fare jo vetëm me gjendjen skandaloze të ligjshmërisë në shumë rrafshe, por edhe me skandalin që po ndodh prej dy vjetësh në Qarkun e Fierit ku, për shkak të moszbatimit të ligjit, opozita e penguar prej Kryeministrit Berisha, nuk ka mundur të qeverisë as edhe një ditë të vetme edhe pse i ka fituar zgjedhjet në atë qark. Rrëmbimi nga qeveria i pushtetit të fituar me votë nga opozita, duke përdorur trafikim të pista mandatesh të këshilltarëve në komuna e bashki, si dhe kapje segmentesh të gjykatave, është prova më alarmante e degradimit të projektit të shtetit të së drejtës. Duke këmbëngulur që miratimi i tri ligjeve kusht, të bëhet krahas me zbythjen e Berishës nga puçi i Fierit, opozita nuk kërkon asgjë më shumë sesa atë që thekson edhe qeveria holandeze, vënien në jetë të ligjeve të miratuara dukuri kjo shumë e rëndësishme për integrimin. Shqipërisë nuk i duhet një shtet ligjor në letër, por një shtet ligjor real, jo një integrim në letër, por një integrim real në Europë. Pas këtij deklarimi të qeverisë holandeze, bëhet e qartë se Shqipëria nuk mund ta marrë statusin e kandidatit këtë dhjetor, edhe sikur të gjithë qeveritë e tjera të Këshillit Europian të shpreheshin për të kundërtën. Pas kësaj, opozita mund të zgjidhte t’i votonte dy ligjet në fjalë, si dhe rregulloren e Parlamentit, për t’ia lënë “kopilin” në derë qeverisë. Por ajo bëri krejt të kundërtën. Bëri një akt ndershmërie dhe devocioni ndaj së vërtetës dhe të drejtës, ndaj demokracisë dhe shtetit ligjor real, edhe pse me rrezikun e marrjes mbi vete të damkës së bllokueses së integrimit nga bllokuesi i vërtetë i integrimit që është Kryeministri Berisha. Nuk ka dyshim që ky i fundit do t’u bjerë tam-tameve, do t’u fryjë borive për “opozitën që sabotoi integrimin”. Do ta shndërrojë madje në flamur të fushatës në zgjedhjet e ardhshme. Por vështirë se do të ketë sukses. Koha kur komunisti Berisha triumfonte duke e akuzuar opozitën si komuniste ka perënduar. Dhe vështirë se do të ketë agim të një kohe ku antieuropiani Berisha, që i ka sytë nga Erdogani, Putini apo Urbani, do të triumfojë duke e akuzuar opozitën si antieuropiane. Nuk do jetë e vështirë që shqiptarë dhe jo shqiptarë, të kuptojnë se kanë të bëjnë me një nga “salibi”-të e shumta të Sali Berishës.
Top Channel