GJERGJ EREBARA – 17 Nëntori këtë vit ishte disi më i neveritshëm se sa
vitet e shkuara. Të ashtuquajturit komunistë të rinj na kujtuan se në
këtë datë, gjermani i fundit u largua nga Tirana për t’u tërhequr në
Shkodër.
Sipas tyre, kjo ishte një ngjarje që duhet vetëm të festohet. Kur u thashë se në këtë ditë shumë shqiptarë u ekzekutuan pa gjyq në emër të të ashtuquajturit “çlirim”, thjesht mbyllën veshët dhe nuk deshën të dëgjonin. Festimet e ditëve të çlirimit janë një muzikë e njohur. Por disi më e panjohur ishte ajo që ndodhi më 17 Nëntorin e këtij viti, kur Presidentja e rastësishme e Kosovës na foli me gjuhë liturgjike për “rivendosjen e drejtësisë hyjnore” me rastin e varrosjes me nderime të posaçme shtetërore të ish-presidentit mbret Ahmet Zogu. Më kot, Taulant Balla u përpoq t’i kujtonte disa nga shumë viktimat e regjimit të Zogut. Ata që festuan kthimin me nderime të mbretit mbyllën veshët dhe nuk deshën të dëgjonin. Dallimi mes dy ngjarjeve në fakt është i konsiderueshëm. Viktimat e regjimit komunist, që u vranë që para “çlirimit” dhe vijuan të vriten deri pas rënies së komunizmit, kanë plagë ende të freskëta. Për më tepër, është fakt se viktimat e regjimit komunist janë statistikisht më të shumtë.
Viktimat e regjimit të Zogut janë harruar tashmë prej kohësh. Plagët janë tharë, rrjedhimisht nuk dhembin më. Me kthimin me nderime shtetërore të Ahmet Zogut, politika e sotme po legjitimon vrasjen si një mënyrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rrugën për kapjen e pushtetit dhe ruajtjen e karriges. Vetë Kryeministri Sali Berisha na tha se “udhëheqësit bëjnë gabime” kur foli në ceremoninë për rivarrosjen e mbretit. Të njëjtën gjë, për fat të keq, na tha edhe Ramiz Alia para se të vdiste. Na tha se “ka pasur gabime”.
Me termin “gabime” e kanë fjalën për njerëz të ekzekutuar, gra të mbetura pa burra, fëmijë të mbetur pa prindër. Njerëz të sakatuar fizikisht dhe shpirtërisht përgjithmonë. Fise, qytete apo krahina të tëra të mbetura të paarsimuara, të margjinalizuara dhe të dënuara me varfëri, të konsideruar si njerëz të paaftë, imbecil. Të tillë vijojnë të konsiderohen edhe sot viktimat. Askush nuk ka respekt për ta.
E gjitha kjo është për fat të keq një lojë psikologjike. Njeriu i pakënaqur me të tashmen është i paaftë të imagjinojë një të ardhme më të mirë, por kërkon të identifikojë një të shkuar të lavdishme për ta pasur si referencë. Ka në Shqipërinë tonë të sotme njerëz që mendojnë se Perandoria Osmane ishte një shtet ideal. Edhe ata i konsiderojnë viktimat si diçka normale, një rrjedhojë e parëndësishme e makinës së pamëshirshme shtetërore. Kjo reflektohet edhe në memorien tonë kolektive. Ahmet Zogu ka sakaq një emër rruge në Tiranë e shumë shpejt ka gjasa që do ta ketë edhe një bust. Por për viktimat e tij nuk ka asnjë gjurmë. Diku, në ndonjë qoshe të arkivës së shtetit mund të mbijetojë ndonjë dokument, por do të jetë i destinuar të mbetet në harresë deri sa koha të zhdukë çdo gjurmë. Ne i kemi harruar sakaq të vrarët, të burgosurit apo foshnjat që vdiqën nga kriza e urisë së vitit 1936.
Nuk është çudi që pas disa dekadash, kur viktimat e regjimit komunist dhe pasardhësit e tyre të mos jenë më, ndonjë kryeministër të na thotë se Enver Hoxha kishte vlera, se krimet e tij kishin një qëllim më të lartë se sa ruajtja e pushtetit personal dhe sadizmit psikopatik, një “raison d’État”. Edhe atij do t’i ngrenë buste e do t’u vënë emrin rrugëve e bulevardeve. Një pllakat i vogël diku në Tiranë ku shkruhet se afro 6 mijë vetë u vranë, rreth 25 mijë u burgosën dhe rreth 50 mijë u internuan, pa llogaritur këtu qindra mijërat që humbën pasuritë dhe pronat dhe qindra mijërat që humbën shansin për arsim dhe jetesë normale… të gjitha këto do të jenë harruar. Do t’i kemi harruar, për të mos thënë se i kemi harruar sakaq, mijëra foshnjat që vdiqën gjatë vitit tragjik 1951, kur udhëheqësia zgjodhi të ruajë pushtetin e vet në vend që të mbronte jetët e njerëzve duke pranuar Planin Marshall.
Pastaj do të na thonë se hajdutllëku masiv i organizuar i njëzet viteve të fundit nuk ishte thjesht hajdutllëk. Qe për një arsye të lartë. Dhe të vrarët e njëzet viteve të fundit, viktimat e Gërdecit apo ato të 21 janarit, Remzi Hoxha e shumë të tjerë, nuk ishin për të ruajtur karrigen e hajdutllëkut. Këto viktima gjithashtu nuk do të kenë kurrfarë rëndësie. Dhe shqiptarët do të vijojnë të vriten, të burgosen pa të drejtë apo të vidhen dhe këto nuk do të jenë padrejtësi që duhen shpaguar. Do të jenë thjesht viktima të pafat.
Për çdo përvjetor, shteti do të na shfaqet jo si një bashkësi qytetarësh, por si një koncept abstrakt, që ekziston në përfitim të disave, por për shkak se është një formë religjioni, kërkon sakrifica. Mjerë delet!
Top Channel