Debate në Këshillin Bashkiak

20/11/2012 23:35

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit është përfshirë nga debate të ashpra mes këshilltarëve të opozitës dhe atyre të maxhorancës.

Shkak për këtë është bërë prezantimi i axhendës së festimeve, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në Tiranë nga kryetari i Bashkisë, Lulëzim Basha. Zoti Basha tha se festimet do të nisin me një sërë aktivitetesh në datën 26 nëntor, për të kulmuar me tortën e Pavarësisë, që do të ketë një sipërfaqe 550 metra katrorë.

Në këtë pikë, opozita deklaroi se nuk është kundër zbukurimeve, por denoncoi ato që i quajti afera korruptive me projektet për dekorimin e kryeqytetit, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

“Para Teatrit të Operas dhe Baletit do të nisë puna për tortën e Pavarësisë, që është një ngjarje e shumëfolur. Një tortë që është me një sipërfaqe prej 550 metra katrorë, e përgatitur nga pastiçierët më të mirë shqiptarë, jo vetëm nga trojet shqiptare, por edhe nga ata që kanë bërë emër në tregjet e Europës dhe të Amerikës së Veriut”, tha Basha.

“Zotëri, ne sot duhet të kishim miratuar buxhetin afatmesëm të qytetarëve të Tiranës si dhe buxhetin vjetor të tyre. Ku jemi, për çfarë është zgjedhur kryetari i Bashkisë së Tiranës, për dekorata? Jo, është zgjedhur për të punuar dhe mua prandaj më duket e turpshme leximi i një axhende, e humbje kohe për të gjithë ne, që kemi qindra punë për të bërë, ashtu si edhe vet kryetari, sepse duhet të shkojë të bëjë buxhetin afatmesëm”, u shpreh Adriana Berberi.

“Janë akorduar 56 milionë lek të reja, për dekorimin dhe zbukurimin e qytetit. Hapeni sot faqen e Bashkisë dhe nuk do të gjeni asnjë njoftim, se cili e ka fituar tenderin për zbukurimet e dekorit të Tiranës. As APP-ja nuk ka lajmërim, as faqja zyrtare e Bashkisë s’ka njoftim. Kam përshtypjen se është kunati, pas gjithë kësaj afere”, tha Gent Gazheli.

“Akuzat ndaj meje nuk ju çojnë askund, as qytetarët e Tiranës nuk i çojnë askund. Maksimumi, ndonjërin prej jush e kanë çuar para dyerve të gjyqit, ku ka humbur me turp dhe është deklaruar shpifës ligjërisht”, përfundoi Basha.

Këshilli miratoi me shumicë votash kërkesën e PDIU për vënien e emrit “Çamëria” sheshit pranë rrugës “Ali Demi”.

Pas disa propozimeve të presidentit të nderit të kësaj partie, Tahir Muhedini, në cilësinë e këshilltarit bashkiak, për të shmangur debatet lidhur me sheshin “Avni Rustemi” apo sheshit pranë stadiumit “Dinamo”, PDIU zgjodhi sheshin pranë fushës së sportit “Ali Demi”, e cila me konsensus të të gjithë këshilltarëve, tashmë quhet sheshi “Çamëria”.

Top Channel