Zamira Cavo – Në 100 vjet, bota ka ndryshuar, ka ecur me hapa të tilla
sa nuk gjen dot një pikë krahasimi. Ndërkohë, edhe ne shqiptarët kemi
ecur. Por ecja jonë ka qenë e ngjashme me një lëvizje në vend. Ne kemi
krijuar mendimin se kemi ecur, sepse kemi lëvizur. Ka qenë kjo një
lëvizje pa zhvendosje, pa drejtim, një lëvizje që sapo ka bërë hapin e
parë, është rikthyer për të bërë 20 hapa të tjerë në vend.
Në këtë mënyrë, sot në 100-vjetorin e shtetit, ne gjendemi jo shumë larg fillimit. Madje në disa aspekte, ndoshta jemi edhe më keq, për faktin se kemi një perceptim të “ëmbëlsuar” për kohën ku jetojmë. Në 100 vjet ne kemi hapur vit pas viti, kohë pas kohe historinë tonë të gropës, sepse kemi mbuluar me dhe atë çka kemi hapur më parë, duke e rihapur sërish me marshimin tonë në vend. Pse e them këtë:
– Në 100 vjet shtet të pavarur, nuk kemi ende një histori të historianëve, pa ideologjizma dhe pasione politike. Askush nuk guxon të flasë për 45 vjet shtet të Enver Hoxhës. Duket sikur kjo kohë nuk ka ekzistuar. Politika, e djathtë dhe e majtë, e ka fshirë nga historia, sepse ka frikën e akuzave që mund t’i bëjnë njëra-tjetrës. Kush ka frikë nga historia e zhbën atë, duke e filluar nga vetvetja. Kështu bëri Zogu, kështu bëri Enveri, kështu kemi bërë në 22 vitet e demokracisë. Në 100 vjet, ne sot realisht llogarisim vitet e Zogut dhe këto të “demokracisë” shumë pak për 100 vjet! Sepse në 100 vjet ne:
– Nuk kemi fituar ende qytetarinë e të sjellurit me tolerancë ndaj kundërshtarit politik. Në 100 vjet, krahët e politikës kanë qenë në antagonizëm të thellë politik mes tyre dhe mirëkuptimi në emër të vendit, ka mbetur një slogan që në rastin më të mirë, është përdorur për nacionalizma. Në 22 vjet demokraci, ne nuk kemi bërë asnjë hap nga 1913. Është e njëjta situatë sikundër e përshkruan harvardisti Konica: “Njeriu për njeriun është ujk, shqiptari për shqiptarin akoma më ujk”. Politika shqiptare e “demokracisë në këtë 100-vjetor i jep botës po atë imazh që i ka dhënë 100 vite më parë: e përçarë dhe pa modele qeverisje. Konfliktuale dhe pa perspektivë. Ky është çmimi që i kemi vënë vetes dhe të huajt nuk mund të na i rrisin atë! Përgjegjësia është e të gjithëve, por jo e asnjërit!
– Në 100 vjet shtet, ne kemi për liderin po të njëjtin perceptim: Ai është, di dhe vepron! Kush është me të, fiton, kush është kundër, është armik! Nën këtë efekt psikologjik, Ahmet Zogu vrau kundërshtarët e tij politikë dhe pati mbështetësit e tij deri sa i tradhtoi të gjithë. Po të njëjtin vizion ideologjik patëm në kohën e Enverit. Në 22 vite demokraci, kemi sërish këtë perceptim popullor, të cilën e manifestojmë në sjelljen tonë politike. Guxo e kritiko qeverinë dhe do shikosh si do etiketohesh nga pala “mbrojtëse”! Njerëzit përpiqen t’u qëndrojnë “besnikë” liderëve të tyre partiakë dhe jo interesave publike. Duan ta kenë mirë me liderin, pa për të tjerët nuk pyesin. Sepse në 100 vjet ne:
-Nuk kemi mësuar se Ligji është ai që ruan shtetin dhe jo individi. Ligjet për ne janë konsideruar si arma që i gëzon jo sovrani, por lideri. Sepse ne asnjëherë nuk e kemi ndjerë veten SOVRAN. Në 22 vite demokraci nuk kemi bërë asnjë hap përpara. Përkundrazi ligji tek ne është barazuar me “të fortin” dhe ky i fortë është ai që bërtet më shumë, që mashtron më shumë e që çuditërisht “fiton” me votën tonë. Sot, Kryeministri i Shqipërisë njëqindvjeçare, as që do t’ia dijë për ligjet, as për shtetin. Ai ka zgjedhur të bëjë “të fortin” e politikës duke gllabëruar çdo pushtet e duke mos pyetur për askënd! Primitiviteti politik sot është më i dukshëm se kurrë në kundërshtim me ligjin. Tragjikomedia që po luhet me CEZ-in është as më shumë e as më pak tragjikomedia e shoqërisë shqiptare në këtë 100-vjetor; Berisha që nuk pyet për ligjin, e ka mësuar edhe popullin të mos pyesë për të. i ka falur toka kur ai i ka zaptuar, i ka falur pagesat kur ai nuk i ka kryer, i ka falur burgjet, kur ka qenë për t’u dënuar. Dhe tani kërkon zbatimin e ligjit nga CEZ-i!!! Kërkon zbatimin e ligjit nga ajo kompani e cila ka kohë që e ka shkelur me të dyja këmbët atë. Dhe më e bukura është se i kërkon zbatimin e ligjit, duke e shkelur vetë atë!
-Në këtë 100-vjetor, shoqëria shqiptare është bërë e pandjeshme ndaj skandaleve. Dikur skandali dhe zhurma e tij zgjaste tri ditë, sot as tri minuta! Nuk ka më skandal që skandalizon shqiptarët! Ministër që akuzohet për afera të dukshme në dritën e diellit, ministër që akuzohet për vjedhje të pronës publike në sy të të gjithë shqiptarëve, kryeministër që akuzohet për vrasje, kryebashkiak që akuzohet për vrasje, ministër që shet kombin, duke u llangosur drekave me neofashistët grekë, në kurriz të shqiptarëve … po t’i numëronim do na duhej një dimër i tërë…Por shqiptarët ndihen të imunizuar nga reagimi ndaj skandaleve, sepse Ligji nuk funksionon!
Dhe së fundmi, në këtë 100-vjetor shpresa se mund të kemi ditë më të mira e se Shqipëria mund të bëhet, është ndoshta më e vakët se kurrë. Kur rilindësit tanë shkruanin “Lum kush të rrojë, ta shohë Zonjë” duket e kanë parashikuar se, Shqipëria Zonjë, do duhej kohë të bëhej.
Për të debatuar me lexuesin “kritik”, i cili do më pyeste se ç’duhet bërë, do t’i përgjigjesha: le të eliminojmë të keqen kryesore të këtyre 22 viteve; le të largojmë ata që në 22 vjet vetëm na kanë lënë si në vitin 1 të shtetit tonë. Le të fillojmë me ata, më tej të tjerët që do të vinë, duhet të mësohen se NUK JANË ZOTËR, e për rrjedhojë janë të zëvendësueshëm!
Top Channel