Rama dhe Majko në Preshevë

19/11/2012 23:12

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se nuk do ta pyesë më Serbinë dhe ditën e 28 nëntorit, në objektin e komunës, që i takon Serbisë, do të valëvisë flamurin shqiptar.

Në kuvendin zgjedhor të Partisë Demokratike Shqiptare, ai ka thënë se Lugina e Preshevës si aspiratë kryesore ka bashkimin me Kosovën pasi, me Serbinë është provuar me luftë dhe me paqe. Ai ka thënë se 28 nëntori është festë edhe pse, sic ka theksuar, Lugina e Preshevës nuk është e lirë.

Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës: “Po të mos ishte Shqipëria, ajo e sotmja, së cilës iu përcaktuan kufijtë më 28 nëntor 1912 nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, me një siguri shumë të madhe ne shqiptarët e Luginës së Preshevës, madje edhe ata të Kosovës, nuk do të ishim në këto troje në këtë 100-vjetor”.

Në të njëjtën ditë, kur në Preshevë pritej të vinte delegacioni i socialistëve dhe kryetari Edi Rama, në Preshevë, me ftesën e Mustafës, kanë ardhur përfaqësues politikë nga Maqedonia, por edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ata kanë siguruar se Shqipëria do ta ndihmojë Preshevën.

Shezai Rrokaj, kryetar i LSI-së për Tiranën: “LSI dhe gjithë Tirana zyrtare e kanë shprehur më shumë se një herë, që i qëndrojnë pranë mbështetjes së të drejtave të të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, i kanë mbështetur, i mbështesin dhe do t’i mbështesin ata në të drejtat e tyre demokratike”.

Qeveria dhe opozita, që nga vizita e Ramës në Preshevë dhe afërsia e tij me një pjesë të aktivistëve dhe shoqërisë civile, kanë nisur një rivalitet me këtë zonë. Pas zyrtarëve të LSI-së, Mustafa ka insistuar që dikush nga socialistët t’i drejtohet kuvendit. Pasdite, atyre u ka folur deputeti Pandeli Majko.

Pandeli Majko, deputet i PS: “Nuk jam ndonjë optimist i jashtëzakonshëm për marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë, ky nuk është më një sekret. Diplomatët tanë quhen ndonjëherë edhe si gënjeshtarë, për arsye shtetërore, por unë nuk kam ardhur këtu të gënjej për arsye shtetërore. Jam midis vëllezërish e miqsh dhe dëshiroj të them shkurt e qartë se miqësia me Serbinë kalon nga Presheva”.

Lugina e Preshevës, megjithatë, në aspektin politik mbetet peng i ngjarjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Top Channel