Patriotizëm i “zhytur” në kredi

19/11/2012 00:00

Aleksander Cipa – Entuziazmi për 100-vjetorin e pavarësisë po e përskuq
atdheun tonë me flamuj. Është më i motivuar se kurrë dhe parë në optikën
e një rezymeje për një shekull jetë shtetërore, shqiptarët e meritojnë
një kremtim të tillë.

Në të drejtën tonë kombëtare e meritojmë të kishim jo vetëm një regji të tillë, kaq masive dhe kaq pompoze, por shumë e shumë herë më të bujshme. Në historinë e vendeve moderne, kremtime të tilla shndërrohen në ngjarje të forta të marketingut kombëtar dhe të një jehone për imazh të ri. Aq më tepër, për një shtet si Shqipëria, ku të qenët republikë e vogël, bashkëjetuese me një histori të madhe dhe të dhimbshme shekullore, bëhen arsye për rivendosje në vëmendje të opinionit ndërkombëtar dhe sidomos të vendimmarrësve ndërkombëtarë e pse jo edhe atyre globalë. Për këtë arsye, debati dhe diskutimet për bashkimin e përfaqësimit pozitar dhe opozitar në administrimin e këtij kremtimi, ishin dhe mbeten një dëshirë dhe detyrim kombëtarist. Mirëpo, kjo gjasë tashmë është e tejkaluar. Nuk ndodhi dhe ka për të pasur ndoshta vetëm disa prani simbolike, pa semantikë bashkuese dhe aq më tepër luajaliteti politik mes dy palëve.

Natyrisht në këtë përmbajtje të natyrshme, po spikat edhe një përmbajtje tjetër, ajo e shkumëzimit të populizmit dhe kredos provinciale, të cilën klasa politike po rend ta shfrytëzojë si në kohë të vjetra, madje si në kohë të rrëzuara me bujë e me vetëlëvdim prej vetes së saj. Kryeministri Berisha dje iu kthye veprës më të madhe historike të 22 vjetëve të fundit, asaj të rrëzimit të diktaturës komuniste. I mëshoi fjalës titan, për të karakterizuar dimensionin e jashtëzakonshëm të asaj shembjeje epokale. E bëri këtë një ditë pas një ceremonie masive dhe zyrtare për vendosjen e eshtrave të Mbretit Zog në mauzoleumin e investuar me vendim të tij, duke u shënuar në këtë mënyrë edhe mbyllja e një kapitulli të gjatë denoncimesh, akuzimesh, lëvdimesh, deportimesh dhe injorimesh për familjen e monarkut të vetëm shqiptar në 100 vjet, pra Ahmet Zogun. Në një farë mënyre, vetë Kryeministri Berisha duket se zuri vend në një vlerësim të fundit për këtë figurë historike, duke qenë gjithashtu besnik i modelit të vetes: Unë e rivlerësoj historinë, duke mos pyetur për kalendarët e të tjerëve, qoftë edhe për nderuesit e martirëve të antinazifashizmit! Në besnikëri të kësaj fryme diversive që mbart e dëshmon, nuk e shtynte apo afronte dot ceremoninë e rikthimit në atdhe të eshtrave të monarkut! Besnik i mosdorëheqjes prej tekanjozitetit autoritarist të mbivendosjes së datave historike, siç është 17 nëntori për Tiranën e pas Luftës së Dytë Botërore!

Konsiderimi i aktit të madh shembës së diktaturës në vitin 1990, natyrisht është një e drejtë e meritueshme për plejadën dhe gjeneratat e viteve ‘90-të dhe për këtë lidership. Ajo ishte një kthesë e madhe e cila paratha kohën e re për kombin shqiptar dhe në këtë kuadër edhe për shtetësinë shqiptare, pavarësisht hapësirave administrative të saj në Shqipërinë e tanishme dhe Kosovën vërtet Republikë, tashmë me njohje si të Shqipërisë së 1912-s. Mirëpo kremtimi i historisë me lëvdim të historisë tënde, është diçka e tejkaluar për vendet dhe shoqëritë e sotme të Europës. Ndryshe bie pre e shprehjes së popullit: ”Lëvdomë o gojë se të çava!”

Mandatori ka detyrim të nderojë dhe lëvdojë historinë e paraardhësve të vet dhe të atyre që në ngjarje të tilla si 100-vjetori aktual shqiptar, patundshmërisht quhen themeltarë. Matanë flamurëzimit të Shqipërisë dhe përskuqjes së dritareve, ballkoneve apo rrugëve dhe fasadave, sytë e mprehtë dhe vëzhguesit e ftohtë merren me brendinë dhe anëfasadat e pasfasadat.

Pasfasade është një përditshmëri e ngarkuar. E gjitha me një ndjenjë pritmënie dhe dyshimi për të parë ç’kemi pas kremtimit!?! Një Shqipëri që do të zhytet pas kësaj përskuqje në një ndezje fushateske me pankarta, billbordera dhe parulla e karvanë partiakë?!

Një Shqipëri që do të rindezë sërish konfliktin politik të akuzave dhe denoncimeve dhe debateve egërshane për kapje të shtetit dhe të të gjitha pushteteve?!

Një Shqipëri që kremton e buçet elektoralisht, dhe nuk ka kohë të shohë se si po rrokulliset mbi të “orteku” i monedhëzhdukjes dhe i varfërimit tronditës në periferitë e saj sociale!?

Po tashmë edhe këtë muaj kremtimi nuk na le të shohim se ç’po ngjet me të sotmen tonë sociale dhe ekonomike. Jemi nën optimizmin socreal të përurimit të segmenteve të rrugëve apo të parvazëve, pa ditur se si po shtohet stresi te ministri i Financave apo te Guvernatori i vendit.

Qeveria e shtetit 100-vjeçar po investon një imazh të rremë prej sigurie si të jetë 100-vjeçare dhe patetike për 100 vjet të tjerë, ndërsa shteti vetë, i vrojtuar dhe cilësuar prej aleatëve dhe kujdestarëve në rrezik, në udhëkryq, në rreziqe dhe provë serioze.

Patriotizmi i flamurit po përskuq atdheun në çdo skaj e qytet. Shumëkush ngjesh regjinë e shpërndarjes të sa më shumë flamurëve. E në këtë garë populiste të partive, sërish spikat ikja ose deformimi i zhgabës zyrtare në flamurin e atdheut. Një dorë tinëzare e anonime e shfaq atë së pari në Tiranë dhe së fundi edhe në periferi të tjera. Ndoshta një tjetër shantazh mjeran mbi autenticitetin e simbolikës kombëtare!

Politika po ajo. Dykrerëshe në gjithçka e për çdo gjë. E ndarë deri në seancën e fundit për tri ligje që i kërkon si kusht të fundit BE-ja për statusin e kandidatit. Gjithçka asimetrike. Gjithë politika dhe sidomos prijësia e saj në kremtimin e 100-vjetorit një model i pashembullt asimetrie dhe dasie. Asnjë normë nuk bëhet dot imponuese mes Berishës së vjetër dhe Ramës si pretendues për ardhje në post të Kryeministrit, për një partneritet ligjor dhe institucional. Djallëzia e ndenjur ripërdoret sa herë Shqipëria shtetërore përballet me kushte integruese dhe standardi nga institucionet e BE-së. Në këtë marrëdhënie pa strategji të ndryshuar, por me regjinë e zvarritjes gjithë zënka, mes PD-së dhe PS-së kazusi i Qarkut të Fierit është “kauza e ditës groteske”. Një marrëzi dhe brendi tipike shqiptare, përmes së cilës mjafton pak interes për njohjen e kronikës dhe të gajasesh si në subjektin e famshëm të Faik Konicës për “Kryengritjen e Mamurrasit”. Narracioni në prozën gjysmake për një ngjarje të pandodhur, i sjellë në mendje në kontekst të subjektit të Qarkut të Fierit, të shton gajasjen për kohën, demokracinë dhe sidomos qeverisësin tipik që zgjedhin dhe udhëheq shqiptarët, pavarësisht nga mandati dhe, fatkeqësisht, nga koha!.

Një model më vete në përmbajtje sharlatane për shtetbërje e shtetsjellje. Inflacionist në shumëçka Kryeministri Berisha dhe debitor i përhershëm në trashëgiminë e vet si shtetar. Por matanë tij nuk shfaqet shkëlqimi apo kontrasti zëvendësues, por hija dhe dilemat e një realiteti me “det kredish”. Hijet e një shteti që jeton në mbytjen e shtuar të borxheve. Një dilemë që nuk e mbulon dot flamuri i shumëshpërndarë i kremtimit të nëntorit të 100-të të shtetit. Është fjala për dilemën e “zhytjes në kredi” jo të qeverisë, se ajo nuk e ka frikë kurrë kredinë, por të patriotizmit tonë!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA