Arben Manaj- Nëse ka rast për ta ulur Berishën më në fund, në të
ndënjtura është ky i Fierit. Është rasti i vetëm ndër vite dhe me sa
duket i fundit, që mund të ketë opozita përpara përballjes së
dizavantazhuar me të në qershorin e vitit të ardhshëm.
Do bërë jo thjesht për kënaqësi meskine, por për një interes të madh, që lidhet pazgjidhshmërisht me planet e tij për të vënë në provë skenarin e manipulimit të ardhshëm elektoral. Ligjet e integrimit që pritet të miratohen, edhe pse në logjikën e Gjinushit nuk duhet të jenë në atë formë siç janë gati për miratim, dhe këtu mund të ketë shumë të drejtë, nuk duhen kaluar pa u zgjidhur më parë i ashtuquajturi Qarku i Fierit, i cili është duke u shndërruar në kavien e mashtrimit të ardhshëm elektoral, ku pritet të aplikohet edhe votimi elektronik. Dhe kjo çështje është me një rëndësi mjaft të madhe për Berishën, por për arsyet e gabuara në raport me interesin madhor të Shqipërisë. Dukshëm për të është më i rëndësishëm sesa vetë statusi. Nëse nuk do ishte i tillë, në mënyrën më pragmatike, pa dyshim jo vetëm nuk do e kishte bërë çështje siç është bërë, por edhe do e kishte braktisur siç di ai të braktisë historikisht, gjëra të vyera apo njerëz me vlera, por që s’i hyjnë në punë për momentin politik. Paradoksi në pamje të parë është se Brukseli nuk do ia hapë portat Berishës dhe Shqipërisë me atë Kryeministër, deri në zgjedhje, pa kaluar pragun e zgjedhjeve. Ironia është se ky prag për llogaritë e Berishës kalon edhe nga Fieri. Për vendimmarrësit në Bruksel, ai tashmë është i ndërgjegjësuar se nuk janë tre ligjet, aq dhe vetëm ato vendimtare. Edhe sikur sot ose nesër t’i kalojë, asgjë nuk do ndryshojë për marrjen e statusit, pasi kushtet po shtohen praktikisht. Nëse vetëm ato do të ishin përcaktuese dhe jo drejtësia dhe ndershmëria e procesit të ardhshëm zgjedhor, ai do kishte bërë tërheqje nga çështja e Fierit dhe gjithçka do të ishte shumë e thjeshtë. Por për llogaritë e tij, çështja është ndërvartësisht e komplikuar dhe me rend të përmbysur gjërash. Aq sa i duhen tri ligjet të miratuara për statusin e supozuar, më shumë Berishës i duhet Fieri siç ai e ka skicuar, që përkundër ëndrrës së tij, kondicionohet nga kalimi i tre ligjeve të mbetura. Këmbëngulja e tij prej demagogu nuk kushtëzohet dhe justifikohet, vetëm nga dëshira e flaktë e Kryeministrit për të mos shkelur mbi ligjet dhe drejtësinë e vendit, kur dihet se ai është politikani më transgresiv dhe më përçmues ndaj vendimeve të gjykatave shqiptare, ku asnjëherë nuk ka shkuar as edhe fizikisht në dyert e tyre për t’u përballur me akuzat e shumta për mëkatet e panumërta që ka bërë në 22 vjet. Deri pas qershorit, ai e ka shumë të qartë se askush nuk do merret më me të në Bashkimin Europian, përveçse do e vëzhgojnë më shumë dhe më nga afër në këtë “moment kritik për Shqipërinë”, çka është më e rëndësishmja, dhe më pak si e tillë, për të ardhmen e tij politike. Kësaj radhe vërtet Berisha ka nevojë të jetë mes Kasandrash dhe të dëgjojë parashikimet e tyre. Nëse Berisha do që të pakësojë kritikat kundër tij dhe rekordet e fundit të dyshimta në CV-në e tij demokratike, “Çështjen e Fierit” e ka më shumë në dorë ai ta zgjidhë, përpara sesa ta ketë opozita, e cila ka në dorë çelësat e vetëm këtyre tri ligjeve. Dhe sërish Shqipëria vazhdon me papërgjegjshmëri. Faktikisht dhe fatkeqësisht, kanë qenë edhe qëndrimet e debatueshme politike të opozitës në këto vite të qeverisjes së tij, përveç faktorëve të tjerë, që Berishës i kanë krijuar fiksimin dhe i kanë konsoliduar frikshëm idenë se ai plotfuqishmërisht mund të bëjë ç’të dojë me këtë vend dhe këtë popull në varësi të humorit dhe tekave të tij politike. Duket se kësaj here, nisur nga retorika publike, opozita nuk do të sillet si me ligjin e imunitetit dhe shpresohet se nuk do të bëjë 180 gradëshin në minutat shtesë të lojës. Rezistenca ndaj përbaltjes sa herë që do të sulmojë Berisha, qoftë edhe deri në ditën e zgjedhjeve, nëse shkon aq larg, si dhe shpërfillja ndaj demonizimit tipik që i bën Berisha opozitës dhe Ramës, si pengues të integrimit, krahas këmbënguljes deri në fund vetëm te nevoja e uljes në tryezë të të gjitha partive parlamentare për “Çështjen e Fierit”, në emër të asaj të mire për të cilën foli edhe Klintoni në Tiranë, do jetë shërbesë jo e vogël ndaj demokracisë dhe vetë kursit integrues të Shqipërisë. Berisha nuk mund ta kapërcejë Fierin dhe më pas Brukselin, pa kaluar mbi stekën e opozitës. Konstruktiviteti i opozitës përmes ofrimit të negociatave është gjetje e qëlluar përballë taktikave realisht çintegruese të mazhorancës për paradigmën alla fierak. Fieri ka shkuar tashmë në Bruksel. Mbetet që itinerari shqiptar drejt Brukselit medoemos të kalojë tanimë patjetër nga Fieri, nëse siç lihet të besohet dhe shpresohet se opozita nuk do tërhiqet nga pozicioni i saj.
Top Channel