Ilir Yzeiri – 100 vjet qeverisje më vete në jetën e një kombi nuk janë pak, por nuk janë as shumë.
Janë gjithsesi të mjaftueshme për të shenjuar një epokë dhe për të nxjerrë që andej mësimet e duhura, për të parë se çfarë kemi arritur dhe çfarë nuk kemi bërë dot, për të dalluar se përse jemi të vonuar dhe përse nuk po ecim me të njëjtën shpejtësi si pjesa tjetër e kontinentit europian të cilit i përkasim. Ne po bëhemi gati të festojmë një shekull shtet më vete, pra 100 vjet pavarësi dhe askush nuk shtron pyetjen se nga cilët armiq jemi çliruar dhe nga cilët armiq jemi pushtuar. Fishta i madh në agim të Pavarësisë pat shkruar se “tash qi u ba Shqypnija duhen përba shqyptarët».
Në fakt historia e cilitdo shtet europian është një rrugë e gjatë me konflikte e luftëra civile që shenjojnë ashtu formimin e vetëdijes dhe të shtetit, të shoqërisë e të sistemit të qëndrueshëm politik të atij vendi. Nuk është as rasti dhe as vendi këtu që të përmendim historinë e famshme qoftë të Anglisë, qoftë të Francës, të cilat merren rëndom si model për të parë zhvillimin e shoqërisë europiane në rrymë të shekujve. Në rastin tonë, pra në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, është mirë që Shqipërinë të mos e shkëpusim nga konteksti ballkanik dhe ai komunisto-lindor gjithashtu. Mirëpo, problemi i historisë së shqiptarëve nuk është narracioni, pra nuk është ajo që ka ndodhur, problem i shqiptarëve janë atë që e tregojnë historinë, ata që e shkruajnë atë. Shqiptarët, pasi fituan Pavarësinë në vitin 1912, u përfshinë në dy luftëra të mëdha botërore, njohën regjimin anarkik dhe atë mbretëror, u zhytën në regjimin komunist dhe kanë njëzetë vjet që tentojnë të ndërtojnë një sistem demokratik dhe nuk arrijnë dot. Mund të ketë shumë arsye përse shqiptarët nuk arrijnë dot të ndërtojnë një sistem të qëndrueshëm demokratik, përse ata sot janë më të vonuarit nga të gjitha vendet e ish-demokracive popullore të Lindjes. Mua më duket se një ndër këto arsye është urrejtja, përjashtimi i tjetrit të ngjashëm dhe protagonizmi që shkon deri në asgjësimin e kundërshtarit.
Po të shikosh himnin e flamurit, vëren se vargu i parë i grish shqiptarët që të bashkohen rreth flamurit që do të thotë se një nga problemet më të mëdha që kanë shqiptarët si popull është se ata nuk kanë një simbol, një perëndi, një fe, një shenjë abstrakte që të bashkohen. Flamuri është zgjedhur nga rilindësit tanë të mëdhenj si simbol i kombit, si shenja e veçantë e tij për shkak të shumë dasive që viheshin re ndër shqiptarë. Ne harrojmë se në prag të Pavarësisë një pjesë e madhe e shqiptarëve thirrej “turk” dhe në Shkodër fjala vjen dallimi mes katolikëve e myslimanëve bëhej në një rrafsh tjetër në “shqiptarë” e “turq”. Ne harrojmë gjithashtu se kur Shqipëria u çlirua nga Perandoria otomane, ajo u vështrua si një plaçkë për t’u ndarë jo vetëm nga fqinjët që bashkë me fuqitë e mëdha e copëtuan këtë vend, por edhe vetë shqiptarët e ardhur nga administrata otomane ose edhe nga vise të tjera u turrën mbi këtë vend jo për të ndërtuar Shqipërinë në rastin më të mirë, por për të përfituar prej zaptimit të qeverisjes së saj në shumë raste të tjera. Ne duhet të jemi realistë dhe duhet ta lexojmë drejt historinë e ngatërruar të passhpalljes së Pavarësisë. Në këtë kuptim Ismail Qemali ka meritën se është ati i shtetit shqiptar. Ai dhe gjithë ata rilindës të mëdhenj që përgatitën ditën e 28 Nëntorit janë etërit e shtetit të ri shqiptar. Pas kësaj, historia e Shqipërisë ka nevojë të tregohet ashtu siç ka ndodhur, në mënyrë pozitiviste. Ahmet Zogu ishte një nga drejtuesit e shtetit të Pavarësisë, që qeverisi në mënyrë autoritare, që vrau kundërshtarët e tij politikë, që bëri reforma me orientim perëndimor, pra që ishte thjesht një qeveritar i lartë që u vetëshpalll madje edhe mbret. Ai e braktisi atdheun kur ai u pushtua nga fashistët italianë. Për Luftën është folur e shkruar shumë, ashtu si edhe për instalimin e diktaturës në Shqipëri.
Në këta 100 vjet ne kemi nevojë ta tregojmë historinë, jo ta glorifikojmë atë dhe as ta hedhim poshtë. Mirëpo, për fat të keq, ne kemi zgjedhur si kriter të rrëfimit të historisë urrejtjen. Përpjekja për të glorifikuar një figurë historike dhe për të injoruar të tjerat mbështetet në principin e përjashtimit të tjetrit. Një ndër krimet më të mbrapshta të komunistëve ishte riformatimi i memories kolektive sipas parimit të luftës së klasave. Pas vitit 1945 historia iu nënshtrua gjyqit dhe kujtesa kolektive u thirr që të modifikohej. Prej saj duhet të fshiheshin emrat e disa figurave të shquara dhe vepra e tyre. Kështu ndodhi me Fishtën, Konicën apo Koliqin. E njëjta gjë ndodh edhe sot. Jozefina Topalli flet sot si të ishte Shevqet Musaraj në vitin 1948. Sipas mendësisë komuniste të Jozefinës dhe të Saliut memoria historike duhet modifikuar dhe 50 vjet histori duhen fshirë nga kujtesa kolektive dhe ajo duhet zëvendësuar me marritë e Jozefinës dhe të Saliut. E kam thënë edhe në një shkrim tjetër se realizmi socialist nuk është thjesht një metodë letrare e imponuar, për më tepër, është një mënyrë të menduari që ka në thelb urrejtjen dhe përjashtimin e tjetrit. Ne sot jemi të gjithë viktima të urrejtjes dhe vijojmë të sillemi me simbolet tona jo duke i respektuar ato, por duke i përdorur si forma të nënvetëdijes sonë të ndrydhur, si simbole të devijancave tona patologjike. Shteti shqiptar, që në ngjizje, në vend të bashkimit rreth flamurit që kishin shpallur rilindësit tanë, u ngjiz rreth urrejtjes dhe përjashtimit të tjetrit. Në psikologjinë e atij që ka qeverisur në këta 100 vjet zotëronte dhe zotëron ideja e zaptimit të qendrës apo të qendërzimit dhe bashkëkombësit perceptoheshin pastaj si reflekse të vetëdijes së atij që kishte zaptuar qendrën. Zogu u vetëshpall mbret për të ruajtur autocentrizmin etnik e politik. Enver Hoxha u bë njësh edhe me ambientin gjeografik saqë edhe malet e objektet që ndërtoheshin pagëzoheshin me emrin e tij.
Ndërsa ajo që të bën të qeshësh e të qash njëkohësisht është përpjekja e këtij që na është ngatërruar nëpër këmbë në këta njëzet vjet që të identifikohet me qendrën dhe të zërë vendin që kanë lënë bosh dy personazhet e tjera. Ai në fakt ngjet me dy të parët, vetëm sa i takon urrejtjes dhe krimit. Në qeverisje e tij numërohen mijëra të vrarë(1997), të zhdukur pa gjyq e pa varr (Remzi Hoxha) dhe të vrarë në kohë paqeje (21 janari). Ndaj edhe nguti për të përzierë datat dhe për të riformatuar vetëdijen kolektive, për të zbehur simbolikën e 17 nëntorit dhe për të ringritur simbolikën e një shtetari të radhës, vjen me sa duket nga i njëjti princip – urrejtja për tjetrin që është i ngjashëm, që është shqiptar dhe që tenton të marrë qendrën.
Top Channel