Pse në Shqipëri është e fundbotshme të humbasësh

17/11/2012 00:00

Andrea Stefani – Në shkrimin “Fitorja në zgjedhje është përgjegjësi;
humbja nuk është fundi i botës” Mustafa Nano, me të drejtë, ishte
përpjekur që nga spektakli demokratik i zgjedhjeve në SHBA, të tërhiqte
disa konkluzione morale për t’ua servirur politikanëve konfliktualë
shqiptarë.

Me admirim të qartë për Presidentin Obama si edhe për rivalin e tij republikan, Romney, Nano nënvizon se “përpjekja për ta çmistifikuar fitoren e për ta zhdramatizuar humbjen është një leksion që zbut klimën, që qetëson mbështetësit, që i mban zgjedhjet në limitet e një gare e jo të një beteje për jetë a vdekje”. Të gjitha këto janë të vërteta. Po të mos qe kështu as Obama dhe as Romney nuk do bashkoheshin në qëndrime që njëherazi çmistifikojnë fitoren dhe zhdramatizojnë humbjen. Por duhet shtuar se “mrekullia” e shmangies së konfliktit apo e luftës për jetë a vdekje nuk arrihet dot me kaq pak. Sepse si lufta për jetë a vdekje ashtu dhe shmangia e saj, nuk kanë të bëjnë vetëm me taktin apo mungesën e taktit të liderëve, por edhe me mungesën apo jo të një sistemi institucionesh që ndërfusin në lojën e politikës edhe drejtësinë. Mungesa e drejtësisë është ajo çka e dallon, në pikëpamje të thelbit politik, Shqipërinë  nga SHBA. Dhe është shkaku më i thellë, perpetum mobile i konfliktit politik. Te mungesa e drejtësisë duhet kërkuar se përse zgjedhjet zhvillohen si betejë për jetë a vdekje dhe përse humbja në to perceptohet si fundi i botës. Me drejtësinë janë të lidhura drejtpërdrejt, zhvillimi dhe qëndrueshmëria e lirive dhe të drejtave. Kur drejtësia mungon, atëherë rotacioni politik është vetëm rotacion i padrejtësive dhe privilegjeve. Prej këtej ngrihet ai ankth i egër dhe i gjithanshëm parazgjedhor që rrezikon të vrasë demokracinë në verën e vitit 2013. Një tjetër vit i mbrapshtë për Shqipërinë?

***

Është mungesa e drejtësisë së pavarur që lë hapësira për krijimin e pushteteve absolute të afta që të dhunojnë liritë e të drejtat e njerëzve deri edhe pronën e tyre. Qeveritarë e pushtetarë, që ndihen të sigurt në pandëshkueshmërinë e tyre, kanë prirjen absolute të korruptohen. Nga ana e tyre, pushtetarët e pushteteve të korruptuara bëhen pengesa kryesore e krijimit të një pushteti të pavarur drejtësie. Me gjyqtarë e prokurorë të korruptuar dhe të kapur prej tyre ata ndihen të sigurt. I vetmi kërcënim për ta janë zgjedhjet e radhës. Jo thjesht se mund të humbin postet, por edhe pse rotacioni i pushtetit është në vetvete një shans që drejtësia t’i iki kapjes së pushtetit të rrëzuar. Por drejtësi e pavarur do të thotë të hapen dosjet e korrupsionit të qeveritarëve. Prandaj humbja e zgjedhjeve për ta është e fundbotshme. Prandaj do luftojnë me të gjithë mjetet, edhe duke korruptuar e dhunuar zgjedhjet që ata të jenë fituesit. Ja pse në Shqipëri ka shumë pak gjasa të shikojmë atë spektakël demokracie që pamë në SHBA.

***

Por ky raport me zgjedhjet karakterizon, po për shkak të mungesës së drejtësisë, të gjithë piramidën politike dhe sociale. Edhe opozita politike, e ndodhur nën kërcënimin e një pushteti gjithnjë e më absolut që po fimalizon kapjen e të gjithë institucioneve, nuk mund to mos e shikojë si të fundbotshme humbjen e zgjedhjeve. Si në rrafshin personal ashtu edhe në atë shtetëror. Në rrafshin personal do të thotë që ajo të ndihet e kërcënuar nga një gjueti shtrigash e një pushteti që mund të përdorë prokurorinë dhe gjykatat e kapura kundër saj. Në rrafshin shtetëror fitorja e një pushteti absolutist dhe të korruptuar do të ishte lajmi më i keq për projektin e integrimit të Shqipërisë me Europën. Prandaj një opozitë që ka projekt perëndimorëzimin e shtetit, nuk mund të mos e shohë humbjen në zgjedhje si fundi i botës.

***

Po të zbresim më poshtë në piramidën sociale do të shohim se shtresa të ndryshme të popullsisë janë të mbarsura, po për shkak të mungesës së drejtësisë, me psikologjinë e humbjes në zgjedhje si fund i botës dhe me atë të fitores si triumf i pamëshirë mbi kundërshtarin, janë të mbarsura me psikologjinë e luftës. Mbështetësit e qeverisë që kanë përfituar privilegje prej saj (jo pak nga këto duke dhunuar drejtësinë), dikush licenca biznesi apo poste fitimprurëse, më shumë të tjerë një punë në sektorin publik që u siguron bukën e fëmijëve në këto kohë krize, perceptojnë te humbja e zgjedhjeve humbjen e Parajsës. Gjendja e tyre do ndryshonte dramatikisht. Prandaj të gjithë këta, ose të paktën shumica, do bëhen pjesë aktive e skenarëve të qeverisë për t’i fituar zgjedhjet me çdo kusht, edhe me anë të grabitjes së votave apo manipulimit. Nga ana e tyre, shtresat sociale opozitare, të diskriminuara në biznes apo të flakura nga puna që u siguronte bukën e fëmijëve, nuk mund të mos e perceptojnë një zgjatje të jetës së qeverisë, si fundin e botës për ta. Edhe në kampin opozitar mungesa e drejtësisë bën që në etjen për fitore të gërshetohen rivendikimi i drejtësisë me ëndrrat për privilegje.

***

Sikur të kishte drejtësi të pavarur, e aftë të skanojë me forcën e ligjit pastërtinë e Presidentit, Kryeministrit, ministrave dhe gjithë zyrtarëve publikë, qeveria do ta kishte shumë të vështirë të zhvillonte korrupsion, do ta kish shumë të vështirë të bënte padrejtësi si për shembull, duke diskriminuar biznese “të kuq” apo duke punësuar militantë dhe duke flakur opozitarë. Një qeveri më pak e korruptuar do kishte më pak fanatikë mbështetës, por edhe më pak shtetas që shikojnë tek qëndrimi i saj fundin e botës. Në prani të drejtësisë, qeveritarët nuk shohin te humbja e pushtetit edhe fundin e tyre. Qeveritarët e sapovotuar në shumicë nuk shohin te fitorja e zgjedhjeve triumfin, rastin për plaçkitjen e të drejtave, pronës dhe punës së e njerëzve në kampin matanë. Shtetasit, pavarësisht nga kampi politik që votojnë apo shprehin simpati, janë të sigurt se ndërrimi i qeverisë nuk do sjellë ndryshime dramatike në jetën e tyre në një kohë që urojnë për ndryshime pozitive. Të mbrojtur nga drejtësia që ia shkurton dorën e zgjatur çdo qeverie që do tentonte t’u bënte padrejtësi, ata e presin rezultatin e zgjedhjeve me një pasion të kontrolluar nga arsyeja dhe që nuk i kalon shumë parametrat e gëzimit apo hidhërimit për fitoren a humbjen e skuadrës së zemrës. Edhe fitorja edhe humbja pranohen me një lloj sportiviteti. Sepse jeta vazhdon në shtratin e hapur nga e drejta duke shpërfillur vullnetet qeveritare e aq më shumë kapriçiot. Dhe kjo situatë, tipike si për shtete perëndimore si SHBA, ka në themel të saj qeverisjen e punëve nga drejtësia e lirë dhe e pavarur. Shqipërinë nuk e kanë lejuar ende të ketë drejtësi të pavarur. Dhe në një shtet ku gëlojnë padrejtësitë, zgjedhjet nuk mund të mos jenë fundi i botës për humbësit. Në një shtet pa drejtësi fituesi ka “të drejtë” t’i hakërrehet më të dobëtit: Mjerë ju! Dhe jo vetëm me fjalë. E si mundet palët të mos shohin te humbja portën e Ferrit? Si mund të mos përplasen e konfliktohen duke deri edhe vrarë njëri-tjetrin së bashku me demokracinë?

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA