Fëmijët e ngujuar nga gjakmarrja

16/11/2012 00:00

Dhjetëra fëmijë të ngujuar vazhdojnë të vuajnë pasojat e krimeve të baballarëve të tyre apo të të afërmve të familjes. Avokati i Popullit Igli Totozani dhe përfaqësues të shoqërisë civile vizituan disa familje të ngujuara në Shkodër për të dëgjuar problemet e tyre.

“Ne i kemi çuar njerëzit tanë për falje, por ata na kanë thënë se nuk na falin. Presin sa fëmija të rritet”, u tha vizitorëve një grua, fëmijët e të cilës janë të ngujuar.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkuan zbatimin me forcë të ligjit kundër atyre që kanosin të tjerët për ngujim.

“Sa më shpejtë të zbatojmë ligjet në fuqi, të ngremë këshillin që të menaxhojë në mënyrë politike trajtimin e këtij fenomeni, të nxisim organet e rendit që të kryejnë punën për të shmangur gjakmarrjen. Ne duhet të jemi këtu që t’i kujtojmë shtetit që të kthejë kokën dhe të zhvillojë këto zona”, deklaroi avokati Igli Totozani.

“I bëjmë thirrje organeve të prokurorisë që të zbatojnë ligjin. Kodi Penal ka nenin e posaçëm që duhet të zbatohet plotësisht. Kjo familje kërcnëohet nga një familje tjetër dhe shteti e di cila është, prandaj policia duhet të veprojë”, theksoi nga ana tjetër aktivisti Mentor Kikia.

Top Channel